Me pak përjashtime, industria përpunuese renditet ndër sektorët me normat më të ulëta të fitimit në ekonomi, me një mesatare prej 6-8%. Pjesa më e madhe e kompanive që operojnë në sektorë të tillë si prodhimi i veshjeve dhe këpucëve, përpunimi i miellit, përpunimi i qumështit rezultojnë me norma fitimi minimale (2-6%), ose dhe me humbje.
Për shkak edhe të qarkullimit vjetor të ulët (ndryshe nga sipërmarrjet e karburanteve, që ndonëse kanë norma të ulëta kthimi, kanë xhiro të lartë dhe si rrjedhojë, në vlerë fitimet janë të larta), në vlerë absolute, fitimet e pjesës më të madhe të sipërmarrjeve përpunuese nuk arrijnë as 1 milion euro.
Në 2020-n, ndryshe nga eksportuesit, që iu “dorëzuan” pandemisë për vetë ndërprerjet e shkaktuara në zinxhirin e furnizimit, sektori përpunues arriti të që ruajë norma fitimi të qëndrueshme në vitin pandemik, sidomos segmenti i mbështetur në produktet ushqimore.
Sipërmarrja më fitimprurëse është “Coca Cola”, një biznes i konsoliduar prej vitesh, me një normë bruto 19.3%, nga 20.2% në vitin 2020.
Industria më fitimprurëse në vend është ajo e ambalazhimit të ujit, që e ka të lehtë të mbyllë ciklin. “Uji i Ftohtë Tepelenë” (17.4%) dhe “Lajthiza Invest” (8.9), renditen në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve, 2020, të dyja me rritje në raport me vitin e mëparshëm.
Pandemia ofroi një shans për prodhuesit që arritën të përshtaten me shpejtësi, sidomos në industrinë tekstile. “Ambra”, fabrikë tekstilesh, rriti të ardhurat me 273%, në 1.57 miliardë lekë në 2020-n, duke iu afruar 200 më të mëdhenjve, ndërsa në listën tjetër, atë të fitimeve, u rendit në vendin e 110.
Nga humbjet prej 108 milionë lekësh në 2019-n, kompania arriti të përmbysë rezultatin, duke deklaruar fitime të larta prej 234 milionë lekësh (normë 15%). Sipas raportit vjetor, të ardhurat e shoqërisë për vitin 2020 janë realizuar nga shitja e shërbimeve në fushën e konfeksioneve, ndërsa ka pasur kontrata shtesë për prodhimin e artikujve sanitarë për eksport.
Sipërmarrjet e tekstileve dhe këpucëve janë eksportuesit më të mëdhenj në vend (me rreth 33% të totalit) dhe një ndër punëdhënësit kryesorë operojnë me norma të ulëta fitimi. Në 2020-n, ata ishin ndër më të goditurit nga rënia e kërkesës dhe ndryshe nga dy grupmallrat e tjera si metalet e nafta, që e morën veten në gjysmën e dytë të vitit, ato nuk arritën të rikuperohen, duke shënuar rënie prej 14% me bazë vjetore. Edhe në 9-mujorin 2021, eksportet e tekstileve dhe këpucëve mbeten nën nivelin e para krizës.
Por më të mëdhenjtë, ndonëse u përballën me rënie të ardhurash janë ndihmuar nga ekonomia e shkallës, dhe kanë reduktuar shpenzimet me ritme më të larta, gjë që ka sjellë përmirësim të normave të kthimit. “Fital”, më e madhja për nga qarkullimi vjetor, kishte një tregues prej 8.7%, nga 5.7% në vitin 2019, ndërsa “Albaco Shows”, nga 2.5% në 2019-n e rriti në 7.5% në vitin pandemik.
