Vera është afër dhe duhet që ta keni trupin në formë për pushime? Puna në zyrë është bërë e vështirë dhe e lodhshme dhe ndieni se çdo ditë, fiziku juaj nuk po ju përgjigjet si duhet?
Dëshironi pa tjetër që të “hyni” te fustani që keni blerë në internet, për dasmën e shoqes suaj më të mirë? Atëherë një zgjidhje vërtet efikase është palestra dhe aerobia.
Në Tiranë ka mbi 30 qendra moderne që ofrojnë shërbime fitnesi. Përveç ushtrimeve fizike të drejtuara nga instruktorët, në këto qendra gjeni edhe shërbime shtesë, si sauna, masazhe, hidromasazhe.
Për klientët e rregullt, një pjesë e tyre i ofrojnë falas, ndërsa të tjerë aplikojnë pagesa shtesë. Duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e asaj që bën vërtet për ju dhe t’i besoni përvojës së profesionistëve.
Salla me pajisje force gjen në çdo cep të lagjes, madje me çmime shumë të lira (pa dashur të paragjykojmë), por është e udhës që të ndiqni një stërvitje të kuruar deri në detaje e që t’iu japë rezultate.
Çfarë të zgjidhni
Ju jeni një menaxher rreth të 40-ave, keni filluar të vini bark, nuk ecni pothuajse fare në këmbë, pasi për shkak të natyrës së punës duhet të udhëtoni gjithmonë me makinë, keni filluar të ndjeni dhembje shpine dhe orët e gjata për para kompjuterit po ju lodhin shumë.
Vrapi nga Kodrat e Liqenit nuk do të ishte ide e keqe, madje nuk ka as kosto, por ndoshta kjo duhet alternuar edhe me ushtrime fizike. Atëherë ju duhet një palestër,
mundësisht me instruktor me përvojë, pasi nuk është qëllimi që ta bëni trupin sikur do të konkurroni për “body building”.
Nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion mund të gjeni një palestër afër shtëpisë, në të kundërt, mund të zgjeroni hapësirën e kërkimit. Në varësi të kohës do të hartohet edhe plani juaj i stërvitjes, por edhe çmimi.
Në pjesën më të madhe, qendrat profesionale operojnë me pajtime mujore, por edhe njëvjeçare. Pagesat mujore fillojnë zakonisht nga 3,000 lekë e deri në 12,000 lekë. Në Tiranë nuk mungojnë edhe palestrat që kushtojnë 600 euro në vit.
Koha e qëndrimit është përcaktuesi kryesor. Ju mund ta frekuentoni një herë në javë, një orë, apo tre deri në pesë herë në javë – kjo mbetet në mundësitë dhe dëshirën tuaj.
Mund ta menaxhoni kohën në mënyrë të tillë që në palestër të shkoni edhe me partneren tuaj.
Pothuajse në çdo qendër fitnesi mund të ushtrohet edhe aerobi. Kjo përgatitje preferohet kryesisht nga femrat. Çdo javë mund të alternoni aerobinë me veglat e forcës, për të vënë bazat e muskujve,
si për të vazhduar më tej me rrumbullakosjen më të madhe të tyre, por përse jo edhe me disa seanca vallëzim.
Çmimet luhaten nga 3,500-4,000 lekë në muaj. Pagesa mund të rritet nëse do të përdorni edhe shërbimet si: sauna, masazhe, hidromasazhe. Madje në Tiranë ka edhe palestra të dedikuara vetëm për zonjat.
Dy herë në javë, për një muaj frekuentim, kushton 4,000 lekë, ndërsa abonimi njëvjeçar, gjashtë herë në javë kushton 48,000 lekë. Në çdo zgjedhje aerobia dhe sauna ofrohen falas.
Seancat stërvitore zgjasin mesatarisht nga 60 deri në 90 minuta sipas programit të propozuar nga instruktorët.
Programi që bën për ju
Aktiviteti fizik duhet të jetë çdo ditë pjesë e jetës sonë, në të kundërt shumë shpejt do të përballemi me shqetësime të pakëndshme të shëndetit. Instruktorët këshillojnë që përpara se sa të nisë aktiviteti fizik duhet të bëhet matja e peshës,
të kontrollohen rrahjet e zemrës dhe të matet tensioni dhe të shikohet tonifikimi muskulor, në mënyrë që të përcaktohet programi sipas ngarkesës. Stërvitja do të përshtatet jo vetëm me strukturën fizike, por edhe me gjenden tuaj psikologjike.
