Avantazhe konkurruese, blerje dhe investime strategjike. Për të matur qëndrueshmërinë dhe perspektivën e një kompanie, shpesh harrojmë fjalën rreth së cilës vërtitet i gjithë biznesi: besimi.
Dihet se marrëdhënia emocionale midis çfarëdolloj kompanie dhe klientëve të saj, por edhe marrëdhënia e kompanisë me punonjësit e vet, është motori i zgjedhjeve, bashkimit, besnikërisë.
Sipas një studimi të Accenture, është edhe një koncept i matshëm, rezultat i përvojave të përsëritura që bazohen në aftësi, transparencë, përkushtim dhe integritet. Ato krijojnë një vlerë të përbashkët, të matshme dhe, mbi të gjitha, strategjike – humbja e besimit nga përdoruesit, bashkëpunëtorët, madje edhe të mediave, mund të sjellë kritika të padurueshme.
Çështja bëhet edhe më e rëndësishme nëse mendojmë evolucionet – apo revolucionet – teknologjike që po ndodhin, duke filluar nga Inteligjenca Artificiale. Skenarë imagjinarë të makinave që vendosin vetë, rebelohen kundër programuesve të tyre dhe bëjnë zgjedhje të pakuptueshme kanë pushtuar filmat dhe u fusin frikën atyre që i shohin. Për fat të mirë, realiteti monitorohet dhe është premtues.
Raporti i fundit i “AI Momentum, Maturity and Models for Success” tregon se shqetësimi kryesor i 72% të kompanive që përdorin tashmë sisteme të Inteligjencës Artificiale është t’i bëjnë ato të “besueshme”. 70% e drejtuesve të intervistuar u kërkojnë programuesve të kompanisë që të marrin pjesë në trajnime mbi çështjen e etikës, kurse 63% ka krijuar komitetet e etikës për të kontrolluar Inteligjencën Artificiale.
Shqetësimi është krijimi i një kornize të qëndrueshme etike dhe një tërësi udhëzimesh konkrete që mund t’i bëjnë zgjedhjet e sistemeve të Inteligjencës Artificiale të sigurta, transparente, lehtësisht të shpjegueshme dhe përgjegjëse për rezultatet që japin. Synimi është shmangia e efekteve anësore që mund të rrezikojnë besimin mes kompanisë dhe aktorëve të tregut, si në rastin e vendimeve të njëanshme ndaj grupeve të veçanta të njerëzve, të krijuara nga vlerësime të gabuara të Inteligjencës Artificiale. Kohët e fundit ka pasur shumë diskutime për trajtime të padrejta në sektorin e financave – për shembull në dhënien e kredive – për shkak të paragjykimeve të përfshira në algoritme.
Është e rëndësishme që edhe vetë punonjësit e një kompanie t’u besojnë zgjedhjeve të Inteligjencës Artificiale. Raporti tregon se 20% e të intervistuarve ankohen për rezistencën e punonjësve ndaj Inteligjencës Artificiale; madje 57% kanë frikë se kjo mund të ndikojë negativisht në marrëdhënien mes pjesëtarëve të ekipit. 60% shton shqetësimin rreth pasojave që mund të ketë në marrëdhëniet me klientët, për shkak të marrjes së vendimeve të gabuara, duke u besuar sistemeve të Inteligjencës Artificiale. Për shembull, hipoteza që vlerësimet “e ftohta” të privuara nga elementi njerëzor, mund të ulin ndjeshmërinë e përdoruesve apo klientëve.
Aftësia unike, për të mësuar, e Inteligjencës Artificiale – tërësia e proceseve që njihen edhe si machine learning, gjeneron ankth, por krijon edhe mundësinë për të eksperimentuar praktika që mund të bëhen gur themeli për kompanitë dhe sektorë të tjerë në të ardhmen. Duke nisur nga monitorimi periodik, ditor apo javor, të rëndësishme për të fituar besimin tek Inteligjenca Artificiale dhe njohja e vendimeve të marra nga teknologjia.
Megjithatë, kontrolli nuk mund të ekzagjerohet. Inteligjenca Artificiale, për vetë natyrën e saj, duhet të mbledhë dhe të përpunojë të dhënat në autonomi, në mënyrë që të rritet dhe zhvillohet. Ndër të tjera, është e rëndësishme formimi i specialistëve dhe programuesve, në mënyrë që të fusin në një masë të caktuar fleksibilitetin tek algoritmet e Inteligjencës Artificiale. Aftësia e gjykimit njerëzor nuk është tërësisht e riprodhueshme, por fleksibiliteti është jetik që bashkëpunëtorët, përdoruesit dhe klientët të fitojnë besimin te sistemet e reja.
Besimi tek Interneti
Sektori i automatizimit dhe mobilitetit, me progresin te makinat pa shofer, po i japin një zhvillim të rëndësishëm analizave në sektorë të caktuar. Interneti i Gjërave do të krijojë mundësi të reja për të eksploruar, duke zgjeruar perimetrin e praktikave të tjera. Në këtë pikë, fjalët kyç janë vëmendje dhe durim, që jo rastësisht janë bazat për çfarëdo marrëdhënie besimi.
Burimi: Business Insider