Gra, ende nuk e keni vendosur si do ta festoni 8 Marsin, ngjarjen më femërore të vitit, kushtuar ekskluzivisht të gjithave ju?
Nuk ka vend për panik. Jeni në kohë për të prenotuar dhe për t’u “arratisur” me mikeshat tuaja. Mjafton të zgjidhni se ku do të shkoni, por më parë bëni një bilanc të vogël. Mos harroni, burrat tregohen dorëlëshuar në këtë ditë…
Ditët e acarta tashmë i kemi lënë pas dhe agjencitë e udhëtimit kanë gati ofertat për t’ju dhuruar një udhëtim ndryshe.
Nëse keni menduar të kaloni kufijtë, atëherë ne ju vijmë në ndihmë me një guidë destinacionesh.
Mund të jetë një fundjavë e gjatë? Përse jo. Nga Berlini në Kopenhagën, Stokholm, Amsterdam, Romë, Madrid, Dublin, Selanik, por edhe në Dubai,
aty ku dielli shkëlqen dhe ku do të harroni ditët e ftohta të dimrit. Vizita nëpër muze, ushqim të shijshëm, dyqane me vitrina joshëse që ju ftojnë për të bërë pazar.
Nuk do të keni kohë të mërziteni. Në pothuajse të gjitha qytetet e rëndësishme të Europës (që aderojnë në iniciativën “Gruaja në art”), ofrohen vizita falas në muze, vende arkeologjike, arkiva shtetërorë. Mos e humbisni këtë mundësi.
Agjencitë e udhëtimit kanë menduar paketa udhëtimi edhe përtej datës së 7 apo 8 marsit. Por, nëse keni në dispozicion vetëm pak ditë, atëherë duhet të zgjidhni destinacione të afërta, siç janë ato në vendet fqinje si Mali i Zi apo Maqedonia.
Hotelet në këto vende ofrojnë në paketë edhe shërbime relaksi. Me mikeshat tuaja mund të zgjidhni ta kaloni ditën në qendrat e kujdesit të trupit, ku mund të bëni trajtime me ujë me trëndafil, qumësht e mjaltë.
Mund të bëni shëtitje të gjata në ajër të pastër, të drekoni në restorant apo të njiheni me historinë e ndonjë vendi me vlera të veçanta arkeologjike.
Nëse keni dëshirë të largoheni në destinacione më të largëta, agjencitë e udhëtimit ju propozojnë edhe Parisin, Brukselin, Mynihun etj. Mund të viheni në kërkim të aventurës, si në një film.
Atëherë mund të merrni në konsideratë gjetje me të vërtetë origjinale. Si thoni për disa udhëtime, duke e marrë shtysën nga filmat “femërorë” më të famshëm të të gjitha kohërave. Në faqen e internetit “hotels.com” do të gjeni një guidë vërtet emocionuese.
Kjo faqe ju propozon ta nisni udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si në filmin “Thelma e Louise”, ose mund të bëni një udhëtim moskokëçarës dhe argëtues në Nju Jork, si vajzat e “Sex and the city”.
Mund të jeni si Julia Roberts në filmin “Ha, Lutu, Dashuro”, duke zgjedhur Indinë, Italinë apo Indonezinë. Ose ndoshta mund të bëni një udhëtim nënë e bijë në Greqi, për të zbuluar kënaqësitë antike,
si në filmin “Mamma mia”, me Meryl Streep. Atëherë, urime dhe udhëtim të mbarë!
Në valixhe …
Ajo që është më e rëndësishmja është që të mos humbisni sensin origjinal të kësaj feste. Për të manifestuar solidaritetin mjafton pak. Në çantën tuaj të udhëtimit nuk mund të mungojë simboli i kësaj feste,
që është lulja e mimozës, mund ta keni në një byzylyk ose në një parfum.
Ka shumë që pyesin se cila duhet të jetë veshja e duhur për atë ditë. Duke shpresuar se ato ditë udhëtimi do të jenë të ngrohta, mos merrni me vete shumë veshje të trasha, si palltot e rënda apo peliçet.
Bëni pjesë të gardërobës suaj të udhëtimit veshje me ngjyra të gjalla.
Tendencat e reja, duke filluar nga veshjet te këpucët, këtë vit flasin për kontraste të tipit “shikoj-nuk shikoj!”. Ndoshta është rasti që ta përvetësoni që tani këtë propozim që ju vjen nga stilistët për koleksionin pranverë-verë.
Ngjyra e verdhë nuk duhet të mungojë në valixhen tuaj, për të qenë në harmoni me simbolin e festës. Nëse veshja juaj do të jetë e zezë apo blu për darkën e 8 Marsit, vendosni në të një karficë të verdhë
(asnjë më mirë se një mimozë).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.