Të gjithë të dhënat e institucioneve që publikohen si pjesë e transparencës apo informimit mund të ripërdoren nga palë të treta në funksion të detyrave kërkimore, çështjeve private apo tregtare por pa ndonjë specifikim ligjor mbi mënyrën sesi veprohet.
Por një projektligj i fundit i nxjerrë për konsultim synon që të sanksionojë pikërisht këtë aspekt, që lidhet me ripërdorimin e të dhënave nga palët private ku përdorimi i dokumenteve do të duhet të bëhet me kërkesë të veçantë. Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se informacioni i sektorit publik përbën një burim të jashtëzakonshëm të dhënash që mund të japin kontribut për përmirësimin e tregut të brendshëm dhe për krijimin e aplikacioneve të reja dhe zhvillimin e ekonomisë së të dhënave.
“Objektivi kryesor i këtij projektligji, është krijimi i kuadrit ligjor për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik dhe sipërmarrjeve publike. Ndër të tjera, pritet që mundësitë e shtuara të ripërdorimit të këtij informacioni, t’u lejojnë bizneseve si dhe shoqërisë civile të shfrytëzojnë potencialin e ripërdorimit dhe të japin kontribut për zhvillimin ekonomik dhe për hapjen e mbrojtjen e vendeve cilësore të punës” thuhet në relacion.
Projektligji parashikon ndër të tjera të drejtën e çdo individi për të ripërdorur dokumente për qëllime tregtare ose jo por sanksionon edhe se institucionet nuk janë të detyruara që t’i përshtatin ato sipas nevojës së njëra apo tjetrës palë përveçse formatit origjinal të raportimit të tyre për qëllimin që shërbejnë. Në çdo rast personi që kërkon të drejtën e përdorimit të një dokumenti që është në listën e të dhënave të hapura do të duhet të paraqesë një kërkesë më shkrim pranë institucionit. Nëse ajo refuzohet atij do t’i jepen edhe arsyet e këtij refuzimi.
Ripërdormi i dokumenteve do të bëhet pa pagesë ndërkohë që ripërdorimi i dokumenteve mund të bëhet kundrejt një tarife, me qëllim për mbulimin e kostove shtesë për arsye të riprodhimit, ofrimit dhe shpërndarjes së dokumenteve si dhe për anonimizimin e të dhënave personale si dhe masat e marra për të mbrojtur konfidencialitetin tregtar.
Institucionet që bëjnë refuzim të publikimit të dokumenteve të hapura do të gjobiten me masa administrative. Po kështu mund të bëhen edhe ankesa pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.