Moskthimi në kohë i kredive në banka dhe paaftësia paguese e bizneseve ndaj njëra-tjetrës dhe e shtetit ndaj tyre ka prodhuar një bum sekuestrosh pas krizës financiare të vitit 2008. Teksa bizneset e përmbarimit janë duke përjetuar një periudhë të artë në aktivitetin e tyre, ato janë gjithashtu skaneri i dobësive që po shfaq ekonomia dhe sektorë të veçantë të saj Borxhlinjtë jokorrektë, ndërtuesit, individët për faturat e energjisë dhe qeveria
Blerina Hoxha
Krizat ekonomike, zakonisht janë fatalitet për pjesën dërrmuese të bizneseve, por ka disa prej tyre që e kanë të lidhur lulëzimin e biznesit pikërisht me krizën. Shoqëritë përmbarimore kanë shpërthyer së fundmi si rezultat i kërkesës së shtuar në ekonomi për sekuestro. Zinxhiri i borxheve ndërmjet individëve dhe shtetit, bizneseve me njëra-tjetrën dhe me bankat bashkë me një mori detyrimesh që janë krijuar nga mungesa e likuiditetit pas krizës së vitit 2008, kanë shtuar kërkesën për të arkëtuar detyrimet me forcë.
Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ekstraktet e kompanive janë të mbushura me kërkesat e shoqërive përmbarimore, të cilat kanë lëshuar urdhra sekuestrosh, në këmbim të arkëtimeve cash për llogari të klientëve të tyre.
Teksa bizneset e përmbarimit janë duke përjetuar një periudhë të artë në aktivitetin e tyre, ato janë gjithashtu skaneri i dobësive që po shfaq ekonomia dhe sektorë të veçantë të saj.
Siç pohon një nga administratorët e Strati Bailiff’s Service, Gentian Strati, edhe pse ende ka mangësi ligjore në rregullimin e aktivitetit të përmbarimit, biznesi ka qenë në rritje vitet e fundit. Volumi më i madh i punës, sipas tij, po vjen nga bankat tregtare në vend, të cilat po kërkojnë ekzekutimin me forcë të kolateraleve për shkak të kredive të pakthyera në banka.
Numri më i madh i praktikave në zyrat e përmbarimit është me objekt “kthim shume”, që subjektet e biznesit kanë ndaj njëra-tjetrës.
Liberalizimi i tregut të përmbarimit që deri më 2010 ishin shtetërorë, përveçse ka bërë të lulëzojë tregun privat, ka përmirësuar në mënyrë të dukshme çlirimin e likuiditeteve nëpërmjet sekuestrove me forcë.
Ndërtuesit, destinacioni i parë i përmbaruesve
Sekuestrot me forcë në ditët e sotme janë bërë krejt normale edhe për borxhe individësh në shuma krejt të papërfillshme, deri te korporatat e mëdha që xhirojnë miliona euro në bilancet e tyre. Por siç shihet nga konstatimet e zyrave përmbarimore, ndërtuesit janë më problematikët. Sektori ka pësuar një krizë të dyfishtë me rënien e konsumit nga kriza dhe njëkohësisht me maturimin në fund të viteve 2000, duket se telashet nuk kanë të sosur. Zyrat përmbarimore, EPSA dhe Strati Bailiff’s Service kanë pohuar se, kërkesat e bankave për huat e këqija kanë destinacion kryesisht ndërtuesit. Sektori i ndërtimit në krizë gati prej gati 6 vjetësh arriti kulmin vitin e kaluar, ku 244 kompani ose 5% të totalit të tyre falimentuan. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorin e ndërtimit shënoi 4575 subjekte nga 4819 të tilla që ishin gjatë vitit 2013.
Kriza e krijuar nga një minifluskë që përjetoi sektori pas vitit 2005 e shoqëruar nga rënia e blerjeve të banesave, i rëndoi së tepërmi bilancet e kompanive vitet e fundit. Problemeve të tregut iu shtuan edhe mospagesat e qeverisë për punët publike që kryen disa firma.
Por me gjithë problemet që sektori po përjeton prej vitesh nuk ka njohur një faliment të kësaj natyre, ku brenda vitit të falimentojnë 5% e kompanive aktive në treg.
Shteti si burim sekuestrosh
Në shumë raste, vala e sekuestrove ka pasur si shkaktar vetë shtetin dhe institucionet e tij. Kontratat e biznesit për punët publike të papaguara ndër vite dhe gjithashtu edhe disa borxhe të krijuara nga institucionet në formën e shërbimeve apo mallrave të papaguara kanë krijuar mungesë likuiditeti te shumë kompani deri në vitin 2013. Në këtë situatë, kreditorët e shtetit janë dyndur në zyrat përmbarimore, duke kërkuar arkëtime me forcë të borxhit. Kompanitë që kishin detyrime të papaguara nga qeveria, nuk arritën të kthejnë kreditë në banka në kohën e duhur dhe gjithashtu u shndërruan në debitorë ndaj nënkotraktorëve dhe ndaj punonjësve. Ndaj kësaj kategorie ka pasur një valë kërkesash për sekuestro gjatë 2012-2013, pohojnë kompanitë e përmbarimit.
