Shërbimi i komunikimeve të lëvizshme është gjithnjë e më i orientuar tek interneti. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) treguan se konsumi mesatar mujor i internetit në tremujorin e dytë u rrit me 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mbyllja e ekonomisë dhe kufizimet e lëvizjes që u shtrinë në pjesën më të madhe të tremujorit të dytë duket se kanë nxitur më shumë rritjen e përdorimit të internetit nga individët.
Kjo duket se ka sjellë gjallërim edhe në trafikun e thirrjeve zanore nga rrjetet celulare. Pas disa tremujorësh në rënie, përdorimi mesatar mujor i thirrjeve u rrit me 8.7% krahasuar me tremujorin e parë, duke ngelur gjithsesi në rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Kufizimi i lëvizjeve ndërkufitare mund të jetë gjithashtu një tjetër faktor që e ka ndikuar përkohësisht tregun, duke ulur edhe më shumë numrin e përdoruesve aktivë (të shprehura si karta SIM aktive), por edhe volumin total të thirrjeve nga rrjetet celulare.
Ulja e numrit të përdoruesve aktivë është një tendencë afatgjatë, që nisi në momentin kur AKEP ndaloi diferencimin e tarifave për thirrjet hyrëse dhe dalëse. Prej atëherë, shumica e përdoruesve nuk kishin më nevojë të mbanin disa karta SIM, për të folur brenda rrjeteve përkatëse.
Përtej ndikimit të faktorëve kalimtarë, të dhënat dëshmojnë se rritja e tregut tashmë është zhvendosur në shërbimet e internetit. Aparatet smartphone kanë bërë që shumica e përdoruesve të lundrojnë në internet nëpërmjet telefonit, ndërsa aplikacionet e komunikimit si Whatsapp ose Viber kanë zëvendësuar masivisht mesazhet e shkruara, por pjesërisht edhe thirrjet zanore.
Kjo po rrit nevojën për investime dhe kapacitete transmetuese të internetit me brez të gjerë përmes këtyre rrjeteve. AKEP ka planifikuar që në muajin shtator të tenderojë brezat e parë të frekuencave për teknologjinë 5G. Zgjerimi në gjeneratën 5G megjithatë shtron edhe probleme të eficiencës dhe konkurrencës në treg.
Në vitet e fundit, vetëm operatori me fuqi dominuese në tregun e pakicës, Vodafone Albania, ka arritur të ruajë në vijimësi rezultat financiar pozitiv. Mungesa e fitimeve mund të kufizojë ndjeshëm mundësitë për investime të operatorëve të tjerë në frekuenca dhe teknologji, çka në afatin e gjatë do të çonte në forcimin e operatorit dominant dhe në çmime më të larta për përdoruesit. Në dy tenderët e fundit për frekuenca 4G të zhvilluara në vitet 2018 dhe 2019 (në brezin 800 Mhz), vetëm dy nga tre operatorët paraqitën oferta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.