Përgjysmohet kredia e re në maj

29/06/2020 12:00 PM 0 komente

Bizneset nuk po rrezikojnë që të marrin kredi, ndonëse janë në një situatë të vështirë me likuiditetet. Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se huaja e re në lekë, në muajin maj, ishte 6.7 miliardë lekë, duke u përgjysmuar në raport me muajin prill, kur huadhënia e re arriti në 12.6 miliardë lekë, e nxituar dhe nga përdorimi i fondit të garancisë për pagat.

Por, maji e ka kthyer tendencën, teksa dhe garancia e dytë për likuiditet nuk po zgjidhet nga bizneset. Ministria e Financave bëri të ditur se kërkesa për kredi nga ky fond garancie ishte 2 miliardë lekë, nga të cilat 400 milionë lekë janë akorduar, nga 16 miliardë lekë i totali i fondit, që garantohet 60% nga shteti.

Huaja më e preferuar në maj ka qenë deri në 6 muaj dhe 1-3 vjet.

Ndërkohë dhe huadhënia në euro ka qenë e ulët. Në maj, kredia e re në monedhën europiane ishte 32 milionë euro, në nivele të ngjashme, që nga marsi, duke shënuar ritmet më të ulëta mujore që nga 2015-a, kur raportohen të dhënat.

Edhe individët nuk po marrin hua. Në mars-maj, huaja e re për individët ishte 64% më e ulët në raport me mesataren mujore të 2019-s.

Stoku i kredisë për ekonominë arriti në 582 miliardë lekë, në fund të muajit maj, ose 4.7 miliardë euro, duke shënuar rritje të lehtë në raport me muajin e mëparshëm. Por, ky zgjerim ka ardhur si efekt i ristrukturimit të kredive, çka nënkupton se bizneset e individët nuk po kthejnë huatë. Ristrukturimi ishte fillimisht për tre muaj dhe tashmë është shtyrë edhe tre muajt të tjerë, deri në fund të gushtit.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se janë ristrukturuar rreth 2 miliardë euro hua, ose gati 43% e totalit të huasë së dhënë në ekonomi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of