Fuqizimi i SUV tregon se prodhuesit e makinave kanë bindur shumë klientë se një makinë më e madhe do të thotë njëkohësisht edhe një makinë më e mirë. Renault dhe Fiat Chrysler Automobiles (CEO i FCA-së, John Elkann, është gjithashtu pjesë e bordit të kompanisë mëmë të The Economist) shpresojnë të bindin investitorët se e njëjta gjë vlen edhe për prodhuesit e makinave.
Më 27 maj, FCA (Fiat Chrysler Automobiles), një firmë italiano-amerikane, deklaroi se kërkonte të bashkohej me homologun e saj francez, Renault, ku ky i fundit është vetë në një aleancë të ngushtë me Nissan dhe Mitsubish e Japonisë. Por, kjo ëndërr u shua shumë shpejt, ashtu siç në fakt i druheshin edhe shumë vetë, për shkak të një vendimi të marrë nga qeveria franceze për ta shtyrë realizmin e një marrëveshjeje të tillë për një moment të dytë.
Nëse një marrëveshje e tillë do të ishte realizuar, prej saj do të ishte krijuar një kolos automobilistik, shkruan The Economist. Së bashku, të dyja kompanitë shitën rreth 9 milionë makina vitin e kaluar dhe të ardhurat e tyre të kombinuara arritën vlerën 170 miliardë euro (190 miliardë dollarë), ku 10 miliardë euro ishin fitime operative.
Nëse kjo marrëveshje do të realizohej, do të ishte një trashëgimi e përpjekjeve të mëparshme të dy gjigantëve të ikur të prodhimit të makinave.
Sergio Marchionne, ish-shefi karizmatik i FCA-së, i cili vdiq vitin e kaluar, kishte bërë thirrje për konsolidimin e tregut masiv, sipas të cilit, fitimet e pakta janë pjesërisht rezultat i investimeve të dyfishta në teknologji të ngjashme, siç janë motorët, të cilat ndikojë shumë pak për të diferencuar markat e ndryshme. Personaliteti luftarak i Carlos Ghosn e ndihmoi atë që të ndërtonte dhe drejtonte aleancën franko-japoneze. Por, planet për dominimin botëror morën fund pas arrestimit të tij në Japoni vitin e kaluar, kundrejt akuzave për abuzime financiare ndaj Nissan (të cilat ai vazhdon t’i mohojë).
Z. Ghosn, ia kishte bërë edhe më parë ftesën FCA-së për t’u bashkuar me aleancën e tij. Si ai, ashtu edhe z. Marchionne padyshim që do ta kishin lakmuar fuqinë që do të krijonte një bashkim i tillë. Falë egos së shfrenuar të këtyre të dyve dhe stilit të negociatave të qarta, iu hap rruga bisedimeve të qytetëruara midis z. Elkann, të familjes Agnelli (themeluesja e Fiat) dhe Jean-Dominique Senard, i cili në janar të këtij viti mori në dorë drejtimin e Renault.
Edhe pse si z. Elkann ashtu edhe z. Senard ndajnë të njëjtin vizion me atë të z. Marchionne, një bashkim i tillë fatkeqësisht nuk u realizua, duke i hequr kështu mundësinë e firmave për të ulur kostot dhe për të ndarë së bashku shpenzimet e investimeve të pashmangshme dhe masive tek automjetet elektrike (EV), makinat me vetëdrejtim dhe shërbimet e tjera që përfshihen në këtë industri.
Parimisht, FCA dhe Renault dukeshin si partnerët idealë për të realizuar një bashkim të suksesshëm, i cili do të mbyllte boshllëqet në bizneset e secilit prej tyre, si gjeografikisht ashtu edhe në aspektin e produkteve. Fuqia dhe fitimet e FCA-së vijnë kryesisht nga Amerika ndërsa ato të Renault nga Europa. Modelet e lira të firmës franceze dhe ekspertiza në automjetet elektrike janë ajo çka u duhej kamionëve dhe markave luksoze të FCA-së, si Alfa Romeo dhe Maserati.
Fatkeqësisht, edhe një bashkim i tillë nuk arriti të sfidojë historinë e dështuar të megabashkimeve të prodhuesve të makinave por u bë pjesë e saj, ende pa filluar mirë. Këtu mund të përmendim edhe bashkimet e dështuara ndërmjet Daimler dhe Chrysler, BMW dhe Rover dhe çdo bashkim që lidhet me Ford-in.
Ëndrra e prerë në mes
Bashkimi i Fiat dhe Chrysler nuk arriti të shndërrohej në shembullin më të mirë, për të treguar se partneritete të tilla mund të funksiononin, sepse Fiat Chrysler Automobiles u tërhoq nga propozimi i saj për të krijuar një shkrirje prej 33 miliardë dollarësh me Renault të Francës, duke i dhënë fund kështu ëndrrës nga e cila do të krijohej prodhuesi i tretë më i madh në botë i makinave.
