Përplasjet dhe protestat, tur-operatorët frikë për anulime të charter-ave me turistë

26/03/2019 4:43 PM 0 komente

Flet Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”

 

Të paktën 13 grupe nga Gjermania, Austria, Italia, që kishin planifikuar ture kulturore në vend, kanë anuluar rezervimet e tyre drejt Shqipërisë. Shkak është bërë situata e trazuar politike që, në lajmet e ndërkombëtarëve duket edhe më dramatike, ndërsa për shqiptarët është kthyer në normalitet.

Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”, në një intervistë për “Monitor”, tregon se ka një presion të lartë nga operatorët partnerë, që kanë bërë rezervime për t’u informuar mbi çdo zhvillim, edhe në bazë ditore, dhe kjo vjen si efekt i kërkesës që kanë klientët për të ditur situatën. Nëse nuk do të ketë zgjidhje të ngërçit dhe situata përkeqësohet, Kasa thekson se anulimi i tureve kulturore mund të përfundojë në anulime charter-ash në sezonin turistik.

Infrastruktura, e cila çdo vit është renditur e para në listën e shqetësimeve, këtë herë ka kaluar e treta, dy të parat janë situata në vend dhe informaliteti. Sektori në vetvete nuk po përjeton ditë të këqija, pasi lajmi i mirë është hyrja e tregut baltik për herë të parë këtë vit, por sfidë si përherë është mbajtja e turistëve për të mos përsëritur precedentin me polakët që, këtë vit, kanë më pak interes për Shqipërinë.

Na ndajnë pak javë nga maji që ka shënuar fillimin e sezonit me turistët e parë të huaj që vijnë në vend. Kur mbërrijnë grupet e para këtë vit dhe nga cilat vende?

Turistët e parë këtë vit vijnë më 4 maj dhe bëhet fjalë për turistët nordikë. Rezervimet e tyre nisin nga maji dhe mbyllen deri nga java e parë e tetorit. Fillimisht do të nisë me një charter në javë dhe në kulmin e sezonit pesë chartera në javë. Përgjithësisht kanë mbetur te paketat bed and breakfast (shtrat dhe mëngjes). Pas nordikëve nisin të vijnë turistët nga Polonia. Të paktën ne si tur-operatorë kemi dhjetë chartera në javë nga Polonia, dy nga Çekia dhe një nga Sllovakia. Rezervimet e këtyre të fundit janë bërë sipas konceptit “all inclusive”, pra të gjitha të përfshira.

E reja e këtij viti janë turistët nga vendet baltike, pra Letoni, Lituani dhe Estoni. Është një partneritet me operatorë që janë në këto vende dhe që kanë futur edhe Shqipërinë si destinacion në paketat e tyre dhe ka pasur një lloj interesi. Përveç këtyre, vijojmë të kemi interes nga tregu gjerman dhe zviceran, por këto nuk janë kontrata me garanci.

Janë kontrata që merren me premtimin që do të zihen në sezon, bëhet rialokimi i dhomave, por ka një afat për lirimin e tyre. Dy javë apo tre javë para kohës së rezervimit, mund të bëhet anulimi i tyre dhe nuk ka penalitet për operatorin, nëse ky i fundit nuk ka arritur ta shesë. Edhe ky grup ka ardhur me konceptin “shtrat dhe mëngjes”.

Operatorët në totalin e tyre kanë raportuar për një reduktim të numrit të turistëve nga Polonia. Si ka qenë kjo tendencë dhe a ka pasur reduktime në turistë nga vende të tjera?

Në totalin e operatorëve që sjellin turistë nga Polonia ka një reduktim me 4-5 chartera më pak në javë, në raport me një vit më parë. Çekia, nga ana tjetër, është në të njëjtat nivele dhe po kështu shfaqet situata edhe me nordikët që nuk kanë ndonjë ndryshim me vjet. Nga vendet baltike parashikohen deri në 3 chartera në javë.

A ka pasur ndonjë ndikim në pjesën e rezervimeve situata politike e trazuar në vend, e shoqëruar nga protestat e partive opozitare? Po anulime të atyre ekzistuese, keni pasur?