Industria e përpunimit të miellit ka arritur të rrisë normat e fitimit në 2020-s, pas rritjes së kërkesës për këtë produkt të domosdoshëm në vitin pandemik. “Atlas Millis” raportoi një normë fitimi prej 5.7%, nga 2.9% vitin e mëparshëm dhe “Shoqëria Anonime Mielli”, e përmirësoi treguesin nga 1.5% në 3%.
“Coral”, në industrinë e përpunimit të peshkut, ka shënuar rënie të normës së fitimit nga 16%, në 9.7%. Sipërmarrje të tjera po në këtë sektor kanë tregues më të ulët (“Rozafa”, 7.5% dhe “Mare Adriatik”, 5.79%), por kanë arritur ta përmirësojnë normën e kthimit në raport me vitin e mëparshëm.
Industria e qumështit ruan normat e fitimit nga konsumi i lartë, por…
Sektori i përpunimit të qumështit raporton kthime prej mesatarisht 6-8% (“Erzeni” 7.4%, “Lufra”, 6.3%), duke arritur të ruajnë norma fitimi të qëndrueshme, pasi në pandemi, kërkesa për këtë produkt bazë vijoi të ishte e lartë.
Por, përpunuesit shprehen se ndryshimi i skemës së TVSH-së, rriti kostot e prodhimeve të produkteve të bulmetit dhe më tepër, po favorizon shitjen e produkteve të importuara. Për shkak të rimbursimit më të vogël, fabrikat e përpunimit nuk mund të ulin çmimin e shitjes të qumështit të paketuar, i cili shitet më shtrenjtë se qumështi i paketuar i importit.
“Në fillim, skema automatikisht ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e kostove të fabrikës dhe çmimeve të produkteve. Nuk është normale t’i thuash fermerit se po të hiqen taksat dhe në anën tjetër, t’i vendosësh lakun në qafë industrialistit ‘që t’i mbledhë këto taksa’”, nënvizon z. Sajmir Begaj, administratori i kompanisë “Erzeni”.
Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën rishikimin e nivelit të TVSh-së 6% në blerje (faturim me 6% të TVSH për qumështin që blihet nga fermerët) dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit.
Shqetësimi kryesor për drejtuesit e fabrikave kryesore të përpunimit të qumështit mbetet shtimi i kostos nga taksat. Ndryshimet fiskale shtrenjtuan kostot e prodhimit, duke i kthyer për nga çmimi produktet shqiptare të pakonkurrueshme krahasuar me mallrat e importit. “Skema e TVSH-së po rrit shitjen e produkteve të gatshme të importit.
Përfaqësuesi i kompanisë “Lufra”, z. Luis Ndreka, pohon se ndryshimi i taksimit të sektorit të përpunimit të qumështit shtoi koston e prodhimit. “Lëndën e parë te produktet e bulmetit, që e zë qumështi, e blejmë me 6%, ndërsa e shesim me 20%. Me këto ndryshime, vlera mujore e TVSh-së që paguajmë është shumë e lartë”.
Për operatorët mbetet shqetësim pamundësia për të zgjeruar investimet nga rritja e shpenzimeve të prodhimit. “Në industrinë e përpunimit të qumështit, marzhet e fitimit janë të ulëta, gjë që e bën të pamundur zgjerimin e investimeve. Nëse nuk do të kishim fituar nga aplikimi i IPARRD, do ta kishim të pamundur që vetëm me të ardhura këtë vit të kryenim investimin prej 2 milionë eurosh. Për shkak të marzheve të ulëta të fitimit është pamundur që investimi të kthehet menjëherë, duhen të paktën 20 vjet”, tha z. Begaj i kompanisë “Erzeni”.
Nga korriku i këtij viti, operatorët kanë rritur çmimet e produkteve që tregtojnë me të paktën 10%, duke reflektuar ndryshimet fiskale dhe shtimin e kostove të ambalazhimit e energjisë elektrike.
Industria e birrës, me rënie
Pandemia dhe karantina ulën ndjeshëm konsumin e birrës, duke goditur direkt prodhuesit vendas.
