Partia Socialiste do të drejtojë vendin edhe për një mandate të tretë qeverisjeje.
Kur ka përfunduar numerimi i kutive të votimit të zgjedhjeve të 25 prillit, Partia Socialiste ka arritur të marrë 48.81% të votave, që përkthehet në 74 mandate në Kuvend, nga 140 në total, duke fituar shumicën, përkundrejt 63 vota që ka marrë Partia Demokratike (59) dhe LSI (4) që ishin në koalicion kundër socialistëve.
Së bashku me tre mandatet e Partisë Social Demokrate, Partia Socialiste ngjitet në një shumicë prej 77 vendesh.
Sipas qarqeve, PS ka fituar 18 mandate në Tiranë, 8 në Durrës, 9 në Fier, 8 në Elbasan, 8 në Vlorë, 3 në Shkodër, 6 në Korçë, 5 në Berat, 3 në lezhë, 2 në Dibër, 3 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës.
Socialistët janë në avantazh në të gjitha qarqet, përveç Shkodrës, Lëzhës, Kukësit dhe Dibrës.
Partia Demokratike ka marrë 39.54% të votave, ose 59 mandate.
Sipas qarqeve, PD ka fituar 16 mandate në Tiranë, 6 në Durrës, 6 në Fier, 6 në Elbasan, 4 në Vlorë, 5 në Shkodër, 5 në Korçë, 2 në Berat, 4 në lezhë, 4 në Dibër, 1 në Gjirokastër dhe 2 në Kukës.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shënuar rënie këto zgjedhje, duke marrë 6.83% të votave, ose vetëm 4 mandate, nga të cilat 2 në Tiranë, një në Fier dhe një në Shkodër.
Surpriza ishte Partia Social Demokrate, që mori 2.25% të vota, e përkthyer në tre mandate, dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Kjo parti, e cila udhëhiqej nga Tom Doshi ( i sulmuar nga Ambasada Amerikane), që dha dorëheqjen me përfundimin e zgjedhjeve, ka deklaruar se do të bashkëpunojë me socialistët.
Qeveria e re pritet që të krijohet në muajin shtator.
Partitë e vogla
Partitë e vogla nuk arritën të merrnin asnjë mandat, duke treguar për dominancën e lartë të partive tradicionale dhe mosbesimin e njerëzve për të votuar alternativa të reja.
Gjithsesi, Nisma Thurje, një parti e re, që synonte të konkurronte të mëdhenjtë me “thurjen e shpresës” arriti të marrë në përballjen e saj të parë gati 10 mijë vota, por që nuk prodhojnë asnjë mandat.
Bojken Abazi, që kandidoi si i pavarur, por i mbështetur nga lëvizja vetëvendosje, që erdhi në pushtet së fundmi në Kosovë, mori gati 3 mijë vota. Ai u ankua se një pjesë e konsiderueshme e votave të tij u nxorrën të pavlefshme nga komisionerët e partive të mëdha.
Pjesëmarrje e ulët
Rreth 3.59 milionë persona kishin të drejtën e votimit në zgjedhjet e Kuvendit 2021, por vetëm rreth 60% e tyre ndodhën në Shqipëri, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur paraprakisht se pjesëmarrja në votime ishte rreth 45.7%, më e ulëta që nga viti 1992, kur filluan zgjedhjet pluraliste.
Rënia e pjesëmarrjes lidhet dhe me numrin e lartë të emigrantëve që kanë ikur jashtë vendit vitet e fundit, ndërsa vlerësohet se rreth 80% e atyre që ndodheshin në territorin e Shqipërisë kanë votuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.