Performanca e fondeve të investimit po përmirësohet gradualisht në muajt e parë të vitit 2023.
Sipas të dhënave nga shoqëritë administruese, çmimi i kuotës është në rritje, ndërsa një pjesë e fondeve janë kthyer në territor pozitiv për sa i takon kthimit vjetor nga investimi.
Për muajin prill, fondi më i madh i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, raportoi një kthim vjetor pozitiv në masën 1.23%, ndërkohë që e pati mbyllur vitin 2022 me një kthim negativ në masën 4.07%.
Edhe fondi tjetër i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, raporton kthim vjetor pozitiv, në masën 1.02%, ndërkohë që e kishte mbyllur vitin 2022 me humbje vjetore në masën 8.82%.
Fondi Credins Premium ngelet në kthime negative, me -5.89%, por në përmirësim të lehtë nga niveli -6.77% i fundit të vitit të kaluar.
Fondi ABI EIA ofron aktualisht kthimin më të lartë mes fondeve në lekë, në nivelin 2.7%, nga -0.7% që e mbylli vitin e kaluar.
Fondi Alsig Standrad, sipas të dhënave më të fundit, raporton një kthim negativ në nivelin -1.36%, por edhe në këtë rast në përmirësim të ndjeshëm nga niveli -7.11% ku pati mbyllur vitin 2022.
Rritja e normave të interesit në emetimet e reja të instrumenteve të borxhit qeveritar po sjell gradualisht një përmirësim të performancës së fondeve të investimit në lekë, pas efektit të parë negativ që kjo rritje solli vitin e kaluar, duke ulur vlerën e drejtë të portofoleve ekzistuese.
Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e normave të interesit nga bankat qendrore u përcoll në rritje të yield-eve të instrumenteve financiarë. Kjo u përkthye në një zhvlerësim të shpejtë të aseteve të fondeve të investimit, që konsistojnë në pjesën më të madhe në tituj borxhi. Të gjitha fondet e investimit vitin e kaluar u përballën me rënie të kthimeve vjetore në territor negativ.
Sipas statistikave të AMF-së, asetete neto të këtyre fondeve (përjashtuar fondet e investimeve alternative) pësuan një rënie me pothuajse 47% gjatë vitit të kaluar. Në vlerë monetare, llogaritet se në harkun e një viti fondet e investimit humbën pothuajse 34 miliardë lekë ose pothuajse 300 milionë euro asete. Efektet negative të vitit të rritjes së shpejtë të interesave u shfaqën qartë edhe në tkurrjen e numrit të anëtarëve, që ra në më pak se 29 mijë, pothuajse 28% më pak krahasuar me një vit më parë. Në një vit, më shumë se 11 mijë shqiptarë zgjodhën të dilnin nga fondet e investimit. Kjo erdhi për shkak të rënies së kthimeve në vlera negative, por edhe si rezultat i joshjes nga rritja e fortë e yield-eve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare.
Të dhënat statistikore të tregut për tremujorin e parë të vitit 2023 nuk janë ende të disponueshme. Megjithatë, sipas burimeve nga tregu, gjendja është përmirësuar ndjeshëm dhe vlera e aseteve neto i është kthyer një rritjeje të lehtë, kryesisht falë përmirësimit të normave të kthimit./E.Sheu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.