Rritja e eksporteve të Kinës pati një përshpejtim të papritur në muajin korrik, duke ofruar kështu një shtysë inkurajuese për ekonominë e cila po përpiqet të rimëkëmbet nga një rënie e fortë e shkaktuar nga pandemia Covid.
Megjithatë, importet mbetën në nivele të ulëta.
Eksportet u rritën me 18.0% në muajin korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ritmi më i shpejtë i rritjes për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare nga doganat, të publikuara të dielën. Rritja e muajit qershor ishte 17.9%, ndërsa pritshmëritë e analistëve për muajin korrik ishin për një rritje prej 15.0%.
Analistët prisnin që eksportet do të uleshin, për shkak të shenjave të reduktimit të konsumit në rang global.
Një studim global i fabrikave, i cili u publikua javën e kaluar, tregoi se kërkesa pati një rënie gjatë korrikut, pasi porositë dhe indekset e prodhimit ranë në nivelet e tyre më të ulëta që nga fillimi i pandemisë Covid-19, në hyrje të vitit 2020.
Sondazhi zyrtar për prodhimin në Kinë tregoi se aktiviteti pati një rënie muajin e kaluar, duke shtuar frikën se rimëkëmbja e ekonomisë nga izolimet që u vendosën gjatë pranverës, do të jetë më e ngadaltë dhe më e vështirë nga sa pritej.
Megjithatë, ka disa shenja se ndërprerjet e transportit dhe ato të shkaktuara në zinxhirët e furnizimit si rrjedhojë e izolimeve, janë duke u lehtësuar, pikërisht në kohën e duhur për transportuesit që po përgatiten për rritjen e kërkesës gjatë fundvitit.
Sasia e kontenierëve në tetë portet kryesore të Kinës u rrit me 14.5% në korrik, krahasuar me rritjen prej 8.4% të qershorit, sipas të dhënave të publikuara nga shoqata e porteve.
Sasia e kontenierëve në portin e Shangait arriti një rekord të lartë në muajin korrik.
Importet mbeten në nivele të ulëta
Rritja e importeve ishte më e ulët nga sa pritej, duke treguar kështu se konsumi i brendshëm i Kinës mbetet në nivele të ulëta.
Importet u rritën me 2.3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rritja në qershor ishte vetëm 1%. Rritja e importeve për muajin korrik ishte më e vogël se parashikimi për një rritje prej 3.7%.
Analistët presin që importet do të rriten në përmasa modeste përgjatë gjysmës së dytë të vitit, kryesisht për shkak të pajisjeve dhe mallrave që lidhen me sektorin e ndërtimit, sepse qeveria po rrit shpenzimet për infrastrukturën.
Kina shënoi një suficit tregtar rekord prej 101.26 miliardë dollarësh muajin e kaluar si rezultat i shifrës së ulët të importeve dhe rritjes së fortë të eksporteve. Analistët kishin parashikuar një suficit tregtar prej 90.0 miliardë dollarësh.
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformave, organi kryesor për planifikim e zhvillimit ekonomik të vendit, deklaroi javën e kaluar se ekonomia është në një “ҫast kritik” të stabilizimit dhe rimëkëmbjes, si dhe shtoi faktin se tremujori i tretë do të jetë “jetik” për ekonominë.
Liderët kryesorë sinjalizuan kohët e fundit se ishin përgatitur të mos kapnin objektivin e rritjes së qeverisë prej rreth 5.5% për vitin 2022, të cilin analistët e kanë konsideruar gjithnjë e më të paarritshëm pasi ekonomia mezi shmangu rënien gjatë tremujorit të dytë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në fund të korrikut uli ndjeshëm parashikimin e rritjes ekonomike të Kinës për vitin 2022, duke e ҫuar atë në 3.3% nga 4.4% që ishte në prill, si rrjedhojë e izolimeve të Covid dhe përkeqësimit të krizës në sektorin e pasurive të paluajtshme./ CNBC