Përpunuesit e qumështit, në “stres” nga koronavirusi, “rrezikohet” furnizimi me djathë

17/04/2020 10:04 PM 0 komente

Pandemia e koronavirusit po shkakton probleme te përpunuesit e qumështit, edhe pse disa kompani shprehen se shitjet janë të larta. Te sipërmarrjet, që punojnë me grumbullime sezonale, po krijohen probleme te rezervat e djathit, të domosdoshme për t’u shitur në muajt e verës, kur nuk ka prodhim të lartë të qumështit.
Përpunuesit e qumështit të fermave të mëdha shohin si shqetësim sigurimin e bazës ushqimore për kafshët, pasi kjo periudhë përkon me fillimin e mbjelljeve në bujqësi. Humbjet më drastike po shkaktohen te fabrikat, të cilat shitjet e produkteve i kanë më shumë të orientuara te lokalet e restorantet. Përfaqësuesit e tyre pohojnë për 80% rënie të qarkullimit të xhiros.

 

Nga Dorina Azo

Xhevahiri dhe vëllai i tij Shabani nga Zall Herri do të dëshironin që koronavirusi të mos kishte ardhur fare, ose të paktën të vinte në një periudhë tjetër dhe jo pikërisht tani, që prodhimi i qumështit nga lopët është në pikun e vet. Shumë të shqetësuar dhe të mërzitur nga situata e COVID-19, nuk e fshehin zhgënjimin për humbjen me 50% të shitjes së qumështit në këtë periudhë. Xhevahiri dhe Shabani janë fermerë të vegjël që kanë njëri 10 krerë lopë dhe tjetri 13 të tilla.

Ata bashkojnë forcat në këtë periudhë të vitit, për të marrë maksimumin nga shitja e qumështit, që në kohë normale do të ishte rreth 100 litra në ditë. Mirëpo koronavirusi ka ulur në gjysmën e shitjeve të ardhurat e tyre tani, për shkak të kushteve të krijuara, ku distancimi social dhe rregullat e qeverisë në këtë gjendje të pazakontë sjellin edhe ndërprerje apo bllokim të zinxhirit të prodhimit dhe shitjes për fermerët e vegjël.

“Masat distancuese dhe frika e të gjithëve, edhe klientëve, na detyrojnë që të reduktojmë shitjen. Edhe lëvizja nga fshati në qytet nuk është më kaq e thjeshtë për shkak të lejes që duhet të marrësh për të lëvizur. Orari i lëvizjes është gjithsesi i kufizuar. Disa prej dyqaneve ku ne shisnim e kanë pezulluar aktivitetin dhe puna është pakësuar. Aktualisht punojmë vetëm përmes kontaktit me telefon. Shitja ka rënë 50% në krahasim me periudhën normale”, shprehet Xhevahiri. Ai dhe vëllai i tij parapëlqejnë që qumështin ta shesin vetë, duke kontaktuar drejtpërdrejt me dyqanet e vogla dhe të mos e çojnë te baxhot për shkak të çmimit të pafavorshëm dhe të ulët sipas tyre që këto pika mbledhin qumështin.

Mirëpo nëse fermerët e vegjël si Xhevahiri, kanë problemin se nuk mund të marrin mjaftueshëm nga shitja e qumështit dhe të justifikojnë orët e panumërta të harxhuara pranë kafshëve me pjesëtarët e familjes apo shpenzimet për ushqimin që u japin, edhe fermat e mëdha nuk janë pa probleme.
Petrit Ago, i cili zotëron një fermë me 400 krerë lopë, 1500 dele dhe 400 dhi alpine me perspektivën për t’u rritur për vitin 2020, thotë se situata e prodhimit të djathit do të jetë problematike. Zoti Ago shprehet se në këtë periudhë, kërkesa për produktet djathë me feta, djathë kaçkavall dhe gjizë është shumë e lartë në krahasim me periudhat normale.

“Produktit i djathit është konsum familjar. Në këtë periudhë që po kalojmë, konsumi i djathit është shumë i madh, pasi është një produkt që pasi blihet konsumohet menjëherë. Konsumi për këtë periudhë është rritur 100% në krahasim me periudhat normale. Kjo do të krijojë në të ardhmen mungesën e produktit. Në fermën tonë, djathi nuk shitet pa 60 ditë staxhionim. Sot që flasim, nuk kam asnjë teneqe me produkt të staxhionuar në fabrikë. Pra janë shitur që të gjitha”, thotë zoti Ago.

