Besimi i bizneseve në ekonominë shqiptare u përmirësuar sërish në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me gjashtë pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit për dy tremujorë radhazi, ky tregues ngelet ndjeshëm nën mesataren e vet historike, i ndikuar nga goditja e fortë negative në tremujorin e dytë të këtij viti.
Rritja e tremujorit të katërt 2020 pasqyroi kryesisht përmirësimin e besimit në tregti, industri dhe shërbime, ndërsa treguesi i besimit në ndërtim dhe besimi konsumator shënuan rënie të lehtë.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 7.7 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, falë rritjes së prodhimit, me 16.8 pikë përqindje dhe kontratave porositëse, me 12.5 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër formuese e treguesit, gjendja e inventarëve, e ndikoi negativisht besimin në industri.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 7.1 pikë përqindje, i mbështetur nga rritja paralele dy balancave formuese, ecuria e biznesit dhe kërkesa. Edhe balancat e tjera të vrojtimit si gjendja financiare, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u përmirësuan.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 8.5 pikë përqindje, çka reflektoi kryesisht rritjen e balancës së ecurisë së biznesit. Ndërkohë, balanca tjetër formuese e treguesit, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, rezultoi në një nivel pothuajse të njëjtë me një tremujor më parë. Të përmirësuara rezultuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra lehtë me 1 pikë përqindje gjatë tremujorit të
katërt, pas përmirësimit të ndjeshëm në tremujorin e tretë. Rënia u përcaktua nga balanca e aktivitetit ndërtues, që ra me 3.5 pikë përqindje, ndërkohë që balanca tjetër përbërëse e treguesit, kontratat porositëse, u rritën me 1.4 pikë përqindje.
Treguesi i besimit konsumator ra me 2 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Balanca e blerjeve të mëdha ra me gati 9 pikë përqindje, duke dhënë ndikimin kryesor në keqësimin e këtij treguesi. Edhe pritjet e situatës së përgjithshme ekonomike dhe situatës financiare të
Familjes, ranë me përkatësisht 1 dhe 0.4 pikë përqindje. Gjendja e brishtë e ekonomisë dhe përkeqësimi i situatës pandemike duket se kanë ndikuar negativisht besimin e konsumatorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.