Përputhja me standardet e integritetit në projektet e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor

17/07/2021 10:02 PM 0 komente

Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm për t’u siguruar që korrupsioni në projektet e infrastrukturës dhe prioritetet e gabuara të mos prishin një plan financiar prej 30 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, shkruajnë një grup autorësh, sipas Euractiv.

Autorët – Albana Rexha, Aleksandar Macura, Ana Krstinovska, Ardian Hackaj, Gresa Smolica, Jelica Minic dhe Marko Sosic – përfaqësojnë disa grupe think tank që luftojnë për arritjen e integritetit në projektet e infrastrukturës.

Deri në 30 miliardë euro do të financohen në shërbim të rimëkëmbjes, zhvillimit ekonomik dhe tranzicionit të gjelbër në vendet e Ballkanit Perëndimor për shtatë vitet e ardhshme, nga të cilat 9 miliardë euro do të jenë grante të siguruara nga BE.

Kjo shumë përfaqëson një rritje cilësore të ndihmës financiare për rajonin drejt një modeli zhvillimi të bazuar në projekte që shkojnë paralelisht me reformat e vendit. Sidoqoftë, ajo që nuk është reformuar, të paktën deri tani, është qeverisja e mekanizmit e cila bën të mundur përparimin e projekteve më të rëndësishme për të siguruar efikasitetin e tyre.

Megjithëse janë ndërmarrë përpjekjet dhe janë caktuar burime të konsiderueshme për përgatitjen e dosjeve të financimit, problemet e brendshme që ndikojnë drejtpërdrejt në zbatimin e tyre të suksesshëm, trajtohen vetëm pjesërisht, dhe shpesh, nuk trajtohen aspak.

Korrupsioni, i përmendur si një dobësi strukturore e Ballkanit Perëndimor në raportet e BE-së, nuk është identifikuar si një “aspekt kryesor” që kushtëzon suksesin e Programit Europian të Investimit në takimin e WBIF, në dhjetor 2020.

Nevoja për kushte specifike nga BE në lidhje me shpërndarjen e shumës prej 30 miliardë eurosh, është shoqëruar me nevojën për reforma shtesë, pa specifikuar standardet, ose mekanizmin “carrot and stick”. Prania në rritje e aktorëve të tretë në rajon nuk shfaqet në listën e rreziqeve të WBIF.

Një Plan i Veprimit për Vonesat pranon se ka shumë sfida për zbatimin e shpejtë të projektit, siç janë ndryshimet në kërkesat e projektit, cilësia e ulët e përgatitjes, ndryshimet e strategjive të prokurimit, përfshirja e ulët e përfituesve dhe ndryshimi i përparësive pas ndryshimit të qeverive.

Por strategjitë e propozuara janë të kufizuara në krijimin e një “sistemi monitorimi dhe raportimi”. Megjithëse rrit transparencën, sistemi nuk arrin të trajtojë dot shkakun e problemeve të identifikuara.

Problemet e Axhendës së Lidhshmërisë lidhen me problemet e qeverisjes brenda vendit. Kur flasim për qeverisje të mirë në projektet e infrastrukturës, flasim për implikimet praktike dhe të prekshme të zbatimit të shtetit ligjor në jetën e përditshme të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Në metodologjinë e re të zgjerimit, progresi i arritur kushtëzon përparimin e negociatave në fushat e transportit, energjisë ose dixhitalizimit.

Por në rastin e infrastrukturës së mbështetur nga BE, qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk do të kenë nevojë të konsultohen me raportet e Progresit të BE-së për të mësuar në lidhje me përparimin e reformave dhe se si ato mund të ndikojnë në jetën e tyre.

Përveç ndikimit të saj të drejtpërdrejtë te qytetarët, infrastruktura është një element kryesor i zgjerimit, pasi mund të vonojë progresin ekonomik dhe reformat e parashikuara në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prioritizimi i gabuar i infrastrukturës mund të ndikojë në parashikimet ekonomike afatmesme. Tejzgjatja financiare në financimin e projektit dhe çdo detyrim që rezulton nga kjo, do të ndikojë në planet buxhetore 3-vjeçare; korrupsioni në punët publike do të rrezikojë axhendat e reformave strukturore.

Për më tepër, shfaqja e nismave të lidhshmërisë në të gjithë botën do të ndihet padyshim edhe në Ballkanin Perëndimor.

Në rajon, kemi dëshmuar prioritete paralele: një që prodhon projekte të maturuara sipas metodologjisë së BE-së dhe të tjerë që i japin përparësi dhe financojnë projekte të infrastrukturës përmes mekanizmave dhe kritereve të ndryshme dhe të palidhura me ato të BE-së. Disponueshmëria e burimeve alternative të financimit për projektet që nuk përmbushin kriteret e BE-së, dobëson faktorin e kushtëzimit të BE-së.

Procesi i Berlinit me fokusin e tij në lidhshmëri, ka vënë theksin mbi rolin që luan infrastruktura në zgjerim, jo vetëm për shkak të kapacitetit financiar, por edhe për ta bërë të prekshme fuqinë transformuese të BE-së.

Së fundmi, që nga viti 2014, kemi të bëjmë me projekte specifike në vendndodhje specifike dhe jo vetëm me madhësinë e fondeve të transferuara nga BE-ja te qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor tani e dinë më mirë se ku shkon një pjesë e konsiderueshme e parave të BE-së.

Ata gjithashtu mund të krahasojnë projektet e mbështetura nga BE me ato të qeverisë dhe të shikojnë ndryshimet në kosto dhe cilësi. Grupe të specializuara think tank, kanë përfituar nga kjo mundësi dhe kanë nxjerrë që nga viti 2015, raporte të ndryshme monitorimi, analiza vlerësimesh dhe propozime.

Ata kanë sjellë njohuritë e tyre unike të kontekstit lokal dhe ekspertizën në përballimin e sfidave me sundimin e ligjit, që ndikojnë drejtpërdrejt në projektet e infrastrukturës të axhendës së lidhshmërisë.

Pasojat e ligjeve të posaçme të hartuara për kontraktimin e projekteve të infrastrukturës dhe mungesa e një plani kombëtar zhvillimi në Serbi, prioritizimi politik i autostradave në Kosovë, degët alternative të projekteve kombëtare në Mal të Zi, cilësia e ulët e përgatitjes së projekteve në Maqedoninë e Veriut, ndikimi mjedisor në Bosnjë-Hercegovinë, përdorimi i konsiderueshëm i PPP-ve dhe ndryshimi i parametrave të projektit në Shqipëri, janë diskutuar të gjitha si tema në Forumin e Shoqërisë Civile të organizuar në Berlin në qershor 2021.

Duke ndërhyrë në mënyrën e planifikimit dhe implementimit të infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor, grupet think tank, organizatat e specializuara të Ballkanit Perëndimor dhe Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC), po përpiqen të eliminojnë deficitin demokratik në krijimin e politikave, duke kontribuar në efikasitetin e mënyrës se si shpenzohen paratë e taksapaguesve në rajon.

Rishikimi aktual nga BE mbi mënyrën e shpenzimit të buxhetit prej 12.9 miliardë eurosh në 7 vitet e ardhshme, është një mundësi e shkëlqyer për të marrë parasysh rolin e pazëvendësueshëm që kanë organizatat e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Integrimi i elementeve bazë në Planin Ekonomik dhe të Investimeve nuk do të jetë i suksesshëm pa përfshirjen dhe fuqizimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Grupet lokale think tank dhe OSHC-të janë një aktor kyç në këtë përpjekje.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of