Pandemia ngadalësoi procesin për titujt ekzekutivë nga ana e përmbaruesve gjyqësorë dhe gjatë vitit të shkuar kjo u paraqit me një nivel realizimi më pak sesa plani por duket se efektet kanë vazhduar edhe këtë vit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë në raportet e monitorimit tregojnë për një realizim 68 për qind të këtij programi nga ana e përmbaruesve gjyqësorë.
Sipas ministrisë realizimi i shpenzimeve të personelit në janar-prill ishte në masën 80,6 %, në Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor, kurse i atyre operative në masën 48,8%, vjen për shkak të vijimit të procedurës së blerjeve të përqendruara,
“Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor për vitin 2021 ka parashikuar të realizojë 4 produkte. Produkti “Tituj Ekzekutivë që kanë marrë zgjidhje ligjore” është realizuar rreth 68%, ose nga 4,381 tituj ekzekutive të parashikuar, janë ekzekutuar 2,977. Produkti “Urdhra mbrojtje të regjistruar” është realizuar rreth 226%, ose nga 120 urdhra mbrojtje të parashikuar, janë realizuar 271, kjo për shkak të shtimit të rasteve të cilët përfitojnë urdhër mbrojtje nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor. Produkti “Administratë Funksionale” është realizuar sipas parashikimit.
Për 4-mujorin e parë të vitit 2021, fondet buxhetore për shpenzimet kapitale projekti “Blerje pajisje elektronike”, janë në fazën e identifikimit të nevojave dhe dërgimit të tyre pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për prokurimin e pajisjeve brenda vitit. Programi Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor, për periudhën raportuese nuk ka detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi” thuhet në raportin e monitorimit.
I njëjti dokument i ministrisë paraqet ecurinë edhe në disa aspekte të tjera të cilat mbulohen nga institucionet varësi dhe të tilla janë si Shërbimi i Provës, Publikimet zyrtare. Kthimi dhe Kompensimi i pronave tek ish-pronarët, Birësimet apo ndihma juridike.
Në total për Ministrinë e Drejtësisë, për 4-mujorin e parë të vitit 2021, fondet janë realizuar 68%. Referuar kësaj të ndara me zëra shpenzimet e personelit janë realizuar në masën rreth 97 Shpenzimet operative janë realizuar në masën 85% dhe vjen si rezultat i procedurave të prokurimit të cilat kanë nisur por nuk janë finalizuar akoma. Në Sistemin e Burgjeve nuk është likuiduar ende blerja e ushqimeve dhe karburantit. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë në proces prokurimi blerja e reagentëve. Shpenzimet e mirëmbajtjes janë në proces prokurimi për të gjithë programet, të cilat do të realizohen në periudhën në vijim.
Shpenzimet kapitale nga ana tjetër , janë realizuar në masën 20 %, kundrejt planit të periudhës. “Blerjet e pajisjeve elektronike, pajisje për Kontrollin dhe Monitorimin Elektronik dhe Sisteme sigurie për Kontrollin dhe Monitorimin Elektronik, janë në proces prokurimi nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit” sqaron ministria./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.