Qeveria ka hapur garën për Drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pas mbarimit të mandatit të drejtorit në detyrë Ervin Koçi. Njoftimi është publikuar ditët e fundit në përgjigje të përfundimit të mandatit të Koçit me 24 dhjetor 2019 dhe të interesuarit kanë afat deri më 24 janar 2020 të paraqesin dokumentet pranë Kryeministrisë.
Koçi zevëndësoi në gjysëm të mandatit ish-drejtoreshën e shkarkuar nga Kuvendi Enkeleda Shehi dhe sipas ligjit “Për AMF-në” mund të rri në detyrë deri 3 muaj pas përfundimit të mandatit, pra deri më 24 mars 2020.
Në zbatim të nenit 6, të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave shpalli njoftimin për fillimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatit për anëtar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, pas emërimit nga Kuvendi.
Kriteret janë që kandidatën duhet të kenë përfunduar studimet universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të kenë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku: (a) financë-kontabilitet; (b) administrim i shoqërive tregtare; (c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare; (ç) hartim legjislacioni; (d) shkencë e aktuarëve ose (dh) sigurime shoqërore dhe pensione.
Sipas ligjit, nuk mund të jetë anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare personi, i cili në tri vitet e fundit ka qenë ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; ka lidhje familjare me ndonjë subjekt që është ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; dhe në tri vitet e fundit ka qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.
Kandidati për drejtor të AMF duhet të gëzojë integritet moral dhe professional dhe duhet të jetë i paangazhuar në funksione drejtuese partiake, kritere të diskutueshme për sa I përket zbatimit në raste kur në Bordin e AMF të sotëm ka persona partiakë deri në nivelin ish-deputet dhe ish-kryetar partie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.