Qytetarët e Kosovës çdo ditë e më shumë po heqin dorë nga shtetësia e tyre. Numri i qytetarëve që po vendosin të heqin dorë nga pasaporta kosovare është duke u rritur.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë treguar se afërsisht çdo muaj nga 400 persona aplikojnë për t’u liruar nga shtetësia kosovare.
“Gjatë këtij viti, gjithsej 2027 persona kanë aplikuar për t’u liruar nga shtetësia”, kanë thënë në MPB.
Në këtë institucion thonë se vetëm 184 persona kanë aplikuar për të fituar shtetësinë e Kosovës.
Sondazhi i fundit i Gallup, i cili është kryer në 152 shtete të botës, ka nxjerrë Shqipërinë në vendin e katërt, si shteti me 60 për qind të popullatës (rinisë) që duan të largohen nga vendi, e ndjekur nga Kosova me 46 për qind.
Kurse, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme vetëm gjatë vitit 2018 kërkesën për lirim nga shtetësia e Kosovës e kanë paraqitur 5578 qytetarë, ndërsa lirimi u është pranuar 5464 personave.
“Nga gjithsej 5464 persona, numri më i madh i atyre që kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës, vjen nga shtetasit e Kosovës që jetojnë në Gjermani me 4719 vetë. Ndërsa vetëm 237 tjerë kanë pranuar shtetësi të vendeve të tjera”.
Numri i përgjithshëm i mërgimtarëve në diasporë llogaritet të jetë rreth 700 mijë në shtetet e BE-së dhe ShBA.
“Nëse flasim për numër, mund të konsiderohet si shqetësim, por duke pasur parasysh rrethanat e proceseve si shtet, atëherë një numër prej rreth 700 mijë personave apo më tepër që i kemi në shteteve e Bashkimit Evropian, nuk e di se si të përgjigjem”.
Mosha mesatare e personave që kanë hequr shtetësinë e Kosovës është e re. Ndryshe, Republika e Kosovës lejon dy e më tepër shtetësi, ndërsa Shqipëria jo më shumë se dy shtetësi.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.