Qendra e Numërimit të Votave ka njoftuar se janë numëruar të gjitha votat e dërguara me postë. Duke marrë parasysh të gjitha votat e numëruara, fituesja e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosja, ka marrë 58 mandate në Kuvendin e Kosovës.
Është mbyllur zyrtarisht numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Pasi janë numëruar votat nga diaspora, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, KQZ do të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe më pas certifikimin e tyre.
Në bazë të këtyre të dhënave (rezultateve preliminare, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta) shpërndarja e mandateve do të jetë si më poshtë:
LVV – 58 deputetë
PDK – 19 deputetë
LDK – 15 deputetë
AAK – 8 deputetë
Lista Serbe – 10 deputetë
KDTP – 2 deputetë
IRDK – 1 deputet
Vakat – 1 deputet
PDAK – 1
NDS – 1
JGP- 1
NISMA, sipas rezultateve nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor.
Për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit i nevojitet një koalicion vetëm me partitë minoritare jo-serbe.
QNR ka njoftuar se në rezultatet e numërimit të votave me postë, VV ka marrë gjithsej 44252 vota, ndërkohë e dyta është PDK me 5321 vota, ndërsa LDK e treta me 4287 vota. AAK ka 1112 vota.
Ndërkohë që KQZ- ja ko njoftuar se nesër do të dalin të rezultatet përfundimtare edhe zyrtarisht.
“Në këto momente është përmbyllur edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës. KQZ-ja do të shpall të enjten rezultatet përfundimtare, në ditën e 18 pas ditës së zgjedhjeve, ashtu si më 2014 dhe 2017. Pavarësisht kësaj, kjo është një kohë rekord për faktin se si në asnjë proces tjetër, kësaj radhe janë rinumëruar më shumë vendvotime (564) dhe janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë vota të ardhura përmes postës”.
Por, pas shpalljes zyrtare të rezultateve nga KQZ-ja, partitë dhe kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pas PZAP-së, ankesa ata mund të bëhen edhe në Gjykatën Supreme.
E këto ankesa mund ta shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duke i hapur kështu rrugën konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja i certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit.
“106.1 KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha vërejtjet e dala që u përkasin votimit dhe numërimit janë vendosur nga Komisioni Zgjedhor për Parashtresat dhe Ankesat dhe nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Pas konstituimit të kuvendit, është në diskrecion të presidentit që të dekretojë kandidatin për kryeministër. Pas dekretimit, qeveria a e re duhet të votohet brenda 15 ditësh.
Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, LVV-ja, sipas projeksioneve aktuale, vështirë se do të mundet që e vetme të formojë qeverinë e re të vendit, pasi për të nevojiten 61 vota. Por, disa nga partitë e komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe, kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar./ Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.