Gjatë gjithë kohës do të jeni në vëzhgimin e instruktorëve, të cilët do ta vënë theksin tek ushtrimet që janë më të domosdoshme dhe më efikase për ju. Stërvitja, zakonisht i kapërcen kufijtë e një aktiviteti të thjeshtë fizik.
Në çdo seancë do të bëni ushtrime që kanë si synim të shmangin përshtatjen e muskujve me punë rutinë, pa rezultate. Seancat e aerobisë apo të fitnesit kombinohen edhe me stretching, joga, ushtrime sinergjie, balance e pliometrie.
Pjesë e stërvitjes suaj mund të jenë edhe seancat e vallëzimit sportiv, kjo për pasurimin e bagazhit tuaj të lëvizjes.
Në qendrat e fitnesit ju mund të trajnoni problemet e mbipeshës, stresin, problemet muskulore apo sedentare. Instruktorët thonë se njerëzit që vuajnë nga mbipesha trajtohen në sektorin e kardios.
Mjetet kryesore të stërvitjes për ta janë pista, urbitreku (stepi) dhe biçikleta. Këto zbatohen në çdo seancë. Për të ulur stresin do t’ju duhet të djersini shumë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të çlironi energjinë negative që është grumbulluar gjatë ditës.
Për personat me probleme sedentare, puna fillohet nga sektori i kardios, biçikleta nuk rekomandohet. Me kalimin e kësaj faze nisin edhe programet e tonifikimit muskulor.
Për ata që kanë probleme muskulore, stërvitja do të bëhet sipas rekomandimeve të fizioterapistit dhe instruktorit. Pastaj bëhet alternimi në sektorin e kardios dhe të fitnesit në mënyrë që të arrihet tonifikimi e më pas gjendja normale fizike.
Në Tiranë, qendra fitnesi mund të gjeni edhe në mjediset e brendshme të hoteleve luksoze, në qendrat e mëdha sportive, tregtare etj. Zgjedhja është e juaja!
Nga udhëhiqen konsumatorët
Një hetim i ndërmarrë së fundmi nga Kolegji Amerikan i Sporteve dhe Mjekësisë, një nga organizatat më të mëdha në botë që i dedikohet kërkimeve sportive,
ka hedhur dritë mbi nevojat e frekuentuesve të qendrave të fitnesit, duke nxjerrë në pah faktorët kryesorë mbi të cilët shumë persona zgjedhin një qendër në vend të një tjetre.
Përfundimet janë arritur pas anketimit të 2,600 profesionistëve në të gjithë botën, si instruktorë, mjekë, sportistë, përgatitës atletësh etj. Profesionalizimi i instruktorëve dhe mundësia për të ndërtuar një program stërvitor,
që do të mundësonte ndërtimin e një baze trupore të fortë dhe në harmoni, duke mbajtur nën kontroll peshën e trupit dhe strukturën personale trupore janë dy faktorët kryesorë. Përgatitja e personelit teknik asociohet me sigurinë dhe efikasitetin e ushtrimeve.
Në vendin e tretë të këtij klasifikimi renditet oferta që i propozohet moshave të treta, për shkak të faktit që popullsia po shkon gjithnjë e më shumë drejt plakjes.
Mes kërkesave më të dallueshme është edhe ajo për humbjen e kilogramëve ose për uljen e mbipeshës, si dhe stërvitja që fokusohet më shumë te muskujt e barkut (core training), të gjoksit dhe të shpinës, me qëllim që të rritet stabiliteti dhe aktiviteti.
Dhimbja e shpinës është gjithashtu një arsye që dikton nevojën, duke qenë se është një nga shqetësimet shëndetësore më të përhapura sot.
Palestra ideale (?!)
Zgjedhja e palestrës ideale mund të rezultojë vërtet e vështirë, por mund t’ia lehtësoni vetes barrën, duke vlerësuar këto çështje:
– Kohën në dispozicion
– Tipin e aktivitetit që do të ushtroni
– Aspektin ekonomik
Shifra
60-90 minuta në ditë duhet të stërviteni në palestër
1 kg në javë mund të humbasë në peshë një person që stërvitet të paktën tri herë në javë.
18:00 – 20:00 orari më i frekuentuar
3,000 – 12,000 lekë kushton mesatarisht një muaj frekuentim
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.