Përshtatja e turizmit: Golemi zëvendëson Turqinë me “all inclusive”

01/08/2020 10:10 PM 0 komente

Mungesa e turizmit të organizuar në zonën e Golemit, për shkak të pandemisë, shtroi pikëpyetjen e mbijetesës së shërbimit “all inclusive” që po ofrohej prej disa vitesh.
Përfaqësuesit e strukturave akomoduese tregojnë se interesi për këtë paketë mbetet i lartë, sidomos për turistët nga Kosova, ndërkohë që edhe polakët, të cilët në numra janë shumë më pak se vitet e shkuara, vazhdojnë ta kërkojnë. Kostot për paketën janë rritur, e lidhur kjo me kërkesat që janë vendosur për masat e sigurisë, si dhe operimin nën kapacitet të hoteleve. Të gjithë e kanë të qartë se misioni këtë vit është mbijetesa. Shpenzimet jashtë paketave janë reduktuar në maksimum nga pushuesit, ndërsa interesi për aktivitete jashtë hotelit është zero.

 

Nga Nertila Maho

Sokoli kishte rezervuar në janar të këtij viti, nëpërmjet një agjencie turistike, një udhëtim treditor për në Athinë me bashkëshorten. Situata me koronavirusin e anuloi udhëtimin dhe agjencia u bëri të ditur se në çdo moment mund të shfrytëzonin të njëjtin vlerë për një udhëtim tjetër.

Muajt kaluan dhe në kushtet e pasigurisë për të lëvizur, vendosën që vlerën e paguar ta shfrytëzonin për një rezervim me tre net në një nga hotelet që ofron shërbimin “all inclusive” në zonën e Golemit. Këtë shërbim e kishin provuar vetëm në Turqi dhe kishin hezitimin e tyre të parë mbi cilësinë dhe shërbimin. Tani janë të bindur se Shqipëria mund të ofrojë në disa struktura, shërbim më të mirë edhe sesa vetë Turqia që është lider global kur vjen puna tek “all inclusive”.

Pak vite më parë, shërbimi “të gjitha të përfshira” ishte i pakonceptueshëm në vendin tonë. Strukturat e vogla hoteliere, mungesa e stafit të trajnuar për këtë lloj shërbimi, mosfunksionimi i plotë i zinxhirit të industrive mbështetëse e bënin të vështirë ofrimin e tij. Sot ky shërbim, i cili nisi të zhvillohej gradualisht me ardhjen e turizmit të organizuar, kryesisht kërkuar nga polakët, duket se ia ka dalë të bëhet pjesë e integruar e paketës së përgjithshme turistike në zonën e Golemit. Një seri strukturash (investime të reja) me kapacitet të konsiderueshëm akomodues dhe me një qasje serioze në drejtim të trajnimit të stafit ia kanë dalë të krijojnë një “mini Turqi” në zemër të bregdetit shqiptar.

Në kushtet kur turizmi i organizuar me kontrata me nordikët e gjermanët nuk po realizohet, për shkak të kufizimeve të sjella nga pandemia dhe numri i polakëve është më i vogël sesa pritej, sytë janë hedhur te joshja e vendasve dhe shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë. Modeli “të gjitha të përfshira” po rezulton i suksesshëm edhe pse kostot janë rritur, pasi numri i klientëve nuk është shumë i lartë dhe protokolli me masat e sigurisë kërkojnë më shumë shpenzime.

Gjithsesi, përbërësi sekret i mbijetesës në këtë sezon, sipas operatorëve të tregut, është përshtatja. Të gjithë po ecin me disa skenarë, duke ofruar paralelisht shërbimin e kërkuar nga klienti në momentin e check-in (regjistrimit) në recepsionin e hotelit. Numri i strukturave të cilat kanë hequr dorë nga komoditeti i “bed and breakfast” (fjetje dhe mëngjes) për të kaluar te sfida e ofrimit të paketës sipas dëshirës së klientit, është rritur dukshëm.

 

Përshtatja

Përbërësi sekret i mbijetesës në këtë sezon, sipas operatorëve të tregut, është përshtatja. Të gjithë po ecin me disa skenarë, duke ofruar paralelisht shërbimin e kërkuar nga klienti në momentin e check-in (regjistrimit) në recepsionin e hotelit. Numri i strukturave të cilat kanë hequr dorë nga komoditeti i “bed and breakfast” (fjetje dhe mëngjes) për të kaluar te sfida e ofrimit të paketës sipas dëshirës së klientit, është rritur dukshëm.