Menjëherë pasi një lajm i tillë u bë publik, aksionet e Renault ranë 7 për qind ndërsa ato të FCA-së me 3 për qind. Një ndër arsyet se përse FCA u tërhoq nga një marrëveshje e tillë është sepse sipas saj kushtet politike në Francë nuk janë aktualisht ato të duhurat për të bërë që një bashkim i tillë të këtë sukses edhe në të ardhmen, shkruan Financial Times.
Një vendimi i tillë erdhi pasi bordi i Renault për herë të dytë shtyu vendimin nëse do të përfshihej në këtë marrëveshje me të gjitha aksionet e tij, duke thënë se qeveria franceze, që është njëkohësisht edhe aksioneri më i madh i saj, me 15 për qind të aksioneve e kishte kërkuar një gjë të tillë. Pas më shumë se gjashtë orë diskutimesh në selinë qendrore të Renault në Paris, prodhuesi francez tha se nuk ishte në gjendje të merrte një vendim për shkak të kërkesës së shprehur nga përfaqësuesit e shtetit francez për të shtyrë vendimin për një moment të dytë.
Një person i brendshëm nga Renault tha se vendimi i FCA-së për të tërhequr propozimin ishte mëse i kuptueshëm duke pasur parasysh ngurrimin e qeverisë franceze për t’u angazhuar totalisht në një marrëveshje të tillë. Sipas tij, shteti francez, “vetëm e tërheq litarin, pa marrë parasysh se ai mund të këputet”. Për t’i parapritë të gjithave akuzave që mund të vijnë, Ministria Franceze e Financave tha në nëj deklaratë për shtyp se kishte punuar në mënyrë konstruktive me të gjithë aksionerët, dhe i vetmi element që kishte penguar realizimin e kësaj marrëveshje ishte mungesa e mbështetjes së qartë nga ana e Nissan-it.
FCA i komunikoi Renault se tërhiqej nga marrëveshja për t’u bashkuar me të, më pak se një orë pasi prodhuesi francez kishte komunikuar rezultatin e mbledhjes së bordit të tij. Aksionet e Nissanit të Japonisë, aksioneri i dytë më i madh në Renault, ranë me 3.6 për qind, në momentin që një njoftim i tillë u bë publik.
Propozimi për një “bashkim transformues” do të kishtë bërë që FCA dhe Renault të ishin aksionerë me 50 për qind të aksioneve secili, ndërkohë që shitjet e kombinuara të makinave në vit do të arrinin shifrën prej 8.7 milionë makinash, një shifër kjo më e lartë se ajo e General Motors, duke e renditur kështu këtë kompani të re në rast se ajo do të krijohej, në vend të tretë, si prodhuesi më i madh në botë pas Volkswagen dhe Toyota.
Disa njerëz të informuar për vendimin e bordit të Reanult, u shprehën se shteti francez dhe një përfaqësues i sindikatës ishin të vetmit anëtarë të bordit që nuk votuan për realizimin e marrëveshjes. Përfaqësuesit e Nissan abstenuan.
Disa anëtarë të kompanisë së Nissanit thanë se nuk ishin “jashtëzakonisht të habitur” nga vendimi i marrë nga FCA-ja, sidomos duke marrë në konsideratë sinjalet e kohëve të fundit. Kompania japoneze, e cila ka rreth 19 vite aleancë më kompaninë franceze, një periudhë relativisht shumë e gjatë, u shpreh se nëse një marrëveshje e tillë do të ishte realizuar, padyshim që do të shoqërohej edhe me mosmarrëveshje në vijim.
Qeveria franceze tha se ishte tronditur nga shpejtësia e vendimit të marrë nga FCA-ja, për t’u tërhequr nga ky bashkim. Ajo kishte kërkuar vetëm që një vendim i tillë të shtyhej për një moment të dytë, të paktën deri në një javë, duke i dhënë kështu mundësinë qeverisë franceze për të biseduar drejpërdrejt me përfaqsues të Nissanit. Sipas disa zyrtarëve të lartë francezë, Franca donte të sigurohej se edhe Nissani do të ishte dakord për një bashkim të tillë. Madje, Bruno Le Maire, Ministri francez i Financave, do të shkonte në Japoni në fillim të javës së ardhshme.
Ndërsa sipas disa personave të brendshëm të Nissanit, vendimi për të abstenuar ishte vetëm sepse kjo kompani kërkonte më shumë kohë dhe mendonte se vizita e Ministrit francez të Financave do të kishte ndikuar për të zgjidhur dhe qartësuar çdo dyshim që ata kishin në këtë drejtim, por vendimi i FCA-së për t’u tërhequr ishte jashtëzakonisht i shpejtë.
Ndërsa sipas FCA-së, një vendim i tillë nuk ishte aspak i nxituar dhe nxjerrja në lojë e Nissanit si shkaktari i prishjes së një marrëveshjeje të tillë është vetëm një justifikim. Qeveria franceze po përpiqet të fajësojë Nissanin, por për aq sa ne jemi në dijeni, problemi nuk kishte të bënte fare me kompaninë japoneze, u shpreh një person i afërt me CEO e FCA-së, John Elkann.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.