 

Konsum i lartë i djathit

Në këtë periudhë që po kalojmë, konsumi i djathit është shumë i madh, pasi është një produkt që pasi blihet konsumohet menjëherë. Konsumi për këtë periudhë është rritur 100% në krahasim me periudhat normale. Kjo do të krijojë në të ardhmen mungesën e produktit.

 

Problemet priten në të ardhmen

Sipas tij, ana tjetër e medaljes është se shfaqja e koronavirusit përkon me fillimin e mbjelljeve dhe korrjeve në bujqësi. Kufizimi i lëvizjeve ka krijuar probleme te punëtorët për kultivimin e bazës ushqimore për periudhat e mëvonshme.

“Baza ushqimore për këtë vit si: jonxha, kashta, misri është siguruar që në muajt maj, qershor, korrik. Virusi në vend ka 20 ditë që është përhapur dhe përkon me një periudhë që ne i kemi marrë masat për ushqimin e krerëve, por në të ardhmen, sidomos te sektori i blegtorisë, do të krijohen probleme. Për shkak të kufizimit të lëvizjeve, do të krijohen probleme për lëndën e parë ushqyese të kafshëve. Gjithçka do të duket pas një muaji. Mendoj se kjo situatë për sektorin e blegtorisë do të krijojë probleme serioze. Nëse karantina do të vazhdojë, do të shfaqen probleme me furnizimin me lëndë të parë të blegtorisë. Kjo nuk është situatë normale, është anormale.

Deri tani nuk kemi hasur probleme me prodhimin e qumështit, por mungesa e lëndës të parë do të krijojë vështirësi në kosto dhe në mbarështimin e kafshëve”, shpjegon Ago. Për ekspozimin e punonjësve ndaj virusit, zoti Ago thotë se natyra e biznesit, ku repartet janë të ndarë me nga një person, favorizon që të mos ketë shqetësime për infektimin.

 

Efekti te prodhuesit me grumbullim sezonal

Nga kriza e koronavirusit, më shumë të prekur tek industria e përpunimit të qumështit janë ata prodhues që punojnë me krijimin e rezervave, sidomos në këtë periudhë që konsiderohet piku i prodhimit të qumështit nga kafshët. Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Sajmir Begaj, tha për “Monitor” se në këtë periudhë ka rritje të shitjeve për qumështin dhe produktet e bulmetit. Por nga ana tjetër, sipas tij, kjo po shkakton probleme me rezervat e produkteve që akumulohen për periudhën e mëvonshme.

“Ne nuk po mundemi të magazinojmë për të shitur mjaftueshëm në periudhën kur prodhimi i qumështit nuk është i lartë. Rezervat në këtë kohë duhet të krijohen, për t’i pasur në gatishmëri kur prodhimi i qumështit nga lopët të jetë i ulët, por kjo në këtë periudhë është e pamundur. Në verë, prodhimi i qumështit bie, ndërkohë që shitjet rriten”, sqaron Begaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni” thotë se problem tjetër është edhe mungesa e likuiditetit në kohë, për shkak të vonesave në pagesa nga klientët që furnizohen. “Janë krijuar probleme me vonesat e pagesave të subjekteve që furnizojmë. Vonesat po krijohen nga një pjesë e subjekteve, janë rreth 40% e tyre, duke përfshirë edhe subjekte të mëdha që vonojnë pagesat. Arsyet e vonesave, sipas subjekteve, është se kur mbyllet puna, mbyllen edhe bankat dhe nuk arkëtohen paratë, ose sepse ka radhë në shërbim. Por kjo po na krijon probleme te likuiditeti, pasi nuk kemi mundësi të paguajmë fermerët nëse nuk arkëtojmë paratë e shitjes. Vonesat shkojnë nga 2 deri 3 muaj”, thotë z. Begaj.

Për sa u takon çmimeve, zoti Begaj thotë se në këtë periudhë pandemie nuk do të ndryshojnë. Pas kalimit të krizës do të shihet mundësia e një rritje të çmimit, pasi me këto kosto prodhimi është i pamundur.
Për shkak të ndryshimeve në skemën e TVSH-së në vitin 2019, të gjitha kompanitë e përpunimit të qumështit në vend rritën çmimet e produkteve me 10%. Sipas Begajt, rritja e çmimeve erdhi për shkak të minimizimit të kostove për përpunuesit.

