Mikrofinanca u përball me pasojat më të ndjeshme të krizës së COVID-19 krahasuar me sistemin bankar. Ngrirja e kësteve të kredisë i vendosi një pjesë të institucioneve në sprovë likuiditeti, në vështirësi për të përballuar kostot operative dhe për të mbështetur vijimin e aktivitetit kreditues. Megjithëse punojnë në terrenin më të vështirë financiar, duke shërbyer klientët më të vegjël, më informalë dhe më pak të edukuar financiarisht, përfaqësuesit e sektorit shprehen se as qeveria nuk e kupton shumë kontributin e këtij sektori në ekonomi.
Ersuin Shehu
68% e kërkesave në regjistrin e kredisë, që administrohet nga Banka e Shqipërisë, vijnë prej institucioneve të mikrofinancës. Kjo e dhënë, në vetvete, është domethënëse për të treguar peshën që kanë fituar këto institucione, për t’iu përgjigjur kërkesës për financim nga mikrobizneset, fermerët dhe individët.
Ndonëse në volume ato zënë një pjesë të vogël të kredisë për ekonominë (jo më shumë se 5%), ato i shërbejnë një numri të madh klientësh, rreth 200 mijë, sipas Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare (AMA). Ç’është më e rëndësishme, bëhet fjalë për kategorinë më të brishtë dhe më të vështirë për t’u financuar, që zakonisht nuk gjen mbështetje te sektori bankar.
Por, pavarësisht se ka marrë përsipër të bëjë punën më të vështirë duke financuar pjesën më informale dhe të brishtë të ekonomisë shqiptare, puna e këtij sektori njihet pak, qoftë edhe nga qeveria. Drejtuesit e bizneseve shprehen se gjetën pak mbështetje lidhur me problemet që iu krijoi kriza e pandemisë, sidomos në drejtim të mbështetjes me linja financimi për të adresuar nevojat e krijuara për likuiditet.
Më shumë se një e treta u përballën me probleme likuiditeti
Vala e parë e infeksionit të COVID-19 solli probleme të konsiderueshme për sektorin e mikrokredisë në vend. Të dhënat nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare treguan se rreth 38% e kompanive të anketuara raportuan probleme serioze likuiditeti, të shkaktuara nga shtyrja pothuajse tremujore e kësteve të kredisë.
Pasojat u ndien sidomos tek institucionet më të reja në treg, që nuk kishin pasur mundësi të krijonin rezerva të përshtatshme në vite për t’u përballur me bllokimin disamujor të pagesave të kësteve. Përballë kësaj situate, institucionet në fjalë u detyruan të bllokonin disbursimin e kredive të reja dhe të shkurtonin vende pune. Disa prej tyre raportojnë ulje të numrit të punonjësve me 38% krahasuar me periudhën e parakrizës. Gjithashtu, shumica e kompanive vendosën ulje të pagave mujore, në një nivel që arriti deri në 30%.
Sipas të dhënave për institucionet financiare anëtare të AMA, moratoriumi i kredive, i vendosur në muajin mars, çoi në shtyrjen e kredive që përbënin rreth një të tretën e volumit total. Numri i kredive të shtyra arriti në më shumë se 39 mijë, ndërsa vlera e tyre, në afërsisht 76 milionë euro.
Institucionet e mikrokredisë parashikojnë se do të duhet rreth një vit për të pasur rimëkëmbje të plotë të kërkesës për kredi nga bizneset. Anketimi tregoi se kërkesa për kredi pranë institucioneve anëtare pësoi një rënie të ndjeshme me 56% për periudhën mes marsit dhe majit, gjatë së cilës ekonomia u vendos nën masat e mbylljes.
Brunilda Isaj, sekretare e përgjithshme e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, thotë se, sektori i mikrofinancave u godit nga pandemia, kryesisht si pasojë e goditjes së marrë nga bizneset e vogla, ndërmarrjet e vogla dhe individët e punësuar.
“Ndërprerja e papritur e veprimtarisë së biznesit në vend dhe bllokimi masiv që zgjati gati tre muaj ngriu të ardhurat e mijëra e mijëra bizneseve dhe individëve, me kërkesën që u ul në nivele historike dhe ripagimet të ngrira nën një moratorium të mandatuar. Ky efekt vazhdon, duke pasur parasysh ritmin e lartë të mbylljes së bizneseve të vogla për shkak të të ardhurave shumë të ulëta dhe mospërballimit të kostove të biznesit.
“Megjithatë, shumica e sfidave u kaluan me një menaxhim të kujdesshëm të likuiditetit, mbajtjes së komunikimit të ngushtë me klientët dhe mbështetjen e tyre në këto kohë të vështira, si dhe punës së palodhur të stafit për të siguruar vijimësinë e ofrimit të shërbimeve dhe produkteve në të gjitha kanalet e mundshme” – thotë zj.Isaj.
