“Do dyfishohen tarifat e energjisë për familjarët dhe do përgjysmohen për bizneset”Prej shumë kohësh konsumatori shqiptar në fillim të vitit përballet me tarifat e reja të energjisë elektrike. Në Planin e Veprimit për Zhvillimin e Sektorit të Energjisë për vitet 2004-2006 parashikohet rritja e çmimit të energjisë mesatarisht me8 %, në vit për të gjithë konsumatorët (10 % për konsumatorët familjarë dhe 5% për konsumatorët e tjerë). KESH në fillim të muajit gusht i propozoi Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tarifat e reja të energjisë elektrike për vitin 2005, të cilat menjëherë ngjallën debate. Korporata kërkon uljen e dyshemesë nga 220 kilovator në 200 kilovator, ku nën këtë nivel çmimi i energjisë të jetë 4.5 lekë për kilovator dhe në nivelin e dytë 8.9 lekë për kilovator. Reagimet e para erdhën nga shoqatat për mbrojtjen e qytetarëve, nga biznesi, avokati i popullit, si dhe nga vetë Enti Rregullator i Energjisë Elektrike. Korporata synon që të barazojë koston me tarifat, por nëse tarifat deklarohen, përllogaritja e kostos është tepër relative. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Andis Harasani për vendin tonë kosto e energjisë është shumë e ndryshueshme, sepse 98% e prodhimit vjen nga burimet hidrike dhe kur ka reshje ajo është e ulët dhe kur nuk ka reshje ajo rritet. Por, sipas përllogaritjeve të ekspertëve të KESH-it, kosto mesatare e energjisë për vitin 2004 është 6.83 lekë për kilovator. Ndërkohë, kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Kreshnik Spahiu sqaron për “Monitor” se KESH çdo vit rrit koston e energjisë elektrike, duke e justifikuar atë me rritjen e investimeve. Pra, nëse kosto rritet atëherë, në bazë të parimit që KESH-i ka për barazimin e kostove me tarifat, edhe çmimi i energjisë elektrike do të pësojë rritje. Edhe vetë kreu i KESH-it, pranon se çmimi i energjisë do të pësojë rritje dhe kjo nuk është diçka e re. Disa vite më parë kur u hartua, diskutua dhe u miratua Strategjia për Zhvillimin e Sektorit Elektroenergjetik, askush nuk kundërshtoi rritjen e tarifave të energjisë elektrike çdo vit. Por, kur vjen periudha për të rritur këto tarifa shpërthen një debat i madh. Energjia është një mall konsumi që përdoret gjerësisht nga të gjithë, biznese apo familje, ndaj dhe rritja e çmimit të energjisë rrit edhe koston për to. Spahiu sqaron se kosto mesatare e energjisë për vitin 2004 është 6.2 lekë për kilovator dhe synohet që për vitin 2005 të jetë 7.5 lekë për kilovator. Edhe pse kosto nuk dihet sesa është apo sa mund të arrijë, e qartë është që çmimi i energjisë për vitin 2005 apo edhe për vitet në vazhdim do të pësojë rritje. Flet Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Andis Harasani: Çmimi- kosto, argumentet janë relativeKESH: Energjia do të rritet me 7.27%Cilat janë argumentat tuaja, që mbështesin rritjen e çmimit të energjisë?Në vitin 2000 është hartuar Plani i Masave për Sektorin e Energjisë, i cili parashikon deri në vitin 2007 ose 2008 rritjen e çmimit të energjisë dhe rregullimin e niveleve tarifore. Unë si administrator i shoqërisë kam detyrimet ligjore që ti kërkoj ERE-së rritjen e çcmimit të energjisë dhe më pas është ky institucion që vendos. Personalisht mendoj se duhet të rriten çmimet për familjarët dhe duhet të ulen çmimet për bizneset. Megjithatë ka kosto të ndryshme sociale dhe ka kosto të ndryshme politike, të cilat merren apo jo parasysh nga pronari i KESH-it, që është Ministria e Ekonomisë dhe ministria e linjës, që është ajo e Industrisë dhe Energjetikës. Unë mendoj që duhet të shkohet drejt dyfishimit të tarifës për familjarët dhe përgjysmimit të tarifës për industritë. Por, kjo mund të zbatohet në planin afatgjatë, të cilin do ta zbatojmë gradualisht. Ne kemi filluar që këtë vit të kërkojmë uljen e çmimit për disa lloje industrish, që punojnë në tension të lartë. Janë rreth 6 klasa konsumatorësh, për të cilat kërkohet ulje çmimi. Argumenti që unë jap për rritjen e çmimit të energjisë është se po gabohet shumë nga të gjithë, të cilët shikojnë një periudhë 2 vjeçare, që ka pasur shumë rreshje dhe nxjerrin konkluzione