Ndryshimi i skemës së TVSH-së solli ndalimin e investimeve të shumë kompanive të përpunimit të qumështit, duke u orientuar vetëm drejt atyre imediate. Për shkak të rritjes të kostos, kompanitë nuk investuan në zhvillimin e teknologjisë, çka do të rriste gamën e produkteve në treg. “Nëse nuk do të kishte ndryshuar paketa fiskale, sot në treg do të hidheshin 10 produkte të reja duke i bërë ‘postbllok’ produktit të importuar”, thotë Begaj.

Sipas të dhënave të INSTAT, importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme të këtij grupi, u rritën me 22% në peshë dhe 17% në vlerë. Për vitin 2019 u importuan 23.4 milionë kg produkte bulmetore me vlerë 3.8 miliardë lekë. Që prej viti 2013, importet e produkteve bulmetore në vend janë rritur më shumë se 70% në sasi dhe po aq në vlerë.

 

Mbyllja e restoranteve shkaktoi rënie drastike të shitjeve

Pas vendimit për karantinimin e shoqërisë, të parët që u prekën nga kriza e koronavirusit ishin restorantet, baret dhe kafenetë. Mbyllja e tyre dëmtoi jo vetëm këto biznese, por edhe furnizuesit e tyre me produkte. Konsumi në restorante dhe hotele të produkteve të bulmetit ka dhënë efekte negative për disa prodhues, të cilët shitjet i kishin të orientuara te këto subjekte. “Mbyllja totale e restoranteve ka shkaktuar 80% në rënien e qarkullimit të fabrikës, pra rënia është drastike”, pohojnë përfaqësuesit e industrisë përpunuese.

Nga ana tjetër, e gjithë situata për shkak të frikës të qytetarëve ka shënuar rritje të shitjeve të produkteve te familjet. Për disa kompani të përpunimit të qumështit, mbyllja e restoranteve dhe hoteleve ka ndikuar pozitivisht te shitjet, pasi konsumi i qytetarëve është orientuar vetëm në shtëpi. “Prodhimi mbetet i njëjtë si në kohë normale, pasi kjo është një periudhë që përkon me pikun e prodhimit të qumështit të lopës, deles dhe dhisë, ndërsa shitjet e produkteve kanë shënuar rritje. Kjo na ka ndihmuar që të përballojmë me sukses furnizimin e popullatës me qumësht dhe nënproduktet e bulmetit për këtë periudhë”, pohon përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”.

 

INTERVISTA / Flet Sajmir Begaj, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”

 

“Pas kalimit të krizës do të shihet mundësia e një rritje tjetër të çmimeve”

 

Rriten shitjet e qumështit, por përpunuesit janë në vështirësi për rezerva djathi për verën

 

Përpunuesit e qumështit, që prodhojnë produktet e bulmetit me grumbullim sezonal në periudhën e pandemisë, po përballen me vështirësi në grumbullimin e rezervave.

Sajmir Begaj, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, në intervistën për “Monitor” thotë se rritja e shitjeve po e bën të pamundur krijimin e rezervave të djathit të bardhë dhe kaçkavallit për periudhën e verës. Begaj shprehet se, nga ana tjetër, po shfaqen probleme në likuiditet, pasi 40% e subjekteve nuk kryejnë në kohë pagesat. Ndryshimet e skemës të TVSH-së në 2019 dëmtuan këtë industri, e cila paralajmëron se për të rikuperuar humbjet pas përfundimit të pandemisë do të rrisë sërish çmimet e produkteve.

Çfarë ka ndodhur me shitjet e qumështit dhe produkteve të tjera të bulmetit në periudhën e pandemisë?

Kompania po punon me kohë të plotë, por mbetet vështirësi furnizimi i subjekteve për shkak të ekspozimit të madh të punonjësve për t’u prekur nga virusi. Po punohet me stres, pasi jemi të ekspozuar ndaj infektimit. Ne grumbullojmë qumështin derë më derë, por edhe e shesim derë më derë në të gjithë Shqipërinë.

Shitjet janë rritur për shkak të frikës të qytetarëve dhe marrin sasi të madhe të produkteve. Te shitjet ka ndikuar edhe mbyllja e restoranteve, dhe konsumi i qytetarëve është orientuar vetëm në shtëpi. Për sa i përket prodhimit, ai mbetet i njëjtë si në kohë normale, pasi kjo është një periudhë që përkon me pikun e prodhimit të qumështit të lopës, deles dhe dhisë. Kjo na ka ndihmuar që të përballojmë me sukses furnizimin e popullatës me qumësht dhe nënproduktet e bulmetit për këtë periudhë.

