Përpjekje për uljen e çmimit të naftës

03/04/2012 1:36 PM 0 komente

Përpjekjet nga disa nga blerësit më të mëdhenj të naftës për të koordinuar hedhjen e mundshme në treg të rezervave të emergjencës dhe një ndërhyrje nga Arabia Saudite bënë që çmimet e naftës të shënonin një rënie të lehtë gjatë javës së kaluar, duke rritur perspektivën për një lehtësim të kostove në ekonomitë kryesore të Europës dhe shoferëve amerikanë, që u përballën me çmime deri në 4 dollarë për gallon.

Ministri i energjisë së Francës, Eric Besson, konfirmoi se vendi i tij ishte në diskutime me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Japoninë për të hedhur në treg miliarda fuçi me naftë në treg. Ndërkohë ministri me influencë i naftës i Arabisë Saudite tha se Rihadi do të bënte gjithçka që të ulte çmimet. Duke shkruar për Financial Times, Ali Naimi tha: “Arabia Saudite do të donte të shikonte një çmim më të ulët. Do të donte të shihte një çmim të drejtë dhe të arsyeshëm, që nuk do të dëmtonte rimëkëmbjen e ekonomisë globale.”

Rritja e çmimeve të energjisë, e orientuar pjesërisht nga tensionet, që vijnë si rrjedhojë e programit bërthamor të Iranit, po kërcënon rimëkëmbjen e brishtë të Amerikës dhe perspektivën e rizgjedhjes së presidentit amerikan Barack Obama. Ndërsa diskutimet janë në një fazë fillestare dhe asnjë nga vendet e përfshira nuk ka vendosur ende nëse do të vazhdojë me hedhjen në treg të rezervave, tre zyrtarë që janë pranë bisedimeve thanë se ka të ngjarë që ky veprim të ndërmerret gjatë tre muajve të ardhshëm.

Pasi u ndesh fillimisht me kundërshtimin e Gjermanisë, e cila zotëron rezervat e treta më të mëdha në botë, Uashingtoni u kthye te Parisi, Londra dhe Tokio për mbeshtetje. “Franca u shpreh e favorshme ndaj sugjerimit,” tha z. Besson. Nëse katër shtete do të bien dakord, çmimet e naftës do të uleshin me shpejtësi. Treguesi Brent i naftës bruto arrit në rreth 123.5 dollarë gjatë mesit të javës së kaluar duke rënë me rreth 2 dollarë. Një reduktim i thellë në rezervat e raportura të naftës bruto në SHBA gjithashtu ndikoi në këtë zbritje.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha: “Ne e kemi përsëritur vazhdimisht, se ndërsa kjo është një mundësi që mbetet ende në tavolinë, nuk është marrë asnjë vendim dhe nuk janë propozuar veprime specifike.” Philipp Rösler, ministri i ekonomisë së Gjermanisë, nguli këmbë se rezervat e naftës në vend do të hidheshin në treg në një situatë kur do të kishte kufizim fizik të ofertës. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), autoriteti mbikëqyrës i botës së zhvilluar ka koordinuar lëvizje të mëparshme, por nuk e ka mbështetur ende lëvizjen e fundit. “Duke qenë se për momentin nuk janë vënë re probleme me furnizimin, ne nuk jemi duke planifikuar ndonjë veprim të koordinuar,” tha Maria van der Hoeven, drejtore ekzekutive e IEA-s disa ditë më parë. Kërcimi i fundit në çmimet e naftës bruto, në nivelet më të larta që prej vitit 2008, ka shkaktuar një reagim të fortë nga Arabia Saudite, prodhuesi më i madh botëror i naftës. Z. Naimi i quajti thirrjet për probleme me furnizimin me naftë si “irracionale” dhe një “mit”. Ministri paralajmëroi se çmimet e larta të naftës po fillonin të jepnin ndikimin e tyre në objektivat për rritjen ekonomike të Europës dhe premtoi se do të përdorë kapacitetin rezervë të Arabisë për të furnizuar tregun e naftës me çdo volum shtesë që do të kërkohej.

Rihad e ka rritur gjithashtu prodhimin ditor në një nivel që është me i larti prej 30 vitesh në 10 milionë fuçi dhe mund të rrisë prodhimin edhe me 25% në rast se do të ketë ndërprerje të furnizimit nga Lindja e Mesme. Mbretëria është në dijeni të bisedimeve lidhur me publikimin e rezervave të naftës nga shtetet e mëdha europiane dhe nuk ka të ngjarë që ta kundërshtojë atë. SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Japonia qetësisht po hartojnë plane për hedhjen në treg të rezervave, që zyrtarët thonë se mund të tejkalojë atë të autorizuar gjatë vitit të kaluar, kur shpërthey konflikti në Libi. Një zyrtar tha se hedhja në treg mund të përkonte me fillimin formal të embargos së Bashkimit Europian ndaj Iranit, që planifikohet në 1 korrik. David Cameron, kryeministri i Britanisë së Madhe e diskutoi mundësinë e hedhjes në treg të rezervave në një udhëtim në Uashington gjatë muajit të kaluar. Ai ra dakord në parim, në të njëjtën linjë me SHBA-të, në rast se çmimet e naftës do të vazhdonin të rriteshin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of