për vazhdimësinë për të mos kryer reforma. Nëse KESH do të vazhdojë të mbështetet tek reshjet, atëherë zhvillimi i sektorit do të mbetet në duart e fatit dhe unë sdo të pranoja një korporatë që të ndryshonte strategjinë në varësi të reshjeve. KESH në muajin gusht i ka propozuar ERE-s tarifat e reja të energjisë për vitin 2005. Sa do të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm? Kërkesa që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare i ka bërë ERE-së është për një rritje të ponderuar të çmimit me 7.27 %. Pra, po të marrin çmimin mesatar të vitit 2004 me çmimin që KESH ka propozuar për vitin e ardhshëm, rritja është 7.27 %. KESH-i kërkon barazimin e kostos me tarifat. Atëherë sa është kosto e energjisë elektrike?Nuk mund të thuhet sesa është kosto e energjisë. Nuk ka asnjë mall në botë, ashtu si edhe energjia elektrike që të ketë një kosto fiske. Kostot janë të ndryshme, ka kosto variable dhe kosto fiske. Për Shqipërinë kosto e energjisë elektrike është shumë variable, sepse 98 % e prodhimit vjen nga burimet hidrike dhe në momentin, që ka reshje kosto do të jetë shumë e ulët apo e kundërta. Për këtë arsye, është shumë e vështirë që të përcaktosh koston e energjisë. Kosto për vitin 2004 është 6.83 lekë/kilovator dhe kjo vjen për arsye se ka pasur reshje dhe Korporata është treguar e aftë që të depozitojë energji gjatë kësaj periudhe.Për cilët konsumatorë KESH ka propozuar që në vitin 2005 të kenë rritja më të madhe të çmimit të energjisë?Rritja më e madhe është menduar për buxhetorët (për ujësjellësat). Në Strategjinë e Zhvillimit të Sektorit Elektroenergjitik theksohen dy aspekte që janë shumë të rëndësishme. E para, që prej vitit 2005 Korporata nuk do të marr më subvencione nga shteti, gjë të cilën ne e kemi arritur. Megjithatë do të kërkoja që edhe Ministria e Financave të përmbushte detyrimet e prapambetura, edhe pse buxheti i shtetit nuk ka fonde për të paguar të gjitha këto. Njëkohësisht, kjo ministri duhet të ndalojë praktikën abuzive që fondet për Korporatën tia kalojë tatimeve, me qëllim që ky institucion të realizojë planin. Në strategji përcaktohet qartë që për sektorët buxhetorë çmimi i energjisë do të shkojnë drejt kostos. E kuptoj që nëse do të shikojmë pak më gjerë se Korporata, zhvillimi i sektorit të ujësjellasve nuk është i bazuar në asnjë strategji dhe kjo sjell një çakordim për të cilin nuk ka pse të paguajë KESH. Për sa kohë parashikohet të rritet çmimi i energjisë? Deri në 2007 parashikohet që të ketë rritje për konsumatorin familjar dhe rritje për konsumatorin privat. Pas këtij viti pretendohet që të ketë ulje të tarifave të energjisë për biznesin. Sa është parashikuar që të rritet çmimi i energjisë në Strategjinë e Zhvillimit të Sektorit Elektroenergjetik?Në strategji është parashikuar që të ketë një rritje prej 10 % në vit për familjarët dhe 5 % për biznesin. Nëse do të shikohet rritja e çmimeve, për këtë unë fajësoj shumë ERE-në, e cila ka vënë në vështirësi serioze Korporatën Elektroenergjetike, pasi në periudhën 1994-2004 çmimi për familjarët nën 220 kilovator ka mbetur pothuajse njësoj. Ndërkohë që duke marrë parasysh fuqinë blerëse të lekut dhe inflacionin, çmimi i energjisë elektrike duhet të ishte dyfishuar. Në strategji është parashikuar që dyshemeja e energjisë në 2005-n të zbresë në 180 kilovator në muaj, ndërsa KESH ka propozuar që kjo dysheme të ulet vetëm në 200 kilovator në muaj. Kur u miratua Strategjia për Zhvillimin e Sektorit të Energjisë, rritja e çmimit nuk u kundërshtua. Kjo është qesharake, hartohet strategjia, miratohet, bien të gjithë dakord dhe më pas kundërshtohet.Flet Kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Kreshnik Spahiu: Në 3 vjet kosto e energjisë është rritur 100%Çmimi i energjisë në 2005 rritet me 14%KESH i ka paraqitur ERE-së propozimin për tarifat vjetore të energjisë. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (CAO) dhe shumë subjekte të tjera, që i përkasin biznesit dhe shoqërisë civile kanë prezantuar oponencën e tyre. Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar me disa argumenta dhe i është kërkuar entit që ta refuzojë kërkesën e KESH-it për disa arsye. Së pari, korporata ka dalë jashtë parimeve të funksionimit të saj. Në strategji është përcaktuar që synohet barazimi i tarifave me kostot, por ne e konsiderojmë se ka një mungesë të theksuar transparence. Barazia e tarifave me koston nuk mund të arrihet duke rritur çdo vit koston. Ne i kemi kërkuar Korporatës sesa është kosto reale e energjisë dhe ajo ka deklaruar që kosto mesatare e energjisë për vitin 2004 është 6.2 lekë për kilovator dhe synon që për vitin e ardhshëm të jetë 7.5 lekë për kilovator. Kjo është një rritje e ndjeshme që i bëhet çmimit të energjisë në një vit. Gjatë 3 viteve të fundit kemi pasur rritje të kostos, e cila brenda një kohë relativisht të shkurtër ka sjellë rritjen e kostos me 100 %. Por, kjo rritje e kostos duhet frenuar, sepse rrjedhimisht sjell rritjen e çmimit të energjisë vit pas viti. Kjo gjë, tashmë është bërë publike edhe nga Korporata, cila ka deklarua se deri në vitin 2007 do të vazhdojë rritja e çmimit të energjisë elektrike. Sipas përllogaritjeve tona, rritja e çmimit të energjisë shkon mesatarisht në 14 %. Në debatet e zhvilluara ditët e fundit me përfaqësuesit e KESH, ata pranojnë se për familjarët çmimi i energjisë elektrike do të rritet të paktën 7.7 %. Por, duhet të përmendim këtu edhe uljen e dyshemesë nga 220 kilovator në 200 kilovator. Në debatet e zhvilluara me CAO-n drejtuesit e KESH-it deklarojnë, që propozojnë një rritje të çmimit të energjisë prej 7.7 % për familjarët. Por, ne kemi pretendimin se do të rritet më shumë, duke pasur parasysh uljen e dyshemesë, si dhe duke pasur parasysh edhe rritjen e konsumit nga familjarët. Së dyti, ne pretendojmë që ka një devijim nga detyrimet e kuadrit ligjor për energjitikën, i cili ka parasysh rritjen e eficencës për pajisjen me energji të konsumatorëve, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe minimizimin e kostove. Duke pasur parasysh këto tre elementë të cilët janë kryesorë në thellimin e objektivave të ligjëvënësit, KESH-i ka devijuar në këto tre elementë. Së pari, duke mos pasur eficencë në punën e saj dhe së dyti duke frenuar konkurrencën, sepse ajo ende vepron në kushtet e monopolit. Së treti, KESH-i nuk i është përmbajtur qëllimit për minimizimin e kostos, duke e rritur gjithmon e më shumë atë, si dhe nuk ka garantuar mbrojtjen e kosnumatorit, pasi ligji e detyron ERE-n që të miratojë rritjen e çmimit të energjisë, nëse ka një subvencion nga shteti.Bundo: Për çmimin e energjisë vendos ERETri pedagogë të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës kanë asistuar Entin Rregullator të Energjisë (ERE) për përcaktimin e tarifave të reja të energjisë, për të cilat më pas do të vendosin pesë komisionerët e këtij institucioni. “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në përputhje me ligjin “Për energjinë elektrike” ka zbatuar dhe i ka kërkuar ERE-s rritjen e çmimit të shitjes së energjisë”, pohon Sherif Bundo, pedagog në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe anëtarër i grupit të pedagogëve për llogaritjen e tarifave të reja të energjisë. Sipas Bundos, KESH është pothuajse prodhuesi i vetëm i energjisë elektrike dhe ka pozitë të padiskutueshme monopol në tregun vendas. Ai sqaron se në bazë të ligjit i takon Entit Rregullator të Energjisë që të shqyrtojë propozimin e KESH-it, si dhe të marrë në konsideratë kërkesat e grupeve dhe të nivele të ndryshme të konsumatorëve të energjisë dhe më pas të vendosë përfundimisht. Ndryshe nga herët e tjera ky ent ka bashkëpunuar me një grup pedagogësh dhe akademikësh, të cilët kanë kryer analiza teknike të paanshme, për të llogaritur kostot, nivelin e çmimit të energjisë në vend dhe krahasimin me vendet e rajonit, për të parë nivelin e fitimit dhe humbjes, si dhe për ti parë këto tregues të lidhur ngushtë me financimin vjetor, me investimet, me domosdoshmërinë për ta kthyer nga një shoqëri anonime me subvencione nga shteti në një shoqëri anonime të pavarur, e cila mund të jetë e aftë që të përballojë situata të vështira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.