Përgjysmohet kredia e re për ekonominë në mars

30/04/2020 12:30 PM 0 komente

Muaji mars, në gjysmën e të cilit ekonomia pothuajse u paralizua nga masat për frenimin e infeksionit të Covod-19, ka shënuar një rënie të ndjeshme të kredisë së re.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, huaja e re e dhënë në lekë ishte 6.4 miliardë lekë, që është sa gjysma e mesatares mujore të kredisë së re të dhënë përgjatë vitit 2019. Ndërsa në raport me shkurtin, huaja ka rënë me 35%.

Më e thellë ka qenë tkurrja e kreditimit në euro. Sipas statistikave të bankës, në mars u dhanë 32 milionë euro kredi në monedhën e përbashkët, që është niveli më i ulët mujor i raportuar që nga viti 2015, kur banka e publikon këtë lloj treguesi. Në krahasim me mesataren mujore të 2019, huaja në euro rezulton sërish e përgjysmuar.

Stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit mars arriti në 597 miliardë lekë, ose rreth 4.8 miliardë euro. Kjo është shuma që është marrë hua në banka nga bizneset dhe individët dhe që është gjendje (pra do të duhet të kthehet gradualisht sipas planeve të pagesës). Rreth 49% e saj është në valutë.

Në raport me shkurtin, stoku i huasë është rritur me 3.2%, ose 18 miliardë lekë. Por, teksa huaja e re ka qenë në tkurrje, kjo rritje e stokut  ka ardhur si rrjedhojë e mospagesave të kësteve për huatë ekzistuese. Pas shpërthimit të Covid19, banka e Shqipërisë miratoi disa rregullore dhe nxorri një udhëzim për qytetarët dhe bizneset, që mundësonin riskedulimin e kësteve të kredisë me subjektet kredimarrëse. Efekt ka dhënë për kredinë në valutë dhe forcimi i euros në mars (teksa të dhënat raportohen në lekë). Kursi mesatar i këmbimit të euros në mars ishte 124 lekë, nga 122 në muajin e mëparshëm, ndërsa në fund të marsit arriti deri në 131 lekë.

Qytetarët dhe bizneset, gjendja financiare e të cilëve është ndikuar negativisht nga situata e krijuar nga Covid-19 dhe njëkohësisht janë klientë kredimarrës në banka ose subjekte financiare jobanka, kishin mundësi të aplikonin për procesin e riskedulimit të kësteve të kredisë pranë këtyre subjekteve.

Stoku i kredisë ka shënuar një rritje të ndjeshme në mars për valutën, me rreth 7%, në një tregues indirekt që moskthimet më të mëdha kanë qenë kryesisht për huanë që ishte marrë në euro. Rritja e stokut të kredisë në valutë është ndikuar dhe nga forcimi i euros në muajin mars.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of