Pas hapjes së ekonomisë, institucionet e mikrofinancës raportojnë që kërkesat e reja për kredi janë rritur në mënyrë të ndjeshme krahasuar me periudhën e mbylljes. Kjo fillimisht për faktin që aplikimet për kredi të reja ishin grumbulluar për shkak të pamundësisë së lëvizjes dhe më pas, si rezultat i nevojës për të rigjallëruar aktivitetin e mikrondërmarrjeve dhe individëve.
Aksesi në financime është bërë më i vështirë
Gjatë periudhës së mbylljes, dhe më pas, një pjesë e institucioneve kanë dizenjuar produkte kredie për t’ju përgjigjur situatës, me këste të ulëta fillimisht, që më pas rriten progresivisht, ose me periudha pa pagesë principali. Megjithatë, zj.Isaj thekson se kriteret e kreditimit janë shtrënguar disi, kryesisht për shkak të mungesës së likuiditetit shkaktuar nga vonesat në ripagime të lidhura me moratoriumin e kredive.
“Vihet re një rritje e përdorimit të platformave dixhitale, një trend i kuptueshëm, duke pasur parasysh kushtet e distancimit fizik. Institucionet anëtare raportojnë se puna me klientët është modifikuar, duke pasur parasysh që, në kushte normale, puna me klientët më shumë zhvillohet në ambientet e tyre të biznesit. Vizitat janë reduktuar vetëm për ato raste kur kjo është e pashmangshme, dhe nën masa të rrepta protokollesh të sigurisë shëndetësore.
Megjithatë, institucionet e mikrofinancës vijojnë aktivitetin e tyre dhe inkurajojnë klientët që të përdorin produktet dhe shërbimet e tyre. Në këtë fazë të vështirë për bizneset dhe individët, dera e mikrofinancës duhet të mbetet e hapur për të gjithë individët, bizneset dhe fermerët, që kanë nevojë të kenë akses në mikrofinancë” – shprehet ajo.
Gjatë periudhës së mbylljes, një pjesë e vogël e institucioneve raportuan vështirësi në lidhje me raportin e kërkuar të likuiditetit. Por këto vështirësi u kapërcyen, kryesisht si pasojë e negociatave me kreditorët dhe gjithashtu, edhe me mbështetjen e strukturave aksionere nëpërmjet injektimeve të kapitalit. Ndryshe nga bankat dhe pjesërisht SHKK-të, shumica e institucioneve të mikrofinancës nuk mund të mbështeten në depozita, ndaj në kushtet e një mjedisi ekonomik të përkeqësuar, sigurimi i linjave të financimit mund të bëhet një faktor serioz frenues.
“Duhet theksuar që aksesi në burime të reja, ose në shtesë të burimeve ekzistuese të financimit, është bërë mjaft sfidues, qoftë nga sektori bankar, ashtu edhe nga investitorë të jashtëm, të cilët janë duke riparë strategjitë e tyre të investimit në këtë kohë me pasiguri të lartë. Këto përpjekje nuk patën mbështetje as nga shteti, duke pasur parasysh që institucionet e mikrofinancës nuk patën akses në skemën e dytë të Garancisë Sovrane, jo vetëm sepse për to nuk u dizenjua një produkt specifik, por edhe për faktin që kushtet e saj (p.sh., mbulimi me fonde likuide deri në 40% të garancisë) nuk ishin të realizueshme për ato institucione të interesuara” – shprehet ajo
Megjithatë, ajo shprehet se AMA, por edhe anëtarët individualisht, po trokasin tek institucione financiare ndërkombëtare për gjetjen e instrumenteve të përshtatshme për të garantuar linja të financimit për mikrofinancën, në mënyrë që qasja në financa e klientëve të sektorit të vijojë normalisht dhe të garantojë vijimësinë normale të kreditimit.
Gjithashtu, disa institucione po marrin në konsideratë edhe pjesëmarrjen në tregjet e kapitalit, duke vijuar në mënyrë më aktive hedhjen në treg të instrumenteve financiare të borxhit, si obligacionet afatmesme, të cilat ofrojnë kthim mjaft të kënaqshëm për investitorët nën një rrezik të moderuar.
“Aksesi në likuiditet mbetet një ndër sfidat e vazhdueshme të sektorit. Kjo nënkupton financimin e drejtpërdrejtë, borxhin e varur ose instrumente të tjera të likuiditetit, që sigurojnë para shtesë të cilat shkojnë drejtpërdrejt në ekonomi, nëpërmjet politikës së ndërmarrjes së rrezikut nga institucionet e mikrofinancës. Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet garantimit të financimeve nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, duke qenë që Qeveria Shqiptare nuk e ka përfshirë mikrofinancën në skemat tashmë aktive të garantimit të financimeve të bizneseve” – thotë ajo.
Një sfidë tjetër për sektorin financiar, që u bë më e prekshme pas pandemisë, është niveli i dixhitalizimit, i cili nuk mundëson ende një cikël të plotë të kredidhënies online pa praninë e domosdoshme fizike të klientit. AMA vlerëson se, përveç saktësimit të kuadrit ligjor dhe harmonizimit të kuadrit rregullator, duhet që infrastruktura e përgjithshme e ofrimit të shërbimeve të pagesave të nisë të operojë plotësisht në kanale dixhitale.
