Përgatitjet për hapjen e spitalit COVID3 janë drejt përfundimit, ndërkohë janë rekrutuar 50 punonjës staf infermieror, të cilët po marrin eksperiencë në spitalin infektiv, për t’u përgatitur për një fluks të mundshëm të shtimit të rasteve.
“Jemi duke u përgatitur për të patur burime njërëzore të nevojshme për strukturën e spitalit COVID3, pra ish-kirurgjitë dhe për spitalin COVID4 që është në aksin Tiranë-Durrës. Ka filluar rekrutimi dhe trajnimi i stafit. QSUT-së i janë shtuar 50 punonjës, një pjesë tashmë janë rekturuar dhe një pjesë janë në rekrutim e sipër. Do të kryejnë dhe trajnimet e nevojshme dhe do të kombinohen me stafe të tjera me eksperiencë”, tha Manastirliu, gjatë inspektimit të spitalit COVID3.
Përveç vullnetarëve në listë për situatën e pandemisë do të aktivizohen të gjithë stazhierët e disa specialiteteve, duke i kombinuar me mjekë me eksperiencë nga shërbime të tjera, në shërbimet për pacientët COVID.
Ministrja deklaroi se po përgatitet plani i veprimit për vjeshtë-dimrin, bazuar mbi një strategji të qartë.
“Kemi një strategji të detajuar në raport me situatën që presim, pra për situatën e vjeshtë-dimrit. Dhe plani i detajuar, parashikon disa komponentë të rëndësishëm dhe fuqizimin e tyre. Duke filluar nga testimi, duke vijuar nga kapacitetet spitalore, duke vazhduar tek burimet njerëzore, të cilat janë aseti ynë më i çmuar. Ndaj jemi duke mundësuar që skuadrat e mjekëve dhe infermierëve të jenë të gatshëm që në momentin që do të duhet, t’I kemi gati dhe të jenë të trajnuar”, tha Manastirliu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.