Përpjekje për frenimin e emigracionit, shembuj nga rajoni

24/07/2019 3:41 PM 0 komente

ër momentin, politikëbërësit rajonalë nuk po marrin asnjë vendim strategjik për emigrimin dhe duket se iu mungon përqendrimi dhe maturia për këtë detyrë. Derisa ta bëjnë një gjë të tillë, emigrimi do të vijojë të jetë një çështje e ndjeshme.

Nëse marrim një estonez që shkon për të jetuar, për shembull, në Suedi, ai ka një perspektivë krejt tjetër nga shqiptarët, boshnjakët ose serbët që largohen nga Ballkani. Kur ai kthehet në Estoni me përvojën që ka fituar, ai mund të mendojë se mund të kthehet ose ndoshta do të dëshironte të transferonte njohuritë që kishte fituar në Suedi ose të lidhë kompanitë nga Suedia me ata nga Estonia.

 

Varshava planifikon shfuqizimin e tatimit mbi të ardhurat për të rinjtë polakë

Parlamenti i Polonisë ka filluar debatin mbi shfuqizimin e tatimit mbi të ardhurat për shumicën e polakëve nën moshën 26 vjeç. Kjo masë është ndërmarrë nga qeveria, me qëllim që të rikthejë sa më shumë të rinj, të cilët janë larguar në shtete të tjera. Kryeministri Mateusz Morawiecki tha se masa do të përmirësojë mundësitë për të rinjtë “në mënyrë që ata të ndihen të trajtuar njësoj si të rinjtë në Perëndim”. Ai shtoi se që nga koha kur Polonia u bë pjesë e BE-së në vitin 2004, 1.7 milionë njerëz janë larguar nga ky shtet dhe janë zhvendosur në shtete të tjera të bllokut. “Është njësoj sikur e gjithë popullsia e Varshavës të largohej nga Polonia.

Nëpërmjet kësaj mase, synojmë të rikthejmë në Poloni një pjesë të madhe të të rinjve të larguar. Në 30 vitet e fundit, Polonia ka kërkuar shumë nga të rinjtë dhe nuk i ka ndihmuar ata aq sa duhet. Punëdhënësit nuk kanë qenë dhe nuk janë të gatshëm të rrisin pagat e punonjësve të rinj, kështu që ne po e bëjmë atë nëpërmjet heqjes së tatimit mbi të ardhurat”, tha z. Morawiecki duke iu drejtuar deputetëve.

Qeveria, e cila kërkon që deputetët ta miratojnë këtë ligj që të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, tha se, në rast se ajo miratohet, 2 milionë të rinj polakë do të përfitojnë prej saj, ndërsa vlera që do t’i kushtojë qeverisë polake realizimi i masës në fjalë shkon deri në 2.5 miliardë zloti polak, ose rreth 590 milionë euro. Polakët nën moshën 26-vjeçare nuk do të paguajnë asnjë taksë mbi të ardhurat deri në 85,000 zlotë polakë, ose 20,000 euro. Kjo masë nuk përfshin të rinjtë polakë të cilët kanë bizneset e tyre.

Shfuqizimi i tatimit mbi të ardhurat i të rinjve polakë u premtua edhe në fillim të këtij viti nga Jaroslaw Kaczynski, kreu i Partisë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, e cili do përballet me zgjedhjet e përgjithshme në nëntor të këtij viti. Premtimet e reformave të tjera përfshijë rritjen e nivelit të pensioneve, një shërbim transporti më të mirë, etj. Sipas vlerësimit të qeverisë polake, kostoja totale e reformave të mësipërme shkon në 42 miliardë zlotë polakë.

Premtimet e mësipërme e ndihmuan Partinë Ligj dhe Drejtësi të fitojë zgjedhjet e fundit europiane me një shumicë të gjerë votash prej 45%. Disa deputetë të opozitës akuzuan qeverinë se ajo u kishte dhënë ryshfete qytetarëve në këmbim të votës së tyre. Deputeti liberal Ryszard Petru, e quajti projektligjin për shfuqizimin e tatimit mbi të ardhurat e të rinjve polakë shembullin tipik të “populizmit dinak”

Në katër vitet e fundit, Polonia ka përjetuar rritje të fortë ekonomike, e cila është shoqëruar edhe me shqetësimin në rritje të punëdhënësve në lidhje me mungesën e fuqisë punëtore. Puna në kompani të ndryshme po bazohet gjithnjë e më shumë në fuqinë punëtore të huaj, kryesisht nga Ukraina dhe Bjellorusia. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Polonia lëshoi numrin më të madh të lejeve të qëndrimit në Bashkimin Europian për qytetarët që nuk janë nga BE-ja.
Iga Magda, nga instituti Polak për Kërkime Strukturore, tha se projektligji po përpiqet të miratohet në mënyrë të nxituar dhe se ka pengesa më të mëdha për të rinjtë që hyjnë në tregun e punës.

“Një prej tyre lidhet kryesisht me kualifikimet e papërshtatshme, ndërsa një tjetër me mungesën e mbështetjes ndaj grave për të mirëbalancuar jetën profesionale me atë personale, duke qenë se ka mungesë të theksuar çerdhesh dhe kopshtesh. Nga pikëpamja e tregut të punës, do të kishte më shumë kuptim të investohej në zgjidhjet afatgjata që kanë të bëjnë me problemet e mësipërme, tha në fund ajo.

