Përqasja populiste është e vonuar

13/06/2017 3:52 PM 0 komente

Flet Edlira Mali, eksperte marketingu dhe komunikimi

 

Edlira Mali, eksperte marketingu dhe komunikimi thotë se ndonëse fushatat e partive politike në Shqipëri i kanë shtuar dukshëm tiparet e marketingut populist, kjo përqasje është e vonuar, pasi duhet të kishte filluar shumë më përpara. Ajo shton se në mënyrë që programi dhe strategji politike, që liderët duan të komunikojnë, të mirëpriten dhe përkrahen nga elektorati, ato duhet të fillojnë pikërisht atje ku ai është, duke e përfshirë këtë të fundit si palë në hartimin e këtyre strategjive.

Si po evoluon marketingu politik në Shqipëri?

Në këndvështrimin tim, fushatat aktuale zgjedhore kanë rritur ndjeshëm përdorimin e elementëve të marketingut politik. Aktualisht përdoren aspekte të ndryshme të marketingut në disa raste me shumë finesë, por ato janë ende veprime të shkëputura nga njëra-tjetra, të cilat nuk krijojnë një cikël të plotë me një strategji të qartë veprimi. Në pamje të parë nga jashtë, kanë ngjashmëri me veprimet e partive apo politikanëve të vendeve ku ka lindur marketingu politik i mirëfilltë si SHBA-të apo Britania e madhe, por dallimi me këto të fundit është pikërisht mungesa e një cikli të plotë që ka një linjë të vazhdueshme logjike dhe ideologjike që të përshkojë çdo element dhe aspekt të saj.

Suksesi i një fushate marketingu të mirëfilltë varet shumë nga koha dhe energjia që i kushtohet çdo faze të fushatës duke pasur si pikënisje fazën që lidhet me studimin, njohjen e publikut dhe të kuptuarit se çfarë vërtetë i nevojitet atij, e cila pasohet me fazën e analizës së mundësive për t’i arritur dhe hartimin e planeve/programeve qeverisëse që i përgjigjen këtyre kërkesave, duke vijuar me menaxhimin e fushatave efektive për t’ia komunikuar të gjitha këto audiencës së synuar, elektoratit gri, për të mos harruar fazën e analizës dhe reflektimeve. Ndonëse fushatat e partive politike në Shqipëri i kanë shtuar dukshëm tiparet e marketingut populist, kanë harruar ose injoruar faktin që lidhja me vendimmarrësin/votuesin nuk mund të krijohet vetëm në momentin kur partitë duan t’i komunikojnë këtij të fundit programet apo strategjitë e tyre politike, por shumë më përpara. Në mënyrë që këto programe dhe strategji politike të mirëpriten dhe përkrahen nga elektorati, ato duhet të fillojnë pikërisht atje ku ai është, duke e përfshirë këtë të fundit si palë në hartimin e këtyre strategjive. Sot në marketingun e produkteve dhe shërbimeve, kompanitë më të suksesshme në botë synojnë që t’i përfshijnë sa më shumë konsumatorët në realizimin e këtyre produkteve dhe shërbimeve. E njëjta strategji sjell sukses edhe në marketingun e partive politike. Për hir të së vërtetës, në fushatat e fundit elektorale, janë shfaqur elemente të tipareve të përfshirjes së elektoratit, si takimet gju më gju me popullin, vizitat dhe takimet në vendet e punës, në ambientet e kohës së lirë etj. Por për nga mungesa e natyralitetit në organizimin dhe realizimin e tyre, këto janë perceptuar më tepër si përpjekje për show mediatik nga ana e partive politike apo politikanëve të caktuar, një pjesë e të cilëve janë munduar që të kopjojnë në mënyrë jo të suksesshme liderë të ndryshëm, madje në disa raste edhe drejtuesin e forcës politike që ata përfaqësojnë.

Cilët gjykoni se janë elementet e reja të fushatës?

Fushata e përhershme është një nga elementet e përdorura gjerësisht vitet e fundit, kryesisht nga dy partitë e koalicionit qeverisës. Nga njëra anë, PS me komunikimin e vazhdueshëm me publikun nëpërmjet trumbetimit të punës së përditshme dhe arritjeve në mbajtjen e premtimeve të bëra, duke punuar në drejtim të fushatës së ardhshme për të mbajtur të vazhdueshëm komunikimin me publikun dhe elektoratin, e cila ndikon jo vetëm në aktivizimin e memories afatgjatë dhe afatshkurtër të elektoratit gri, por krijon edhe terrenin e favorshëm që intensifikimi i komunikimit dhe lavdërimeve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore të duket si një vijim i komunikimit normal të një qeverie, që synon të zgjasë mandatin e saj. Nga ana tjetër, LSI e cila ka zgjedhur që fushatën e saj të përhershme ta fokusojë në një drejtim tjetër, duke investuar në segmentimin e elektoratit të saj dhe duke u përqendruar me mesazhe dhe mënyra të specializuara komunikimi me secilin prej tyre. Përqendrimi tek brezi i ri, në drejtim të edukimit gërshetuar me argëtimin e këtij të fundit konsiderohet si një investim afatshkurtër për të siguruar bazën jo vetëm të aktivistëve vullnetarë, të cilët transmetojnë mesazhet e kësaj force politike tek bashkëmoshatarët dhe familjet e tyre për të siguruar mbështetjen në zgjedhjet e ardhshme, por edhe duke investuar në mënyrë strategjike të ardhmen e kësaj force politike pikërisht nëpërmjet investimit tek e ardhmja e shoqërisë, tek brezi i ri.

Edhe kjo fushatë nuk i ka shpëtuar praktikës së shumëpërdorur të marketingut negativ, ndaj kundërshtarit, madje duket sikur në Shqipëri kjo është e vetmja formë e marketingut politik që dominon. Personalisht nuk mendoj se marketingu negativ ka efekt në krijimin e bindjeve tek elektorati për të votuar në një drejtim apo në një tjetër, sepse kritikat ndaj palëve kundërshtare, nuk i rrisin vlerat e një force politike apo të politikanëve të caktuar. Elektorati sot kërkon të kuptojë se sa ti (politikani, apo forca politike) e njeh atë vetë dhe se si do të sigurosh që nëpërmjet votës që kërkon prej tij do të sigurosh t’i përgjigjesh kërkesave dhe nevojave të tij për jetesë normale, të ardhme të sigurt dhe zhvillim të mëtejshëm. Dhe negativiteti i marketingut të partive politike nuk i përgjigjet kësaj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of