Përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët pësoi përsëri rënie në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), trafiku i thirrjeve dalëse u tkurr me 14.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i mesazheve të shkruara pësoi rënie me 20.7%, madje edhe trafiku total i internetit nga rrjetet celulare u tkurr lehtë me 2%.
Çdo abonent e përdori mesatarisht celularin për 135 minuta në muaj, 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i mesazheve të shkruara zbriti në 13 për përdorues në muaj, 24.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konsumi mesatar i internetit zbriti në 7.63 GB (gigabyte) internet në muaj, në rritje me 1.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, rënia vjetore e trafikut të komunikimit duket se i detyrohet pjesërisht uljes së numrit të operatorëve celularë, pas bashkimit mes ONE dhe Albtelecom, por edhe një riklasifikimi që operatori One Albania ka bërë në trafikun e internetit të shërbimit të saj HomeNet.
Nga fillimi i 2023, One Albania e ka rikategorizuar trafikun e këtij shërbim si broadband fiks, sipas udhëzimeve të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU).
Ecuria e trafikut nga rrjetet celulare paraqitet ndërkohë në rritje krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Trafiku i thirrjeve u rrit me 8.5%, i SMS-ve me 8.1% dhe i internetit me 17%. Vlerësohet se turizmi ka pasur një efekt të konsiderueshëm në rritjen tremujore të treguesve të komunikimit.
Megjithatë, tendencat e afatgjata të përdorimit të shërbimeve celulare tashmë dëshmojnë qartë një rënie të përdorimit të shërbimeve tradicionale të thirrjeve zanore dhe SMS dhe zëvendësimin e tyre me trafikun e të dhënave (internetin).
Ekspertët e shpjegojnë rënien e përdorimit të thirrjeve dhe SMS-ve nga celulari me zhvendosjen e tyre drejt aplikacioneve OTT (over the top) të lidhura me internetin. Thirrjet dhe mesazhet po përcillen më shumë nëpërmjet aplikacioneve, si whatsapp.
Edhe numri i përdoruesve të shërbimeve celulare (që në fakt matet si numër i kartave SIM/numrave celularë aktivë) shënoi rritje në tremujorin e dytë të vitit, me 5.4% më shumë krahasuar me një vit më parë dhe me 0.5% më shumë krahasuar me tremujorin e parë.
Pas bashkimit mes ONE dhe Albtelecom në operatorin e ri, One Albania, që nga fillimi i këtij viti, numri i operatorëve celularë në Shqipëri është reduktuar në dy, duke e rikthyer tregun në të njëjtën strukturë si në vitin 2008. Gjatë tremujorit të parë me strukturën e re duopol, Vodafone Albania ka fituar lehtësisht terren në ecurinë e numrit të përdoruesve aktivë.
Në mesin e këtij viti, Vodafone Albania, raportonte rritje vjetore me 12.2% në numrin e përdoruesve aktivë, ndërsa One Albania ka raportuar një rënie të lehtë me 0.3%. Sidoqoftë, One Albania vazhdon të kryesojë, me 51.2% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.