Megjithatë, Joanna Narkiewicz-Tarlowska, shefja e Departamentit të Taksave në PwC në Varshavë, tha se realizimi i masës së mësipërme do të reduktonte mungesat e fuqisë punëtore. Ky është një prej probleme më të mëdha me të cilat po përballet Polonia, mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të së cilës ne jemi të detyruar të importojmë punëtorë nga vende të tjera.

Realizimi i shfuqizimit të tatimit mbi të ardhurat e punonjësve të rinj do t’i nxiste ata të punonin sipas të gjitha rregullave ligjore dhe të hiqnin dorë nga puna në të zezë dhe mbi të gjitha, të mos largoheshin nga vendi për të emigruar në shtete të tjera të BE-së. Kostot me të cilat do të përballet qeveria polake sigurisht që janë të larta, por përfitimet nga masa në fjalë do të jenë edhe më të mëdha dhe tregu ynë i punës ka nevojë për këtë gjë, përfundoi znj. Narkiewicz-Tarlowska.

 

Moldavia, programe për kthimin e profesionistëve

Shembulli i Moldavisë përpiqet të nxisë transferimin e kapitalit njerëzor dhe përvojës profesionale për zhvillimin akademik, social dhe ekonomik të Republikës së Moldavisë. Ai përfshin tre nënprograme që përbëhen nga Kthimi i Profesionistëve të Diasporës, Projekti i Nismave të Diasporës dhe Partneritetet Rajonale Tematike dhe Qendra Edukuese për Diasporën në Diasporën. Shoqatat e diasporës përfitojnë grante për zbatimin e komponentëve të ndryshëm të programit përmes financimit nga qeveria zvicerane.

 

Rumania zgjedh rritjen e pagave për rikthimin

Për të nxitur rikthimin e emigrantëve rumunë, qeveria e vendit vitin e kaluar ndërmori një sërë nismash, duke përfshirë stimujt për të inkurajuar sipërmarrjen emigruese; një fushatë informimi e quajtur “Të informuar në shtëpi! Të sigurt në botë!” për të mbajtur emigrantët rumunë për njëfarë kohe brenda vendit.

Synohet rritja e pagës minimale, pensioneve dhe pagave për sektorët mjekësorë dhe arsimorë, si dhe nxitja financiare dhe mbështetja për zhvendosjen në Rumani. Natalia-Elena Intotero, ministre e Çështjeve të Jashtme të Rumanisë, pohoi së fundmi se po punohet që t’u ofrohet arsim special fëmijëve të emigrantëve të kthyer, për t’u siguruar që ata të mund të integrohen plotësisht në sistemin arsimor.

 

Bosnja bën hartën e diasporës, përfitimet

Bosnja ka në zbatim Strategjinë e Angazhimit të Diasporës. 35 institucione të udhëhequra nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Refugjatëve të BH-së krijuan një mekanizëm koordinues ndërqeveritar, duke kontribuar në zbatimin e Strategjisë së Angazhimit të Diasporës, si dhe mbledhjen dhe përdorimin sistematik të të dhënave të emigracionit.

Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria e Bonjës, diaspora është e organizuar në organet përfaqësuese deri në dy vende pilot, duke bashkëvepruar me përfaqësitë diplomatike të BiH dhe autoritetet në vendet pritëse. Të paktën 1,000 pjesëtarë të diasporës kontribuojnë në dialogun qeveritar dhe diasporën, si dhe dhe identifikimin e zgjidhjeve zhvillimore.

Të paktën 50 anëtarë të diasporës angazhohen në transferimin e njohurive profesionale në institucionet e BH, duke kontribuar në zbatimin e Strategjisë së Angazhimit të Diasporës. Përmirësimi i shërbimeve administrative dhe informative që synojnë diasporën dhe të paktën 15 nisma lokale të zbatuara, duke e lidhur diasporën me komunitetet e tyre në Bosnjë dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës për më shumë se 300 familje. Të paktën 30 kompani të BiH përfitojnë nga transferimi i njohurive dhe aftësive që përkthehen në lidhje me biznesin produktiv me diasporën, futjen e teknologjive të reja, tregjeve dhe vendeve të punës.

 

Meksika, program për investimet

Programi 3×1 për Migrantët mbështet nismat e meksikanëve që jetojnë jashtë vendit dhe u jep atyre mundësinë për të kanalizuar burimet e tyre në punë me ndikim social të drejtpërdrejtë në përfitim të komuniteteve të tyre të origjinës në Meksikë. Projekti është zbatuar me ndihmën e klubeve ose federatave të migrantëve që jetojnë jashtë vendit, Qeverisë Federale (përmes SEDESOL – Sekretariati i Zhvillimit Social), shtetit dhe qeverisjes vendore. Ai përfaqëson një skemë financimi korrespondues.

Për çdo peso të dërguar nga migrantët, qeverisja federale, shtetërore dhe vendore shton 3 peso, secila, prandaj quhet: 3×1. Tani programi është zgjeruar për të përfshirë edhe sektorin privat (4×1). Ky fond i mbledhur përdoret për të financuar punimet publike që rezultojnë në përmirësimin e infrastrukturës së komuniteteve vendore (rrugë, shkolla, shërbime të shëndetësisë) dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik vendor (skema të gjenerimit të punësimit etj.).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of