Por, duket se shteti ka qenë një burim i madh pune për përmbarimin kur qeveria e re socialiste, që erdhi në pushtet nga zgjedhjet e qershorit 2013, vendosi të grumbullojë me forcë detyrimet e prapambetura të energjisë. Siç pohojnë zyrat përmbarimore, kjo solli fluks të madh pune, pavarësisht se, vlerat e borxheve në disa raste ishin modeste. Ekzekutimi i faturave të energjisë si titull ekzekutiv, si dhe i faturave të ujit, vijon të jetë ndër praktikat më të shpeshta të përmbarimit.
Ekzekutimet, vështirë me institucionet publike
Sekuestrot me forcë janë procesi më i vështirë gjatë arkëtimit të një detyrimi, madje kjo në shumë raste është e pamundur. Procesi i sekuestros së një prone për llogari të bankave ose të një kreditori tjetër që është korporatë apo individ nuk është asgjë para rasteve kur debitor është shteti. Praktikat shqiptare e bëjnë të pamundur sekuestron në rast se pala debitore është një institucion publik. Kjo është praktika më e vështirë e përmbaruesit, pasi thjesht shteti ka forcën për të ndalur sekuestron me të gjitha mjetet. Por e kundërta ndodh kur shteti kërkon të mbledhë borxhet ndaj vetes. Në këtë rast, praktikat janë shumë të thjeshta, se të gjitha institucionet dhe hallkat që çojnë në sekuestro funksionojnë me lehtësi. Gelas Yzo, i shoqërisë përmbarimore EPSA, pohon se sfidat që përballet ky shërbim janë të mëdha si në drejtim të bashkëpunimit me organet shtetërore, edhe të organizimit të vetë shërbimit. Për ushtrimin e funksionit të tij, përmbaruesi gjyqësor privat, për shkak të natyrës së punës, është i detyruar të bashkëpunojë me shumë institucione shtetërore siç janë Policia e Shtetit, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, QKR, Drejtoritë e Transportit Rrugor, si dhe në tërësi të gjitha institucionet shtetërore, të cilat disponojnë të dhëna për regjistrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të debitorëve. Yzo pohon se dinamikës dhe eficencës së shërbimit përmbarimor privat nuk i përgjigjet sot asnjë institucion shtetëror. Shpenzohet shumë kohë në mbledhjen e informacionit dhe nga ana tjetër, krijohen vonesa të shumta për shkak të ngarkesës së punës së Policisë së Shtetit. Pa praninë e policisë është i pamundur bllokimi fizik i mjeteve, të cilat më pas duhet të shiten me ankand.
Në fokus
Kompanitë përmbarimore pohojnë se gama e sekuestrove është e gjerë, që nga kreditë bankare, kthimet e shumave, ekzekutimi i gjobave të vendosura nga institucione të ndryshme publike, ekzekutimi i faturave të energjisë apo shërbimit telefonik, pensionet ushqimore, lirimi apo dorëzimi i sendeve, pagimet e pagave. Një fokus të praktikave janë edhe dëmshpërblimet për largimet nga puna, kthimin në vendin e mëparshëm të punës etj. “Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi bashkëpunim të frytshëm me institucionet bankare, kompanitë private kryesisht në fushën e telekomunikacionit, energjisë, kompani të huaja që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë apo që kanë pasur çështje gjyqësore me kompani shqiptare, institucionet publike dhe individët”, pohoi Gentian Strati nga Strati Bailiff’s Service.
Bumi i biznesit të përmbarimit
Që kur tregu i përmbarimit u liberalizua në vitin 2010 dhe përveç përmbaruesve shtetërorë, shërbimi i transferua te privatët, dhjetëra zyra përmbarimore u hapën në të gjithë vendin, duke lehtësuar dukshëm procesin e ekzekutimit me forcë që ishte monopol i shtetit deri në fund të vitit 2010. Aktualisht në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet 131 zyra përmbarimore. Numri i kompanive shënoi rritje të shpejtë nga viti në vit dhe gjithashtu edhe aktiviteti i tyre.
Që nga krijimi, shoqëritë përmbarimore njohën rritje dyshifrore në vit, por bumin e vërtetë e patën në vitin 2013. Shoqëria EPSA, nga më të mëdhatë e tregut, njohu rritje të të ardhurave me mbi 170% në vitin 2013. Rritje të të ardhurave mbi 50% njohën edhe shoqëritë e tjera. Një vit më pas, më 2014, biznesi nuk ka qenë kaq i begatë. Kompanitë pohojnë se, bumi i vitit 2013 lidhet me akumulimin e madh të faturave të punëve publike të papërfunduara. Qeveria e re e 2013-s evidentoi të gjitha borxhet dhe nisi shlyerjen e tyre që më 2013, duke u bërë burimi kryesor në të ardhurat e shoqërive përmbarimore, të cilat kishin akumuluar dosjet ndaj institucioneve publike për vite me radhë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.