Institucionet financiare jo banka, 67 miliardë lekë asete
Aktualisht, shifrat zyrtare nuk japin informacion të veçantë për kompanitë e mikrofinancës, por statistikat e tyre janë të përfshira te treguesit e Institucioneve Financiare Jobanka (IFJB) që licencohen nga Banka e Shqipërisë. Shifrat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë i takojnë fundit të tremujorit të parë, ndaj ato e prekin në mënyrë të pjesshme kohështrirjen e pandemisë së COVID-19. Megjithatë, duke pasur parasysh ngrirjen e shlyerjes së kredive dhe rënien drastike të kreditimit, vlerësohet se madhësia e sektorit, por edhe cilësia e portofolit nuk ka pësuar ndryshime të mëdha, as gjatë tremujorit të dytë.
Në fund të tremujorit të parë, sistemi financiar përmbante 30 IFJB me një total aktivesh prej 67 miliardë lekësh. Totali i aktiveve të këtyre institucioneve u rrit me 22% krahasuar me një vit më parë. Pjesa më e madhe e këtij segmenti të sistemit financiar përbëhet nga IFJB-të që kryejnë aktivitet kreditues në segmentin e mikrofinancës, ndjekur nga ato që kryejnë pagesa dhe transferta. Rreth 70% e kapitalit aksioner të këtyre subjekteve është kapital vendas. IFJB-të janë më aktive në financimin me hua të aktiviteteve të shërbimit (rreth 28%) dhe tregtisë me shumicë dhe pakicë (16%). IFJB-të e mbyllën tremujorin e parë 2020 me një rezultat financiar pozitiv (rreth 0.7 miliard lekë) dhe më të lartë krahasuar me një vit më parë.
Cilësia e portofolit të kredisë shënoi rënie të lehtë, pasi raporti i kredive me probleme në fund të tremujorit të parë të vitit 2020 arriti në 10.2% nga 10% dhe 9% një tremujor dhe një vit më parë. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, kapitalizimi i veprimtarisë së këtyre subjekteve vijon të mbetet në nivele të kënaqshme.
Ndërkohë, të dhënat e bilancit të Shoqërive të Kursim-Kreditit (SHKK) janë të disponueshme deri në mesin e këtij viti. Në fund të qershorit, totali i aktiveve të SHKK-ve arriti në 11.5 miliardë lekë, në rritje me 2.7% që nga fillimi i vitit dhe 10.6% krahasuar me një vit më parë.
Kreditë neto për anëtarët dhe investimet në banka përfaqësojnë zërat kryesorë të aktiveve të këtyre institucioneve. Sektori që ka tërhequr pjesën më të madhe të financimit nga veprimet me anëtarët është sektori i bujqësisë, ndjekur nga sektori i shërbimeve. Portofoli i kredisë së SHKK-ve ka vlerën e 8.1 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 6.6%. Aktualisht, tregu numëron 14 Shoqëri Kursim-Krediti dhe një Union.
Sekretarja e përgjithshme e AMA shprehet se sektori i mikrofinancës paraqitet i mirëkapitalizuar dhe në gjendje të përballojë edhe humbjet e përllogaritura sipas skenarëve konservativë, neutralë dhe optimistë të menaxhimit të rrezikut të kredisë. Sipas saj, këtë e dëshmojnë edhe indikatorët financiarë të tremujorit të dytë, ku shumica e institucioneve janë në përputhje me standardet rregullatore të aplikuara në normalitet.
“Treguesit e kredive me probleme mbeten të stabilizuar, pa treguar ende ndonjë përkeqësim të dukshëm. Këtu përfshijmë edhe portofolat e ristrukturuar dhe kreditë e shtyra, nën moratoriumin e kredive apo edhe më pas. Megjithatë, të gjithë institucionet qëndrojnë të vetëdijshme se zgjatja në kohë e pandemisë përtej kufijve të pritshëm do të këtë efekt negativ në cilësinë e portofolit të kredisë, nën trysninë e rritjes së papunësisë dhe mbylljes së aktiviteteve private me karakter familjar. Nën këto pritshmëri, ata kanë mobilizuar dhe do të mobilizojnë kapitale shtesë, nëse do të nevojitet, për të përballuar krizën” – shprehet ajo.
Megjithatë, sfidat e mikrofinancës janë të lidhura me ato të mikrondërmarrjeve, fermerëve dhe konsumatorëve individë, të cilët janë duke përballuar vështirësi të ndjeshme financiare për shkak të ngadalësimit ekonomik dhe krizës që po kalojmë.
“Niveli i lartë i pasigurisë, ulja e të ardhurave, rritja e papunësisë dhe mungesa e investimeve janë probleme me të cilat përballet ekonomia jonë e brishtë çdo ditë. Sektori i mikrofinancës do të japë kontributin e vet të vazhdueshëm në drejtim të përballimit të këtyre problematikave, në mbështetje të mbi 200 mijë klientëve të saj, që ata ta përballojnë sa më mirë të munden këtë krizë të fortë globale”, thotë zj.Isaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.