Më 29 Tetor 1969 lind Arpanet, lidhja e parë mes dy kompjuterëve. Bëhet fjalë për një rrjet të realizuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara për qëllime ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë. Askush nuk e imagjinonte që ajo do të ishte një shkëndijë për një nga projektet më të mëdha civile – një rrjet global që lidh gjithë Tokën.
Pas pak ditësh, më 29 tetor, interneti mbush 50 vjeç. Edhe pse lindja e World Wide Web daton 20 vite më vonë, më 12 mars 1989, kur Tim Berners-Lee paraqiti një propozim hulumtues mbi sistemet e menaxhimit të informacioneve, një hap i rëndësishëm për zhvillimin e rrjetit u bë pikërisht në vitin 1969, kur njeriu u ul për herë të parë në Hënë.
Më 29 tetor 1969 u transmetua paketa e parë e informacioneve, nëpërmjet një rrjeti të gjatë 650 kilometra. Transmetimi ndodhi nga Los Anxhelos drejt një pajisje të lidhur në Stanford Research Institute. Kompjuterët komunikuan mes tyre, duke transmetuar germat “L” dhe “O” të fjalës “Login”. Pas marrjes së dy shkronjave të para, rrjeti pësoi kolaps dhe sinjali u ndërpre. Por ai moment shërbeu si shkëndijë.
Më pas Tim Berners-Lee realizoi World Wide Web. Në tetor të vitit 1994, gjithnjë Barners-Lee krijoi World Wide Web Consortium (W3C) për të drejtuar rrjetin dhe për të rritur potencialin e tij, duke zhvilluar protokolle të përbashkëta që të mund të bënin evoluimin e tij dhe të siguronin ndërveprimin. Dalëngadalë, interneti u shndërrua në një mjet popullor dhe falë përdorimit të browser dhe postës elektronike, gjithnjë e më shumë përdorues nisën të përdorin rrjetin për punë apo për qëllime të tjera komunikimi.
Me lindjen e chat-eve dhe forumeve, përdoruesit nisën të bashkëveprojnë më shumë mes tyre duke e shndërruar rrjetin në një formë të drejtpërdrejtë ndërveprimi. Mes viteve 2004 – 2005, falë Tim O’Reilly, i cili organizoi një sërë konferencash për të përhapur mjetet e reja për të komunikuar në mënyrë dixhitale, u krijua termi “Web 2.0” dhe u përurua faza e dytë e zhvillimit të rrjetit.
Blog-et, enciklopeditë dixhitale, rrjetet sociale janë një evoluim i shërbimeve që ofron interneti. Sot, rrjeti ka përpara sfida të reja, që etërit e tij, si Tim Berners-Lee kërkojnë të përballen pa u vonuar.
Burimi: Wired