Mënyra më e mirë për të parandaluar çdo ngjarje të pakëndshme është të merrni masat e duhura, në kohën e duhur. Si bëhet kjo?
Duke u siguruar. Ju mund të siguroni jetën, pronën e patundshme automjetin etj., nga çdo rast dëmtimi ose vjedhjeje. Asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të të sjellë jeta.
Në këtë numër, ne do t’ju njohim me sigurimin e makinës dhe me atë që ofrojnë shoqëritë e sigurimit në Shqipëri.
Sipas Ligjit për Sigurimet, ky lloj sigurimi mbulon përgjegjësinë për dëmet që mund t’i shkaktohen palëve të treta, si rezultat i përdorimit të mjetit motorik brenda territorit të Shqipërisë.
Kur ju jeni fajtor për shkaktimin e një dëmi, polica juaj TPL nuk e mbulon dëmin e kryer në makinën tuaj.
Për të qenë tërësisht të mbrojtur, shoqëritë e sigurimit (vetëm ato që operojnë në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës) ju ofrojnë edhe sigurimin KASKO, që mund të jetë i thjeshtë ose i plotë (full KASKO).
Me këtë sigurim mbulohen dëmet që mund t’i shkaktohen automjetit nga rreziqe të tilla si: përplasja me një mjet tjetër, djegia ose shpërthimi, vjedhja, dëmtimi sipërfaqësor, fenomenet e natyrës etj.,
(me kushtin që përdoruesi nuk është fajtor apo shkaktar i avarisë). Se çfarë do të përfshihet në sigurimin KASKO të automjetit përcaktohet nga ju dhe më pas analizohet
edhe nga shoqëria ku do të bëni këtë siguracion që është i vlefshëm për një vit. Po le të njihemi me atë që ofrojnë shoqëritë e sigurimit në lidhje me siguracionin e detyrueshëm motorik dhe full KASKO.
Profili
Për t’u njohur me atë që ofron tregu, ne përcaktuam llojin e makinës që kemi në pronësi. Zgjodhëm të kishim një automjet të markës Mercedez Benz, C-Class, me kapacitet motorik 2,500 kubikë, me naftë dhe me vit prodhimi 2002.
Në varësi të këtyre të dhënave do të përcaktohet në çdo rast edhe çmimi i policës së sigurimit.
Sigurimi i detyrueshëm motorik
Sigurimi TPL është i detyrueshëm për t’u kryer. Për të marrë këtë lloj sigurimi, agjenti i sigurimeve do t’ju kërkojë vetëm lejen e qarkullimit dhe lejen e drejtimit, për të parë të dhënat mbi mjetin,
si kapacitetin motorik dhe të dhënat e domosdoshme të regjistrimit të policës. Modeli i makinës që ne kemi zgjedhur e ka kapacitetin motorik 2,500 cc.
Tarifa e këtij siguracioni është e njëjtë në të gjitha shoqëritë e sigurimit që e ofrojnë si produkt. Për makinën tonë, për një vit, kjo vlerë llogaritet në 14,600 lekë.
“Interalbanian” ishte e vetmja shoqëri me një ofertë të veçantë, të kufizuar në kohë dhe për klientë të caktuar. Agjenti i saj na ofroi 10% ulje, pra mund të përfitonim shumën 13,500 lekë.
Sigurim KASKO
Kontrata e sigurimit ndaj palëve të treta (TPL) nuk ju mbron nga gjithçka. Prandaj, mund të kërkojmë për më shumë. Morëm informacion se sigurimi KASKO ishte zgjidhja jonë.
Shoqëritë e sigurimit e ofrojnë të thjeshtë ose të plotë (full). Për shoferet femra, kjo e fundit është zgjidhja e duhur, pasi të mbron nga gjithçka.
Ndaj vendosëm të pyesnim se sa duhet të paguajmë për një sigurim full KASKO për makinën tonë. U njohëm me ofertat, nëpërmjet telefonit,
pasi përcaktimi i tarifës së këtij sigurimi është i lidhur me disa kritere, si vlera e makinës dhe viti i prodhimit. Ne e përcaktuam vlerën e makinës në 10,000 euro (vitit i prodhimit 2002).
Ne iu thamë shoqërive të sigurimit se kërkonim informacion për të krijuar një ide të përafërt se sa do të na kushtonte.
“Sigal”: Kjo shoqëri na njohu me vlerën e siguracionit KASKO, të thjeshtë e që u llogarit në rreth 300 euro, pasi për të dhënë tarifën për sigurimin “full” ishte e nevojshme që të paraqiteshim pranë zyrave të saj.
“Sigma”: Nëse do të bënim siguracionin full KASKO pranë kësaj kompanie, në bazë të të dhënave të makinës sonë, do të na kushtonte 480 euro.
“Albsig”: Kjo shoqëri nuk na njohu me tarifën e këtij sigurimi nëpërmjet telefonit, me pretendimin se kjo duhet të ishte pjesë e një diskutimi ballë për ballë mes dy palëve.
“Atlantik”: Pasi e njohëm agjentin e shitjes me detajet e makinës sonë, na përllogariti si tarifë vjetore për këtë sigurim vlerën 300 euro.
“Eurosig”: Kompania na njohu me ofertën e saj për sigurimin full KASKO, me vlerën 420 euro, pas përllogaritjes së koeficientëve.
“Interalbanian”: Agjenti i kësaj shoqërie na bëri me dije se nuk mbulohej me siguracion full KASKO një makinë e prodhuar më parë se pesëvjeçari i fundit.
Në rastin tonë, ne mund të përfitonim siguracion të pjesshëm KASKO (që nuk përfshinte rastet e vjedhjes) me vlerë 228 euro.
Çfarë kërkohet
Për të bërë sigurimin KASKO, ju duhet të paraqiteni pranë zyrave të shoqërisë së sigurimit së bashku me makinën tuaj, pasi agjentët do ta fotografojnë dhe do ta kontrollojnë. Me vete duhet të keni lejen e qarkullimit, atë të drejtimit.
Kujdes!
Vlerës së sigurimit KASKO do t’i shtohet edhe sigurimi i detyrueshëm motorik
Pasaporta e makinës
Marka: Mercedes Benz, Klasi C
Fuqia motorike: 2,500 kubikë
Viti i prodhimit: 2002
Vlera: 10,000
Karburanti: Naftë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.