A jeni përballur me vështirësi në prodhimin e produkteve të qumështit?

Rritja e madhe e shitjeve po na shkakton probleme me rezervat që ne akumulojmë për periudhën e mëvonshme. Ne nuk po mundemi të magazinojmë për të shitur mjaftueshëm në periudhën kur prodhimi i qumështit nuk është i lartë. Në verë, prodhimi i qumështit bie, ndërkohë që shitjet rriten. Tepricat e qumështit për këtë periudhë ne i përpunojmë, si djathë të bardhë apo kaçkavall lope dhe i magazinojmë për t’u shitur gjatë verës.

Në këtë periudhë, kur rritet kërkesa për produkte të freskëta, ne ndërpresim prodhimin e djathit dhe kaçkavallit dhe të gjithë sasinë që ishte orientuar për këtë prodhim e orientojmë për produkte të freskëta. Ky është ekuilibri që ne kemi gjetur për të plotësuar nevojat e tregut. Na jënë shfaqur probleme me vonesat e pagesave të subjekteve që furnizojmë.

Gjithashtu po hasim vështirësi në qarkullimin e punonjësve me mjetet e tyre, ndërsa me mjetet e punës nuk kemi hasur probleme. Gjatë fashës së orarit të lëvizjeve po punojmë për furnizimin e dyqaneve. Pas orës 13:00 puna vazhdon për procese të tjera deri në orët e vona të natës dhe ka krijuar pak probleme në qarkullimin e punonjësve.

Pse po krijohen vështirësi në vonesat e pagesave nga subjektet, nuk kanë aftësi pagesë për furnizimin?

Vonesat e pagesave po krijohen nga një pjesë e subjekteve, janë rreth 40%, duke përfshirë edhe subjekte të mëdha që vonojnë pagesat. Arsyet e vonesave, sipas subjekteve, është se kur mbyllet puna, mbyllen edhe bankat, dhe nuk arkëtohen paratë, ka radhë. Por kjo po na sjell probleme te likuiditeti, pasi nuk kemi mundësi të paguajmë fermerët nëse nuk arkëtojmë paratë e shitjes. Vonesat shkojnë nga 2 deri 3 muaj.

Një subjekt i madh merr furnizim nga data 10 deri në 30. Ndërkohë që deri në datën 2, malli është shitur dhe të nesërmen bën porosi tjetër. Nga ne kërkohet pagesa për muajin që mbyllet në datën 10 të muajit pasardhës. Por pagesa vonohet deri në datën 25 të muajit pasardhës për arsye të radhëve në bankë, orarit të reduktuar dhe shkon deri në datën 15 të muajit tjetër. Pra pagesa vonohet 3 muaj.

A pritet në këtë periudhë pandemie, për shkak të vështirësive që po hasni në përpunim, ndryshime të çmimeve të shitjes së produkteve?

Ndryshimet fiskale që u bënë në fund të vitit 2018 na kanë shkaktuar dëm shumë të lartë. Kishim planifikuar për të kryer investime të cilat u ndërprenë, pasi 14% e çmimit që rimbursohej nga fermerët e vegjël u faturua tek ne, me qëllim që të mos ulej furnizimi me qumësht nga fermerët. Kjo ndikoi pak në çmime për të kompensuar diferencën e llogaritur të TVSH-së.

Po ashtu ndryshim të çmimeve pati edhe më 1 janar të djathit, pasi çmimi i qumështit të deles ka shënuar rritje. Çmimi mesatar i qumështit është marrë 90-95 lekë/litër, kurse sot është 115-120 lekë/litër dhe parashikohet që të shkojë sërish drejt rritjes. Në këtë periudhë pandemie nuk do të ndryshojnë çmimet e produkteve. Pas kalimit të krizës do të shihet mundësia e një rritje tjetër të çmimit, pasi me këto kosto prodhimi është i pamundur. Nëse nuk do kishte ndryshuar paketa fiskale, sot në treg do të hidheshin 10 produkte të reja duke i bërë “postbllok” produktit të importuar. Mundësia për t’i prodhuar nuk është, pasi kemi kryer vetëm investimet imediate, të tjerat mbeten për një moment të dytë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of