Planeti po izolohet. Në përpjekjen për të mbajtur nën kontroll krizën e Covid-19, gjithnjë e më shumë vende po u kërkojnë qytetarëve të shmangin shoqërinë. Duke qenë se një veprim i tillë prek rëndë ekonominë, qeveritë e dëshpëruara po përpiqen të ndihmojnë kompanitë dhe konsumatorët, duke shpërndarë triliona dollarë ndihma dhe garanci për kredi. Askush nuk mund të jetë i sigurt se sa mirë do të funksionojnë këto masa shpëtimi, shkruan The Economist.
Por ka edhe më keq. Studime të reja shqetësuese tregojnë se ndalimi i pandemisë mund të kërkojë përsëritjen e mbylljeve dhe izolimeve. E megjithatë, tashmë është e qartë se një strategji e tillë do të përfundonte duke e dëmtuar ekonominë botërore, ndoshta në mënyrë të patolerueshme. Në të ardhmen priten zgjedhje shumë të vështira.
Kanë kaluar pothuajse 12 javë që prej raportimeve të para të njerëzve që po sëmureshin nga një sëmundje misterioze në Wuhan, në Kinën Qendrore, dhe vetëm tani bota ka filluar të kuptojë nivelin e vërtetë të humbjeve njerëzore dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Deri më 18 mars, sars-cov-2, virusi prapa Covid-19, kishte infektuar 134,000 persona jashtë Kinës, të shpërndarë në 155 vende dhe territore. Brenda vetëm 7 ditëve, kësaj shifre i janë shtuar gati 90,000 raste dhe 43 vende dhe territore të reja të prekura. Numri i vërtetë i rasteve mendohet të jetë shumë më i madh.
Qeveritë e frikësuara po nxitojnë të imponojnë kontrolle që deri pak javë më parë, do të dukeshin të paimagjinueshme. Shumë vende, përfshirë në Afrikë dhe Amerikën Latine, kanë ndalur udhëtimet nga vendet ku virusi është përhapur në masë. Times Square është boshatisur, qyteti i Londrës është i errët dhe kafenetë, baret dhe restorantet në Francë, Itali dhe Spanjë kanë mbyllur dyert. Kudo stadiume të zbrazët bëjnë jehonë për shkak të mungesës së turmave të njerëzve.
Duket qartë se ekonomia është goditur shumë më tepër se ç’kishin parashikuar analistët. Të dhënat e janarit dhe shkurtit tregojnë se prodhimi industrial në Kinë, i cili ishte parashikuar të binte me 3% krahasuar me një vit më parë, ra me 13.5%. Shitjet me pakicë nuk ranë 4%, por 20.5%. Investimi i pasurive fikse, i cili mat shpenzimet për makineritë dhe infrastrukturën, ra me 24%, gjashtë herë më tepër se sa parashikohej. Kjo gjendje i ka shtyrë institucionet të rishikojnë parashikimet e tyre. Duke u ndodhur përballë një recesioni të fortë, qeveritë po miratojnë paketa shpëtimi në një shkallë që tejkalon edhe krizën financiare të viteve 2007-‘09.
Ky është sfondi ku duhet të bazohen zgjedhjet themelore për menaxhimin e sëmundjes. Duke përdorur një model epidemiologjik, një grup nga Imperial College në Londër, këtë javë përcaktoi një kornizë për të ndihmuar politikanët të përgatiten për atë që do të vijë. Parashikimet janë të zymta.
Një qasje e mundshme është zbutja, “rrafshimi i kurbës” për ta bërë pandeminë më pak intensive, duke izoluar rastet dhe familjet e infektuara. Një qasje tjetër është ndalimi i ashpër nëpërmjet një game më të gjerë masash, përfshirë izolimin e të gjithë njerëzve, përveç atyre që nuk mund të punojnë nga shtëpia dhe mbylljen e shkollave dhe universiteteve. Zbutja e përmban pandeminë, ndërsa ndalimi synon ta eliminojë atë brenda një kohe të shkurtër.
Parashikuesit zbuluan se nëse virusi do të lihej të përhapej lirisht, ai do të shkaktonte vdekjen e rreth 2.2 milion njerëzve në Amerikë dhe 500,000 në Britani, deri në fund të verës. Ata konstatuan se në ekonomitë e përparuara, tre muaj të rrafshimit të kurbës, përfshirë karantinat dyjavore të familjeve të infektuara, në rastin më të mirë, do të parandalonin vetëm gjysmën e këtyre vdekjeve. Për më tepër, rritja e nevojës për kujdes intensiv do të ishte tetë herë më e lartë se kapaciteti i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë, duke çuar edhe në vdekje të tjera, të cilat modeli nuk u përpoq t’i llogariste. Nëse ky parashikim do të vlejë edhe për vendet e tjera të Europës, madje edhe në sistemet shëndetësore me burime më të larta, përfshirë edhe atë të Gjermanisë, ato do të mbingarkoheshin.
Prandaj nuk është çudi që qeveritë po zgjedhin kontrollet më të rrepta për të ndalur pandeminë. Ndalja ka avantazhin që ka funksionuar në Kinë. Më 18 mars, Italia regjistroi 4,207 raste të reja ndërsa Wuhan-i asnjë. Kina ka regjistruar një total prej rreth 80,000 rastesh në një popullsi prej 1.4 miliardë njerëzish. Për efekte krahasimi, grupi i Imperial College parashikoi se nëse virusi do të lihej të përhapej vetvetiu, ai do të infektonte më tepër se 80% të popullsisë në Britani dhe Amerikë.
