Përdorimi i të dhënave publike në kohë reale nga biznesi, projektligji për rregullimin shkon në Kuvend; Do nisë me transportin

16/10/2020 10:00 AM 0 komente

Publikimi i të dhënave nga institucionet shtetërore përfshirë edhe ato për sipërmarrjen do të rregullohen nëpërmjet një ligji dedikuar ripërdorimit të tyre në kohë reale nga bizneset dhe qytetarët.

Projektligji “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik” i miratuar nga Këshilli i Ministrave pritet të diskutohet në komisionet parlamentare.

Drafti synon krijimin e një kuadri ligjor për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik dhe sipërmarrjes. “Raste të dhënave të hapura zbatohen nga INSTAT, ASIG, portali opendata.gov.al i krijuar nga AKSHI, si praktika të mira administrative publike, por jo rrjedhojë e ndonjë kuadri rregullator të përgjithshëm në fuqi. Kjo gjendje rregullatore nuk garanton qëndrueshmërinë e pasjes së të dhënave publike në domen publik dhe ripërdorimit të tyre përmes mjeteve teknike të përshtatshme (ndërfaqet e programimit të zbatuar, API)”, shpjegohen në relacion arsyet e hartimit të projektligjit.

Kuadri i ri ligjor do të mundësojë ripërdorimin e të dhënave të ndërmarrjeve të ujit, energjetikes, transportit (publik, rrugor, ajror, dhe detar), shërbimeve postare dhe të dhënat e qendrave kërkimore. Përshtatja ndaj ndryshimeve teknologjike në fushën e menaxhimit dhe përdorimit të dhënave duke zbatuar gradualisht sistemet API për marrjen e të dhënave në kohë reale, parashikohet që për herë të parë të aplikohet në sektorin e transportit brenda 3 viteve nga miratimi i ligjit.

Sakaq, plotësimi i kuadrit rregullator në këtë drejtim është detyrim i vendit edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ndër të tjera, pritet që mundësitë e shtuara të ripërdorimit të këtij informacioni t’u lejojnë bizneseve të shfrytëzojnë potencialin e ripërdorimit e të japin kontribut për zhvillimin ekonomik dhe për hapjen e mbrojtjen e vendeve cilësore të punës.

Me zbatimin e kësaj politike qeveria synon që brenda 10 vitesh të rrisë 10% numrin e bizneseve që operojnë në fushën e Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikacionit (TIK). Biznese që veprojnë në fushën e  Informacionit  dhe  Komunikimit në  vitin  2019  sipas  INSTAT  ishin mbi  4,700 të regjistruar dhe nga këto 3,089  biznese aktive.

Miratimi i kuadrit ligjor për publikimin e të dhënave publike synon përmirësimin e tregut të brendshëm, krijimin e aplikacioneve të reja API dhe zhvillimin e ekonomisë së të dhënave.

Kostoja për krijimin e aplikacioneve API (aplikacione novatore) dhe të mirëmbajtjes të tyre për qeverinë do të llogaritet në kostot  administrative  të institucioneve  publike  që angazhohen  në ofrimin  e  të dhënave  të hapura. /Dorina Azo

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of