Përfundon numërimi i votave në Kosovë: Vetëvendosje mbetet fituese e zgjedhjeve, me 25.49%

08/10/2019 4:03 PM 0 komente

Në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tanimë janë publikuar rezultatet e numërimit të votave 100 për qind. Nga numërimi i votave, pa përfshirë ato me kusht, nga diaspora dhe atyre me nevoja të veçanta, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 202 mijë e 968 vota, apo 25,49 për qind.

Tashmë ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta në të gjitha vendvotimet në Kosovë. Kjo është bërë përmes web faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Në bazë të publikimit të këtyre të dhënave Lëvizja Vetëvendosje deri më  tani ka 202 mijë e 968 vota apo 25.49 për qind.

Më pas është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka marrë 197 mijë e 702 vota apo 24.82 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e treta e cila ka arritur që t’i marrë 169 mijë e 211 vota apo 21.23 për qind.

Koalicioni AAK-PSD ka arritur që t’i marrë vetëm 92 mijë e 149 vota  apo 11.57 për qind.

Lista Serbe 52 mijë e 620 vota, apo 6.61 për qind

NISMA – AKR – PD, 39 mijë e 495 vota, 4.96 për qind.

Kujtojmë se kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, e ka shpallur Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve  të dielën. Ai ka thënë se partia e tij i marrë shumicën e votave të qytetarëve të Kosovës.

Kurti ka thënë se si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, e shpall fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit, në legjislaturën e shtatë.

“Kemi punuar shumë, jemi angazhuar gjatë mirëpo për gjithçka ja ka vlejtë, sepse çdo sakrificë ia vlen për popullin tonë të dashur. E kemi konsideruar obligim e detyrë tonë, e kjo do të shtohet për ta kthyer vendin në binarët e duhur”, ka thënë Kurti.

E Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, ka thënë se rezultati i sotëm tregon fitore të madhe të opozitës.

“Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor e në veçanti për pjesëmarrjen masive që rezultoi me largimin e partive që deri tani kanë keqqeverisur e me fitoren e madhe të opozitës. Dua të falënderoj në veçanti përkrahësit e LDK-së për mbështetjen e madhe e që na dhanë mundësinë që për vetëm një muaj ta ngrisim partinë tonë e ta rikthejmë fuqishëm. Për sonte pajtohemi që s’mund të shpallet fituesi meqenëse do të presim deri në numërimin e votës së fundit. Rezultati do të përcaktohet nga mërgata dhe votat me kusht siç duket”, ka deklaruar ajo.

“Natyrisht që do të presim rezultatin final, sepse siç e keni parë dallimi ishte herë te ne herë te na. Dallimi tani është 0.7 për qind dhe është i domosdoshëm numërimi i votave me kusht dhe mërgatës që mund ta bëjnë dallimin. Në fund do të respektojmë në tërësi vullnetin e sovranit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, LDK-ja është e hapur për të negociuar me VV-në për të qeverisur me vendin.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor./ Fatos Shala për Monitor.al

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of