Përjashtimet tatimore që qeveria ka lëshuar ndaj disa linjave të biznesit për të incentivuar zhvillimin e tyre kanë arritur vlerën e 81 miliardë lekëve ose rreth (650 milionë euro) gjatë vitit 2020, raportoi Ministria e Financave.
Kjo shumë është sa 19 për qind e totalit te të ardhurave dhe 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një pjesë e këtyre përjashtimeve pritet të hiqen në paketën e re fiskale tre vjeçare që qeveria do ta çojë së shpejti në Kuvend.
Me ekspertizën e Fondit Monetar Ndërkombëtar qeveria për herë të parë do të miratojë një paketë fiskale tre vjeçare. Nga heqja e përjashtimeve qeveria pritet të rrisë të ardhurat tatimore mbi 3.1 për qind vitin që vjen.
Shpenzimet tatimore, apo “tax expenditures” konsiderohen humbje nga të ardhurat fiskale të parashikuara në legjislacionin fiskal në fuqi, si rezultat i lehtësirave fiskale ose normave preferenciale të vendosura për kategori të caktuara tatimpaguesish ose aktivitetesh.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, pjesa dërrmuese e shpenzimeve tatimore e zënë përjashtimet e TVSH-së dhe diferenca e mbetur si shpenzim tatimor nga Akciza dhe Tatimi mbi Fitimin.
Përjashtimin e TVSH-së raportohen 77.6 miliardë lekë në fund të vitit 2020, duke zënë 95.7% të përjashtimeve tatimore dhe ose 18.3 për qind te totalit te të ardhurave.
Përjashtimet nga akciza kapën vlerën 1 miliardë lekë ose 0.2% e totalit te të ardhurave dhe përjashtimet nga Tatimi mbi Fitimin arritën vlerën e 2,5 miliardë lekëve në fund të vitit 2020 dhe zunë 0.6% të totalit te të ardhurave.
Shpenzimet tatimore që vijnë nga Tatimi mbi Fitimin, llogariten me supozimin që në vitin 2020 tatimpaguesit të mos paguajnë 5% por 15% mbi fitimin e tatueshëm, të gjithë subjektet me xhiro vjetore nën 8 milionë lekë.
Ndërsa shpenzimet tatimore që vijnë nga TVSH-së u llogariten për secilën nga 35 llojet e aktiviteteve për pjesën e aktivitetet që tatohet me normën standarde, normën e reduktuar dhe përjashtimin.
FMN propozoi krijimin e një sistemi fiskal të thjeshtë dhe pa përjashtime tatimore, pasi këto bëhen shkak për evazion dhe shmangie fiskale. Sektorët me të ardhurat më të mëdha të falura janë administrata publike, shërbimet e pasurive të patundshme, shërbimet arsimore dhe shërbimet e shëndetit njerëzor përkatësisht 0.84, 0.74, 0.71, dhe 0.64% e PBB-së.
FMN kërkon heqjen e përjashtimeve të TVSH për agroturizmin, ilaçeve, hoteleve, të disa lloj importesh etj. Gjithashtu kërkon që të aplikohet vetëm një prag akcize si për prodhuesit e vegjël ashtu, edhe ata të mëdhenj.
FMN lajmëron se, nëse nuk hiqen këto pragje, projekti i fiskalizimit nuk do të japë rendimentin që pritet.
Përvoja ndërkombëtare tregon se ndërtimi është shumë i ndjeshëm ndaj mashtrimit të TVSH-së, përgjatë zinxhirit të furnizimit të nënkontraktuesve. Gjithashtu, kërkohet të vihen prita ligjore për të parandaluar skemat mashtruese të TVSH, duke zgjeruar gamën e palëve që duhen penalizuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.