Perseverance zbret në Mars

19/02/2021 10:11 AM 0 komente

Misioni Mars 2020 i NASA-s zbret në Planetin e Kuq

 

Misioni përfundoi me sukses. Perseverance, rover i misionit Mars 2020, u ul në Planetin e Kuq, pas një udhëtimi që nisi më 30 korrik të vitit të kaluar. Roboti me rrota, i realizuar nga Jet Propulsion Laboratory i NASA-s,u ul në kraterin Jezero, duke marrë me vete shtatë instrumente të avancuara, për të studiuar sipërfaqen e Marsit.

Rover-i i ri do të qëndrojë në planet të paktën për një vit marsian (687 ditë, thuajse dy vjet në Tokë). Objektivi i tij është të kërkojë çfarëdo gjurme që mund të tregojë praninë, në të kaluarën, të jetës. Për ta bërë këtë, do të drejtohet nga helikopteri Ingenuity i cili do të nisë provat në pranverë të vitit 2021.

Zbritja e Perseverance u transmetua drejtpërdrejt nga NASA, duke nisur në orën 20:15 (me orën tonë lokale) ndërsa ulja ndodhi rreth orës 22:00. Ishin shtatë minuta terrori që sollën anijen Mars 2020 nga orbita e Marsit thuajse në sipërfaqen e tij, ku, nga 20 metra lartësi, u ul rover. Duhet të kujtojmë se komunikimi midis planetit tonë dhe Marsit vonohet me rreth 22 minuta në vajtje-ardhje, kështu që i gjithë operacioni i zbritjes u zhvillua plotësisht automatikisht. Dhe tani, Mars 2020 vazhdon drejtpërdrejt nga Planeti i Kuq.

 

 

Në 20 vitet e fundit, Mars Exploration Program i NASA-s ka treguar se Marsi, në një të kaluar shumë shumë të largët, ishte mjaft ndryshe nga sot, – një planet i ftohtë dhe i thatë. Ka prova të ndryshme që miliarda vite më parë, në Planetin e Kuq mund të ketë pasur ujë. Le të sjellim ndër mend zbulimet e Curiosity, pasardhësi i të cilit është Perseverance, për një liqen antik në kraterin Gale. Duke nisur nga këto dhe prova të tjera, shkencëtarët prej kohësh kanë ngritur pyetjen nëse në Mars ka pasur jetë më parë.

 

Objektivat e Perseverance

Objektivat kryesore të Perseverance janë eksplorimi i gjeologjisë së planetit, vlerësimi nëse mund të jetohet dhe gjetja e shenjave të jetës mikrobike që datojnë miliarda vite më parë. Zgjedhja për zbarkimin dhe për operacione e Perseverance, pikërisht në kraterin Jezero, nuk është rastësi. Ky krater, me diametër 47.5 kilometra dhe i thellë rreth 45 kilometra, në veri të Ekuatorit marsian, në të kaluarën e Marsit mund të ketë qenë një oaz, duke përfshirë ujë.

Vlerësohet se Jezero, 3 deri në 4 miliardë vite më parë, të ketë pasur një liqen dhe një deltë lumi, një akumulim sendimentesh në një zonë ku kalon një rrjedhë uji që përfshin pikërisht këto sendimente. Zona në kraterin e deltës antike të lumit mund të përmbajë ende molekula organike dhe të dhëna të tjera të mundshme të jetës mikrobike.
Një tjetër objektiv i Perseverance do të jetë të mbledhë shkëmbinj që do të transportohen në Tokë për analiza më të thelluara, duke qenë se testet robotike në Mars janë më komplekse për t’u kryer.

Ai do të duhet edhe të provojë vlefshmërinë e instrumenteve të përparuara teknologjike që mund të jenë të dobishme në të ardhmen për eksplorimet nga njerëzit. Ky nuk është një objektiv i vogël. Shpresa është, që në të ardhmen, teknologjitë do të përdoren për udhëtime në hapësirë me robotë dhe më pas për të sjellë njerëz në Mars.

Ingenuity do të jetë avioni i parë me helikë, i projektuar për të qëndruar pezull në një planet tjetër – ai do të fluturojë për një muaj brenda kraterit Jezero, zona e zgjedhur për të zbritur duke qëndruar (nëse gjithçka do të shkojë mirë) pezull për 90 sekonda deri në 300 metra lartësi. Dhe do ta bëjë gjithçka vetë, pa kontroll njerëzor, nëpërmjet komandave të përcaktuara më parë.

 

 

Pajisjet

Perseverance ka marrë me vete në Mars, shtatë instrumente. Është telekamera e avancuar Mastcam-Z, falë së cilës mund të merren imazhe panoramike dhe stereostopike (që riprodhojnë thellësinë) me mundësinë për ta afruar.

Është SuperCam, një instrument për prodhimin e imazheve që do të analizojë përbërjen kimike dhe do të studiojë mineralogjinë në distancë.

Pixl (Planetary Instrument for X-ray Lithochemistry) është një aparat që përfshin një spektrometër me rreze X që do të studiojë me rezolucion të lartë përbërjen kimike të sipërfaqes së Marsit.

Sherloc (Scanning Habitable Environments with Raman & Luminescence for Organics and Chemicals) përdor teknika të spektrofotometrisë UV për të krijuar harta të mineraleve dhe përbërjeve organike. Ai përfshin një telekamerë me ngjyra për të realizuar imazhe të strukturës mikroskopike të sipërfaqes së Marsit.

 

 

Moxie (Mars Oxygen In-Situ Resource Utilization Experiment) prodhon oksigjen nga dioksidi i karbonit dhe do të shërbejë për teste të dobishme dhe në të ardhmen – astronautët mund të përdorin teknologjinë për të prodhuar oksigjenin e dobishëm si karburant në udhëtimin Mars – Tokë.

Meda (Mars Environmental Dynamics Analyze) do të analizojë temperaturën, shpejtësinë dhe drejtimin e erërave, presionin, lagështinë relative, dimensionin dhe formën e pluhrave.

Në fund Rimfax (Radar Imager for Mars’ Subsurface Experiment) do të depërtojë nëntokë dhe do të realizojë imazhe të strukturës gjeologjike nën sipërfaqe me rezolucion në centimetër.

Burimi: Wired

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of