Partia Demokratike organizoi sot një tryezë për të diskutuar rreth problemeve me të cilat përballet biznesi i vogël dhe në veçanti propozimin për ndryshim të skemës së tatimit.
Gjatë diskutimeve të tyre në tryezën “Në mbështetje të biznesit të vogël kundër taksave të rritura”, të pranishmit theksuan se klima fiskale është e paqëndrueshme.
Albert Nasto, kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm tha se në nëntë vjet janë mbyllur 102 mijë biznese të vogla.
“Vetëm aksioni i vitit 2015 mbylli mbi 50 mijë subjekte, si pasojë e raprezaljes së organeve tatimorëve. Bizneset janë mbyllur pasi nuk janë përkrahur nga qeveria. Edhe në pandemi, kur bizneset ishin të mbyllura, paguan taksat e gjelbërimit dhe pastrimit. Biznese me aktivitet 20-vjeçar po falimentojnë. Shumë prej tyre po largohen nga vendi. Biznesi i vogël po dëmtohet nga rritja e çmimit të naftës, kostot e fiskalizimit, taksat, heqja e qeseve. Situata e biznesit të vogël është alarmante,” tha ai.
Kryetari i shoqatës për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Nikollaq Neranxi, shprehu shqetësimin se shumë shoqata dhe përfaqësi biznesi po blihen me favore nga qeveria.
“Si mund të flitet për konkurrëncë të ndërshme në këto kushte? Shumë shoqata biznesi janë blerë nga qeveria. Biznesi i madh është i pari që vuan nga kapja e mafies së shtetit. Biznesin po e nxjerr nga tregu mafia shtetërorë, pasi është e pamundur të konkurrosh biznesin e mbështetur nga qeveria. Një instrument është edhe fiskalizimi. Së shpejti, ky ligj do të dërgohet nga ne në Gjykatën Kushtetuese. Kërkojmë sensibilizim, reagim dhe zgjidhje të problemit,” tha ai.
Eksperti Klodian Muço shtoi tha se me draftin paraprak që është përgatitur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të vetëpunësuarit nga 100 lekë që do të arkëtojnë 60 lekë do tia kthejë shtetit mbrapsht.
Florion Mima, ekspert i çështjeve tatimore dhe ish-deputet i Partisë Demokratike, tha se misioni i biznesit të vogël është punësimi i të rinjve.
“Nëse realizohet skema e paralajmëruar e tatimit mbi të ardhurat e të vetëpunësuarve, atëherë kjo do të jetë një dramë. Nëse ia shet 50% të prodhimit tënd një subjekti të vetëm, ti klasifikikohesh si punësuar. Propozohet gjithashtu gjobë 200% për mosdeklarim. Kjo është arbitrare, gjoba nuk mund të jetë më e lartë se vlera e detyrimit.”
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha në fjalën e tij se qasja e qeverisë ndaj biznesit të vogël është armiqësore.
“Paketën fiskale të biznesit të vogël do ta hartoni ju, pasi është në interes të vendit. Ju jeni gjenerator punësimi. Jemi shumë larg vendeve të rajonit. Këtu çdo biznes paguan tre herë më shumë taksa se 8 vite më parë. Ky qëndrim armiqësor është politik. Nëse nuk vendosim t’i kundërvihemi me protesta, çdo vit gjendja do të jetë e vështirë për shoqërinë dhe biznesin”, u shpreh ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Komente