Sasia e mbetjeve mjekësore që po gjenerohen si pasojë e pandemisë Covid-19 përbën një kërcënim për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Agjencia tha se pajisjet e përdorura mjekësore, për shembull gjilpërat, përbëjnë një rrezik për shëndetin, ndërsa rritja e mbetjeve plastike po vështirëson gjendjen e sistemeve të menaxhimit të mbetjeve.
Në raportin e saj, OBSH u bëri thirrje prodhuesve të përdorin më shumë materiale të biodegradueshme dhe paketime ekologjike që nuk dëmtojnë mjedisin.
Gjithashtu, raporti theksoi se kishte një “nevojë të madhe” në nivel global për të reformuar mënyrën se si depozitohen mbetjet.
Materialet që hidhen si mbeturina pas përdorimit përfshijnë: veshjet mbrojtëse, shiringat, dorezat, maskat për fytyrën dhe kompletet e testeve.
“Është absolutisht jetike që punonjësit e sistemit shëndetësor të kenë pajisjet e duhura mbrojtëse,” tha drejtori i emergjencave në OBSH, Michael Ryan, pas publikimit të raportit të martën. “Por është gjithashtu jetike të sigurohemi që këto pajisje të mund të përdoren në mënyrë të sigurtë, pa ndikuar në mjedisin përreth.”
Raporti prej 71 faqesh i OBSH-së zbuloi se pjesa më e madhe e 1.5 miliardë pajisjeve mjekësore që u shpërndanë nga OKB-ja në muajt e parë të pandemisë, përfunduan si mbeturina, të barabarta me peshën e 262,000 avionëve Jumbo Jet.
Dorezat njëpërdorimshme ndikuan te rritja e sasisë së mbetjeve më shumë se çdo pajisje tjetër mjekësore e prokuruar përmes sistemit të OKB-së, thuhet në raport.
Udhëzimi i vetë OBSH-së nuk rekomandon që punonjësve të kujdesit shëndetësor t’u kërkohet të mbajnë doreza gjatë aplikimit të vaksinës Covid-19, pavarësisht se kjo është një praktikë e zakonshme në shumë vende.
Në një studim të cituar nga raporti, u vlerësua se 3.4 miliardë maska njëpërdorimshme hidheshin çdo ditë përgjatë vitit 2020, në mbarë botën.
Për shkak se shumica e maskave janë të prodhuara nga plastika, ato mund të ndosin edhe tokën edhe ujin, veçanërisht në vendet me sisteme më pak të zhvilluara të menaxhimit të mbetjeve.
Më shumë se gjysma e qendrave të kujdesit shëndetësor në vendet më të varfra nuk janë në gjendje të trajtojnë në mënyrë të sigurtë mbetjet e tyre, zbuloi raporti i OBSH-së.
Tetë miliardë vaksinat e para të Covid-it që janë administruar në rang global, gjeneruan plot 144,000 ton mbetje nga shiringat dhe gjilpërat e përdorura. Këto mbetje mund të dëmtojnë shëndetin e vetë punonjësve të kujdesit shëndetësor, nëse nuk asgjësohen me kujdes.
Raporti theksoi gjithashtu disa mënyra kreative për ripërdorimin e qëndrueshëm të mbetjeve mjekësore. Duke iu referuar një shembulli në Australi, nëpërmjet maskave të përdoura të fytyrës, studiuesit arritën të krijonin një material për ndërtimin e rrugëve, duke i copëtuar maskat dhe duke i tharë ato në temperatura të larta./BBC