Përjashtimet nga taksat e disa sektorëve i kushtuan arkës së shtetit këtë vit mbi 18 miliardë lekë ose 137 milionë euro, sipas një analizë që ka bërë Ministria e Financave.
Më shumë se 94 për qind të kësaj vlere e zënë përjashtimet nga TVSH-ja me mbi 17 miliardë lekë.
Përjashtimet e taksave, konsiderohen humbje nga të ardhurat fiskale të parashikuara në legjislacionin fiskal në fuqi, si rezultat i lehtësirave fiskale ose normave preferenciale të vendosura për kategori të caktuara taksapaguesish ose aktivitetesh.
Ne total janë identifikuar për TVSH-në, 78 përjashtime, ku ndër këto 35 përjashtime të veprimtarive me interes të përgjithshëm, 42 përjashtime në import dhe 2 përjashtime të tjera.
Për TVSH-në në import janë identifikuar 23 përjashtime në vlerën 1,856 milion lekë dhe 19 përjashtime janë përcaktuar si përjashtime me vlerën 10,728 milion lekë.
Për TVSH-në brenda vendit janë llogaritur shërbimet financiare dhe ndërmjetësime të tjera financiare, me vlerën 5.6 miliard lekë. Ndërkohë sipas sektorëve është llogaritur si shpenzim takash me vlerën 6.8 miliard lekë.
Bazuar në Ligjin e të Ardhurave Personale janë identifikuar 13 përjashtime në të ardhurat personale dhe 10 përjashtime nga tatimi mbi fitimin e korporatës, në vlerën 303 milion lekë.
Në ligjin mbi akcizën, janë identifikuar 16 përjashtime nga akciza. Në Kodin Doganor, janë identifikuar 34 përjashtime nga taksat doganore.
Vitin e ardhshëm fatura e përjashtimeve do të rritet edhe më shumë për shkak se qeveria në paketën fiskale të vitit 2018 ka vendosur të përjashtojë nga Tatimi mbi Fitimin dhe taksat lolake hotelet me 5 yje dhe gjithashtu uli nivelin e TVSH-së nga 20 % në 6 për qind për zinxhirin e furnizimit në hotele.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.