Në fakt, situata politike në vend është një shqetësim i yni, sepse sidomos te grupet që vijnë për ture kulturore gjatë kësaj kohe ka pasur anulime. Janë të paktën 12-13 anulime turesh kulturore, në grupe nga vende të ndryshme si Gjermania, Italia, Austria. Ne shohim që ka shumë shqetësim edhe nga partnerët tanë që, pas çdo lajmi që lexojnë lidhur me Shqipërinë, na telefonojnë dhe duan të konfirmojnë sesi është situata. Ata, nga ana tjetër, e bëjnë këtë sepse kanë presion nga klientët që kanë bërë rezervime. Situata reale këtu mund të mos jetë shumë shqetësuese, por imazhi që përcillet nga fotot apo videot nëpër lajme është ai i një vendi të pastabilizuar dhe që ka nevojë që të përmirësohet.

Për hir të së vërtetës, po ndiejmë shumë presion nga partnerët dhe kjo shkon në mënyrë të përshkallëzuar, sikurse thashë, pasi ata kanë kërkesa nga klientët e tyre. Nëse situata mbetet si tani, kur të nisë sezoni turistik duhet të mbajmë parasysh riskun që mund të kemi anulime të charter-ave ashtu sikurse tani po kemi anulime të tureve kulturore.

Golemi, është prej disa vitesh si destinacion kryesor. Po në zona të tjera, a ka interes?

Golemi është destinacion kryesor për pushime për turistët e huaj, për shkak të distancës së shkurtër që ka me Aeroportin e Rinasit, si dhe për hir të strukturave akomoduese me kushte të mira dhe me kapacitete të larta. Ka pasur interes dhe për në Sarandë dhe më pak në Vlorë, por që ne shpresojmë që kjo të ndryshojë vitin tjetër dhe të ketë më shumë.

Kemi këtë lloj pritshmërie, pasi me premtimet që janë bërë për përfundimin e Bypass-ve në Jug, distanca shkurtohet dukshëm dhe udhëtimi në destinacion bëhet më komod. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë. Këtë maj ne presim që të lidhim kontratat për vitin tjetër. Më herët kemi operuar me kontrata 3-vjeçare, ndërsa tani po kalojmë gradualisht në negocim vit për vit, sepse ka më shumë fleksibilitet edhe për zhvillimet që ka sektori.

Cilat janë problematikat kryesore që ju konstatoni se mund të kthehen në pengesë për mbarëvajtjen e këtij sezoni që është duke ardhur?

Problematikat mbeten pak a shumë të njëjta nga viti në vit. Ka një lloj përmirësimi disi në lidhje me infrastrukturën, të paktën në zonën e Golemit, ku janë të përqendruar kryesisht grupet e turistëve të huaj. Në takimet që ne kemi pasur vit për vit me institucionet, bëhen shumë premtime se do të zgjidhen problematikat, por sa herë vjen sezoni i shohim që një pjesë e mirë mbeten pa zgjidhur.

Diferenca mes angazhimit të privatëve dhe institucioneve publike është e madhe. Hotelet janë angazhuar shumë dhe kanë përparuar mjaft në cilësi e shërbim për t’ju përgjigjur zhvillimeve, kurse infrastruktura ka përparuar me ngadalësi, por gjithsesi le të themi që po ecën mirë. Shqetësimet tona kryesore mbeten dy.

Së pari është situata politike, e cila lë për të dëshiruar dhe nuk është ende e qartë si dot përfundojnë këto protesta, që siç flitet mund të shkojnë në mosbindje civile. Nëse ndodh kjo, është një goditje e madhe për sektorin. Shqetësimi i dytë është ai për aktivitetin informal që ekziston në këtë sektor. Ne kemi konstatuar raste kur vijnë individë të palicencuar nga jashtë shtetit dhe shesin ekskursione brenda Shqipërisë, organizojnë tip safari.

Aktivitetet janë pa marrë asnjë licencë dhe deformojnë tregun. Më e keqja është kur deformohen të vërteta historike dhe ku turistëve u thuhet se Kruja ka qenë qendër historike e Serbisë apo Berati i Bullgarisë. Nuk ka asnjë institucion që i kontrollon dhe nuk paguajnë as taksa për aktivitetin që ushtrojnë në territorin shqiptar.

Po kështu, ata dëmtojnë imazhin e atyre që janë të licencuar dhe profesionalë, sepse turistët krijojnë një lloj pritshmërie dhe mund të përfundojnë të zhgënjyer. Ne e kemi kërkuar me ngulm edhe më herët që duhet të krijohet Inspektorati i Turizmit, për të kontrolluar situatën në këtë sektor, por që ende sot, pavarësisht se është lakuar disa herë, mbetet një strukturë inekzistente.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of