Një prezantim i Institutit të Statistikave pranë Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara ka nxjerrë në pah përdoruesit më të mëdhenj të statistikave zyrtare sipas profilit të tyre. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri rekordin për përdorimin e statistikave e mbajnë studentët. Këtij profili i përputhen të paktën 32.9 për qind e përdoruesve që I janë përgjigjur anketës. Të dytët në listë janë kërkuesit shkencorë që në 2018-ën përbënin 22.5 për qind të përdoruesve ndërkohë që biznesi përbën 15.9 për qind të përdoruesve.
Politik bërësit në nivel qendror përbëjnë vetëm 6.4 për qind të përdoruesve të statistikave zyrtare një nivel ky që ka ardhur në rënie në raport me përdorimin nga I njëjti profil në vitin 2017 kur përbënin 9 për qind të përdoruesve. Organizatat jo qeveritare zënë 5.4 për qind të përdoruesve ndërsa media vetëm 4 për qind.
Të fundit në listën e përdoruesve të statistikave janë politikanët në nivel vendor që për nga profili i përgjigjen vetëm 0.7 për qind të përdoruesve në vitin 2018. Të tjera të dhëna të Institutit të Statistikave tregojnë se 59.1 për qind e përdoruesve janë femrat ndërsa 40.9 për qind meshkuj.
Sa i takon grup moshës të paktën 43 për qind e përdoruesve i përkasin grup moshës 21-30 vjeç. Qëllimet për të cilën kërkohet statistikat janë nga më të ndryshmet por referuar anketës të paktën 40.3 për qind kërkon të dhënat për arsye të ndryshme kërkimesh.
Interpretimi i statistikave sigurisht që kërkon edhe një përgatitje të mirë të atyre që i përdorin ato dhe 89.3 për qind kanë të paktën një diplomë universiteti. Në lidhje me periodicitetin e përdorimit të statistikave zyrtare rezulton se 27.2 për qind shohin për të dhëna çdo muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.