Por kjo është arsyeja pse ndalimi i menjëhershëm ka rreziqe anësore. Duke i mbajtur normat e infeksionit relativisht të ulëta, shumë njerëz kanë të ngjarë të preken nga virusi. Dhe duke qenë se Covid-19 tashmë është përhapur gjerësisht në vende në mbarë botën, grupi i Imperial College sugjeron se epidemitë do të riktheheshin brenda disa javësh pas heqjes së kufizimeve. Për të shmangur këtë skenar, vendet duhet të ndalojnë sëmundjen çdo herë që rishfaqet, duke kaluar të paktën gjysmën e kohës në shtetrrethim. Ky cikël duhet të përsëritet derisa popullata të ketë fituar imunitet ose derisa të jetë gjendur një vaksinë, e cila mund të jetë muaj larg.
Ky është thjesht një model parashikues dhe modelet janë thjesht hamendësime bazuar në provat më bindëse. Prandaj është e rëndësishme të vërehet shembulli i Kinës për të parë nëse jeta atje mund t’i rikthehet normalitetit, pa shpërthyer sërish sëmundja. Shpresohet që ekipet e epidemiologëve mund të testojnë në një shkallë masive, në mënyrë që të kapin rastet e reja sa më herët, të gjurmojnë kontaktet e tyre dhe t’i karantinojnë ato pa e kthyer shoqërinë përmbys. Ndoshta do të dalin ilaçe të reja, siç është një përbërës antiviral japonez, të cilin Kina e cilësoi premtues.
Zbutja e pandemisë kushton shumë
Por kjo është vetëm një shpresë dhe shpresa nuk është politikë. E vërteta e hidhur është se zbutja e pandemisë kushton shumë më tepër dhe ndalimi i ashpër mund të jetë ekonomikisht i papërshtatshëm. Pas disa përsëritjeve, qeveritë mund të mos kenë më aftësinë për të mbështetur bizneset dhe konsumatorët. Njerëzit e zakonshëm mund të mos e tolerojnë ndryshimin. Kostoja e izolimit të përsëritur mund të mos i justifikojë dot gjatë dëmet në mirëqenien mendore dhe shëndetin afatgjatë të popullatës.
Në botën reale ka një kompromis midis dy strategjive, megjithëse qeveritë mund t’i bëjnë të dyja më të efektshme. Koreja e Jugut, Kina dhe Italia kanë treguar se kjo fillon me testimin në masë. Sa më qartë të identifikohet se kush është prekur, aq më pak janë të nevojshme kufizimet në masë. Testet për antitrupa ndaj virusit, dallimi i personave të rimëkëmbur dhe të shëruar, janë të nevojshme për të plotësuar testet e sotme, të cilat janë të vlefshme vetëm para dhe gjatë sëmundjes. Kjo do t’u lejonte njerëzve imunë të vazhdonin punën duke ditur se nuk mund të jenë burim i infeksioneve të mëtejshme.
Një vijë e dytë sulmi duhet të jetë përdorimi i teknologjisë për të administruar karantinat dhe distancimet sociale. Kina po përdor aplikacione për të konstatuar se kush është i prekur nga sëmundja dhe kush jo. Ajo dhe Koreja e Jugut janë duke përdorur të dhëna dhe media sociale për të gjurmuar infeksionet, për të paralajmëruar njerëzit të mos vizitojnë vendet e prekura dhe për marrjen e kontakteve. Koreja e Jugut ndryshoi ligjin për të lejuar që shteti të fitonte qasje ndaj të dhënave mjekësore dhe t’i ndante ato pa nevojë mandati. Në periudha normale, shumë demokraci mund ta konsiderojnë këtë masë si tepër ndërhyrëse. Por këto kohë nuk janë aspak normale.
Së fundmi, qeveritë duhet të investojnë në kujdesin shëndetësor, edhe nëse do të duhen muaj që përpjekjet e tyre të japin fryte dhe nuk mund të jenë kurrë të nevojshme. Ato duhet të rrisin kapacitetin e kujdesit intensiv. Vende si Britania dhe Amerika kanë mangësi të konsiderueshme në shtretër, specialistë dhe ventilatorë. Ato duhet të përcaktojnë protokolle më të mira trajtimi mjekësor, të zhvillojnë vaksina dhe të testojnë ilaçe të reja terapeutike. E gjithë kjo do ta bënte më të lehtë masën e zbutjes dhe ndalimit.
Por nuk duhen pasur iluzione. Masa të tilla prapëseprapë nuk mund të parandalojnë rritjen e pandemisë. Sot qeveritë duket se janë të angazhuara më tepër në ndalim, pavarësisht kostos së tij. Nëse sëmundja nuk kontrollohet shpejt, ato do të anojnë drejt zbutjes, edhe nëse kjo e fundit do të rezultojë në shumë më tepër vdekje. Kuptohet që, tani këtë sakrificë nuk është e gatshme ta pranojë asnjë qeveri. Por së shpejti mund të mos kenë zgjidhje tjetër./The Economist