Përfaqësuesi special i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka qenë i qartë sot në kërkesën e tij. Ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Këtë kërkesë ai ua ka bërë një delegacion të Lidhjes Demokratike të Kosovës që i ka pritur në takim. Ndërkohë, dy subjektet politike që pritet ta krijojnë qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Përfaqësuesi special i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, sot ka pritur në takim një delegacion nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në takim kanë marrë pjesë Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Skënder Hyseni. Gjatë këtij takimi, atyre iu është kërkuar që të hiqet taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se gjatë bisedës, Ambasadori Grenell ka kërkuar nga delegacioni që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe.
“Ambasadori Grenell, po ashtu, kërkoi nga delegacioni që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të përqendrohet në politikat që thellojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë vende pune për popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
Ndryshe, që nga vendosja e taksës, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina u dëmtuan për qindra miliona euro. Kjo dëshmohet edhe në statistikat e importit.
Sipas Doganës, që nga vënia e taksës 100 për qind, vlera e importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka rënë në 6 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, importi ka rënë për 99 për qind.
“Deri tani kemi pasur import nga Serbia dhe Bosnja rreth 6 milionë euro pra rreth 3.3 nga Serbia dhe 2.7 nga Bosnja. Derisa vitin e kaluar kemi pasur 365 milionë import nga Serbia dhe rënia është 99%. Si rreth 65 milionë nga Bosnja ku rënia është 96%”, kanë thënë në Doganë.
Produktet që vinin nga këto dy shtete më herët, tash importohen nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria e Italia.
Ndërkohë, dy subjektet politike që pritet ta krijojnë qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është edhe kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të Kosovës, ka deklaruar se është i gatshëm dhe i interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, siç ka thënë ai, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011.
“Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri-tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.
Një masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës kishte zbatuar ndaj Serbisë në muajin korrik të vitit 2011, por vendimi ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar.
Edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët ka thënë se tarifa duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve reciproke me Serbinë, qoftë reciprocitet politik, por edhe ashtu ekonomik, dhe pastaj, sipas saj, Kosova do të insistonte që Serbia të mos e kushtëzojë uljen në tavolinën e Brukselit ose të Bashkimit Evropian me tarifën.
Ndryshe, para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.2 milion euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës së Kosovës. Ndërkaq, vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin ose edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës. /Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.