 

Oferta “all inclusive”, rriten kostot, grupet e turistëve që e zgjedhin

Teksa një pjesë e turistëve nga Kosova prej vitesh zgjidhnin zonën e plazhit në Durrës për pushimet e tyre, dëmtimi i banesave nga tërmeti i ka zhvendosur ata drejt hoteleve. Ofrimi i paketave “all inclusive” dhe i çmimeve më të lira sesa vitet e shkuara ka bërë që ky model të zgjidhet nga shumica. Strukturat akomoduese shprehen se zgjedhjet mbeten individuale.

“Të paktën 90% e turistëve që kemi kërkojnë ‘all inclusive’, pasi shohin se funksionon më mirë. Pra ti e paguan paketën që në fillim dhe aty i ke të garantuara ushqime e pije. Edhe për shkak të situatës së përgjithshme që është e vështirë për të gjithë, edhe për klientët, jo vetëm për bizneset ‘all inclusive’ shihet si një formë kursimi pasi nuk duan të shpenzojnë shumë” – pohon Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group.

Edhe Blerim Norja, nga Royal-G, shprehet se ky vit është i vështirë dhe rezervimet që të lejojnë të bësh planifikim një javë para janë vetëm 20%, ndërsa pjesa tjetër rezervojnë në momentin e fundit. Kjo ka bërë që hoteli të përshtasë disa paketa sipas kërkesës. “Pjesa që kërkon ‘fullboard’ (mëngjes, drekë, darkë pa pije) janë polakët dhe klientët nga Kosova.

Pjesa nga Ukraina zgjedh paketën vetëm me mëngjes dhe darkë. Ka pastaj klientë të caktuar që duan vetëm mëngjesin. Jemi shumë fleksibël tek ofrimi dhe nuk po punojmë vetëm me një lloj shërbimi. Po përshtatemi për të gjithë klientët dhe kategoritë” – tregon Norja.

Operatorët pohojnë se është rritur kostoja e paketës “all inclusive” dhe kjo nuk vjen nga shtrenjtimi i çmimeve të ushqimeve, por nga protokollet e sigurisë që kërkohen në kushtet e pandemisë. Kjo do të thotë se ka më shumë staf tek restoranti i cili shërben ushqimin, pasi nuk ka më vetë-shërbim.. Janë shtuar si dhe elemente të tjerë të lidhur me respektimin e distancave.

 

Rriten kostot

Operatorët pohojnë se është rritur kostoja e paketës “all inclusive” dhe kjo nuk vjen nga shtrenjtimi i çmimeve të ushqimeve, por nga protokollet e sigurisë që kërkohen në kushtet e pandemisë. Kjo do të thotë se ka më shumë staf tek restoranti i cili shërben ushqimin, pasi nuk ka më vetë-shërbim.. Janë shtuar si dhe elemente të tjerë të lidhur me respektimin e distancave.

 

Llojet e paketave

Vetofrimi i kateringut – Vaktet nuk përfshihen në çmimin e paketës suaj të pushimeve, por juve do t’ju krijohen të gjitha lehtësitë për të përgatitur vakte apo mesvakte.

Ky është një opsion i mirë nëse udhëtoni me njerëz që duan gjëra shumë specifike në të ngrënë, apo janë të interesuar për të provuar kuzhinën lokale, si dhe duan të kursejnë disa para që në një rast tjetër do të shpenzoheshin në darka apo dreka jashtë.

Fjetje dhe mëngjes – Kur ju zgjidhni opsionin ‘Fjetje dhe mëngjes’, vetëm ky i fundit do të përfshihet në qëndrimin tuaj. Kjo paketë pëlqehet nga eksploratorët, që kërkojnë një vakt në mëngjes dhe pastaj të hanë jashtë pjesën tjetër të ditës.

Half-Board- Me këtë paketë ju përfitoni dy vakte në ditë, zakonisht mëngjes dhe darkë. Këtu përjashtohen pijet, me përjashtim të atyre bazike, siç mund të jenë çaji apo lëngjet. Është një opsion i mirë nëse jeni me pushime me fëmijë apo doni që të keni pak elasticitet.

Full-Board- Paketa përfshin të gjithë vaktet tuaja dhe pijet bazike duke ju dhënë mundësi të kurseni jo vetëm para por edhe kohë për të gjetur restorante të ndryshëm në çdo vakt. All Inclusive – Paketa “Të gjitha të përfshira” do të thotë se gjithçka përfshihet në çmimin që ju paguani. Fluturimi (në disa raste), tre vaktet, pije si dhe mesvaktet mbulohen edhe pse oferta në ushqim dhe pije do të varet nga hoteli.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of