Të paktën 5140 tituj ekzekutivë janë ekzekutuar në periudhën janar-gusht 2019 nga përmbarimi gjyqësor. Në një analizë të përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë thuhet së për të njëjtën periudhë ishte planifikuar që titujt ekzekutivë që do të çoheshin deri në hallkën e fundit nga përmbarimi ishin 6 mijë, çka bën që realizimi të jetë disi më i ulët se parashikimi.
“Janë parashikuar 3 produkte për periudhën aktuale, “Ekzekutimi i titujve ekzekutivë”, “Menaxhimi i shërbimit përmbarimor gjyqësor” dhe “Ekzekutimi për çdo urdhër mbrojtje”. Produkti i parë është realizuar mesatarisht, janë ekzekutuar 5,140 tituj ekzekutivë gjatë periudhës 8-mujore, kundrejt 6,000 tituj ekzekutivë të planifikuar.
Produkti i dytë është realizuar plotësisht sipas parashikimit dhe për produktin e tretë kanë ardhur për ekzekutim 283 urdhra mbrojtjeje, kundrejt 300 urdhra të planifikuar për 8-mujorin e parë. Planifikimi për këtë produkt bëhet i përafërt, pasi sasia e tyre varet nga urdhrat që dërgon gjykata” thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo e fundit ka sqaruar edhe mënyrën sesi janë shpenzuar fondet në zërin e përmbarimit gjyqësor duke vënë theksin tek fakti se vijon ende të ketë vakanca të konsiderueshme.
Kështu sipas raportit shpenzimet e personelit nuk janë në nivelin që ishin parashikuar për shkak se ende mbeten vende të paplotësuara me staf. “Realizimi 81.5 % në shpenzimet e personelit vjen si rezultat i 8 vendeve vakante gjatë periudhës 8-mujore në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor, ndërsa për sa i përket shpenzimeve operative, janë realizuar 44% diferenca i përket shpenzimeve operative për blerje kancelarie , materiale për pajisje zyre (tonera), shpenzime për blerje karburanti , prokurime që kryhen nga Ministria e Punëve të Brendshme, për të cilat nuk është lidhur akoma kontrata , të gjitha këto shpenzime do të kryhen në vazhdimësi nga institucioni. Ky fond do të realizohet deri në fund të vitit 2019” thuhet në dokument.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.