Në 2019-n, në listën e më fitimprurësve, hyri edhe “Birra Korça”, por doli në 2020-n, pas përgjysmimit të fitimit. Norma e kthimit ra nga 20% në 11%. Në sipërmarrjet e tjera të të njëjtit sektor “Birra Tirana” ka vijuar të raportojë humbje, teksa siç pohon në raportin e aktivitetit ka kaluar një situatë të vështirë financiare, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe problemeve me likuiditetin e detyrimeve të prapambetura. “Birra Stela” ka deklaruar rënie të ndjeshme të të ardhurave, me 67%, ndërsa ka deklaruar humbje.
Industria vendase në muajt e karantinës vuajti krijimin e lartë të stoqeve. Rënia e shitjeve vazhdoi edhe pas hapjes së njësive të shërbimit në maj të 2020-s dhe në muajt e sezonit turistik. Përfaqësuesi i birrës “Tirana”, Luan Bregasi, shpjegon se krijimi i stokut, rriti dëmet financiare të industrisë. “Vazhdimi i pandemisë ka ndikuar tek ulja e konsumit në tërësi për industrinë e pijeve, dhe të birrës në veçanti.
Shitjet në 2020 ranë 50-60%, krahasuar me vitet para COVID-19. Industria e birrës ka qenë më e goditura, për shkak të mbylljes së bareve, restoranteve dhe shërbimeve të tjera. Prodhimi vendas u prek më tepër, pasi një pjesë e destinuar për shitje nuk u ambalazhua në periudhën e karantinës, duke dalë jashtë afateve të konsumimit. Stoqet e krijuara u shkaktuan ndërmarrjeve të birrës dëme të pallogaritshme. Diçka lëvizi me hapjen e tregut, sezonit turistik dhe festat e fundvitit, por megjithatë, të dhënat e 2020-s ishin 50-60% më pak se 2019”, thekson kryetari i këshillit drejtues të birrës “Tirana”.
Sektori i është rikthyer normalitetit gjatë këtij viti. Prodhimi i birrës vendase për 4-mujorin e parë të vitit 2021 u rrit me 27% krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të doganave, duke arritur nivelet e parakrizës. Prodhuesit vendas pohuan përmirësimin e shitjeve, për shkak të mosmbylljes së dytë të ekonomisë.
Pesha e prodhimit vendas të birrës ka ardhur vazhdimisht në rënie, teksa industria është bërë më pak konkurruese përballë importeve, pas hapjes graduake të tregjeve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2015 deri më 2020, pesha e importeve ndaj totalit të tregut vazhdoi të rritet, nga gati 60% në 48%.
Kryetari i këshillit drejtues të birrës “Tirana”, Luan Bregasi, shpjegon se arsyeja kryesore që ka vënë në vështirësi prodhimin vendas dhe ka forcuar shitjet e birrës së importit, është konkurrenca e pandershme nga ndryshimet fiskale të miratuara në 2012, të cilat nisën zbatimin në 2013. Arsye tjetër është edhe kostoja e lartë e prodhimit në fabrikat shqiptare.
Një faktor që po favorizon shitjet e birrës së importit janë kostot shumë herë më të larta të prodhimit të industrisë vendase, krahasuar me atë të importit të një produkti të ambalazhuar. Kostot e prodhimit vendas janë rënduar për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, ujit, kostoja e lartë në parapagimin e akcizës dhe pullës fiskale”, nënvizon z. Bregasi.
Zusi: Tre faktorët që ndikuan në ruajtjen e fitimeve
Alban Zusi, president i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, pohon se pavarësisht krizës pandemike, bizneset, sidomos industria duhet të manovrojë për të ruajtur nivelet e fitimet, të cilat janë të domosdoshme për të vijuar investimet dhe për të ruajtur besueshmërinë për financim nga bankat. Ai shpjegoi se ruajta e fitimeve, në një kohë kur xhirot ranë në një pjesë të sektorit të industrisë, erdhi kryesisht për tre faktorë kryesorë.
-E para normat e fitimet u ndihmuan nga rënia e kostove të prodhimit prej reduktimit të çmimeve të lëndëve të para të tilla, si karburanti dhe gazi etj.
-Së dyti, për të ruajtur stabilitetin financiar, disa subjekte u priren drejt informalitetit.
-Së treti disa industri të tilla si ato të industrisë ushqimore e ruajtën aktivitetin edhe gjatë pandemisë madje me një kërkesë të shtuar.
EKSPORTUESIT E MËDHENJ, ME HUMBJE NGA PANDEMIA
Prodhuesi i çelikut, “Kurum International”, ishte eksportuesi më i madh në vitin 2020, sipas të dhënave nga Tatimet. Pas pezullimit të përkohshëm të aktivitetit në prill, në kulmin e pandemisë, kompania e rimori me shpejtësi veten në gjysmën e dytë të vitit, e ndihmuar nga rimëkëmbja e ndërtimit në vend, rritja e shpejtë e kërkesës në vendet e rajonit dhe hyrja në tregun e Serbisë, si dhe shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Ndonëse “Kurum International” arriti ta mbyllë 2020-n me qarkullim vjetor 23.7 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 3.1% me bazë vjetore, rezultati financiar nuk ka qenë pozitiv. Kompania raportoi humbje prej 308 milionë lekësh, nga fitimet prej 1.3 miliardë lekësh vitin e mëparshëm.
Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum International”, pohoi se edhe pse “rezultati neto i bilancit ishte 308 milionë lekë humbje, shoqëria rezultoi me një fitim nga aktiviteti prej 786 milionë lekësh, dhe vetëm efekti i kurseve të këmbimit (rënia e konsiderueshme e kursit të monedhës USD në fund të periudhës) solli rezultat negativ të shoqërisë. Gjithsesi, shoqëria arriti të mbajë pothuajse të njëjtin nivel prodhimi dhe shitje, si dhe të vijojë normalisht me gjithë problematikat punën në fabrikat e saj”.
“Bankers Petroleum”, eksportuesi i dytë më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, vijon të raportojë humbje. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%.
Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, por bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers, miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.
CEO i “Bankers Petroleum Albania”, Dr. Qing Fang, pohon se prodhimi i naftës në fushën Patos-Marinëz arriti në rreth 670 mijë tonë vitin e kaluar. Në vitin 2020, prodhimi shënoi rënie në krahasim me vitin 2019, si rezultat i pandemisë, e cila uli konsumin dhe çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare. Nga rënia e prodhimit dhe tkurrja e çmimeve, të ardhurat e kompanisë u përgjysmuan në 15 miliardë lekë në 2020-n.
-“Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, i katërti më i madh në vend shënoi rënie të fortë të të ardhurave, 40%, duke zbritur në një qarkullim vjetor prej 4.5 miliardë lekësh. Sipas raportit vjetor, “shoqëria ka vazhduar operimin me 2 furra (50% të kapacitetit të prodhimit) në vitin 2020. Gjithsesi, pas humbjeve prej gati 790 milionë lekësh në 2019-n, shoqëria arriti të raportojë një fitim minimal prej 29 milionë lekësh në vitin pandemik.
Si pasojë e ndryshimit të kushteve në tregun ndërkombëtar, që sollën rënie të ndjeshme të çmimit të shitjes në kuotat më të ulëta të 10 viteve të fundit, Shoqëria vendosi që të reduktojë aktivitetin prodhues me 50%. Reduktimi i aktivitetit prodhues për rrjedhojë u shoqërua me një reduktim të volumit të shitjeve në shifrën e 34.100 tonë ferrokrom dhe një prodhim prej 37.600 tonë ferrokrom gjatë 2020-s.
Lexo edhe: 200 kompanitë me fitime më të mëdha; Koncesionet dhe ndërtimi më fitimprurëset në ekonomi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.