Përshtatja me çmimet e ulëta

15/11/2019 10:01 PM 0 komente

Si mund ta përshtasim politikën ekonomike me një botë me inflacion të ulët. Si politika monetare, ashtu edhe ajo fiskale, duhet të ndryshojnë

 

Historia e politikës monetare është ajo e një revolucioni sporadik. Gjatë gjithë shekullit të 19, i cili u karakterizua nga standardi i arit, çmimet e Amerikës u rritën vetëm me 12%. Pas Luftës së Dytë Botërore, vendet i lidhën monedhat e tyre me dollarin, i cili nga ana tjetër zëvendësoi arin, shkruan The Economist. Por ky sistem u prish në vitin 1971, kur u braktis nga Amerika.

Kolapsi i saj filloi në epokën e monedhave dhe i parapriu inflacionit të viteve 1970. Me kalimin e kohës, u rrit numri i Bankave Qendrore, të cilat u angazhuan në arritjen e një inflacioni “fleksibël”, që do të thotë se gjatë një krize të mundshme, ata mund t’i jepnin përparësi luftës ndaj papunësisë.

Mungesat e inflacionit, të ndërthurura me norma interesi shumë të ulëta, kanë shkaktuar një mënyrë ndryshe të menduari në ditët e sotme. Në vitin 2020, Rezerva Federale do të raportojë për një përmbledhje të objektivave dhe mjeteve të saj. BQE-ja po kërkon mënyra të reja për të luftuar inflacionin e ulët në zonën e euros. Ndërkohë, ekonomistët janë gjithnjë e më shumë të gatshëm të vënë në dyshim shprehjen e Milton Friedman në vitin 1963, kur ai tha se inflacioni është një fenomen monetar. Sipas Larry Summers dhe Anna Stansbury nga Universiteti i Harvardit, një dekadë e tërë me inflacionin nën objektivin e caktuar sugjeron se “ajo që më parë konsiderohej si e pakundërshtueshme është në të vërtetë e gabuar”.

“Bankat Qendrore nuk mund të përcaktojnë gjithmonë normat e inflacionit përmes politikës monetare”. Bankat Qendrore janë bërë edhe më të politizuara. Një nga idetë e pakta për të bashkuar Presidentin Donald Trump me Alexandria Ocasio-Cortez, një kongresmene e krahut të majtë, është besimi që Rezerva Federale duhet të mos shqetësohet më për rritjen e inflacionit. Z. Trump e ka quajtur Jerome Powell, kreun e Rezervës Federale, një “armik” të Amerikës, sepse ai dështoi në uljen e normave të interesit në nivelin që do të donte Amerika, e cila tani po përballet me një luftë tregtare me Kinën.
Në Europë, BQE-ja po përballet me një reagim shumë të ashpër ndaj politikës së saj të normave negative të interesit sidomos në Gjermani.

Bankat Qendrore janë bërë edhe më të politizuara

Teoritë e çuditshme si ajo e “teorisë moderne monetare”, e cila thotë se për sa kohë që inflacioni të mbetet i moderuar, qeveria mund të marrë hua aq sa dëshirojë dhe se politika fiskale duhet të menaxhojë ciklin ekonomik, kanë ndikuar shumë te disa njerëz të kahut të majtë politik, përfshirë këtu edhe kongresmenen, Ocasio-Cortez.

Situata do të shoqërohet padyshim me risqe të shumta. Një histori e inflacionit nga ekonomistët në Deutsche Bank paralajmëron se periudhat e inflacionit të lartë kanë tendencë të shoqërojnë tranzicionet midis regjimeve të politikës monetare si braktisja e Bretton Woods. Askush nuk duhet të mirëpresë reformat në Bankat Qendrore të udhëhequra nga populistët. Do të ishte e gabuar të supozohej se pritshmëritë e ulëta të inflacionit janë të pandryshueshme ose do të shfrytëzohen, qoftë për të nxitur rritjen ose për të financuar më shumë shpenzime qeveritare. Por nuk duhet harruar fakti se duke u nxitur më shumë seç duhet, ekonomitë do të mbinxehen. Një mjedis me inflacion të ulët nuk justifikon shkatërrimin e institucioneve që mbrojnë zhvlerësimin e monedhës, si ai që po ndodh në Argjentinë dhe Turqi.

Megjithatë, reforma është e nevojshme për të arritur realizimin e tre qëllimeve kryesore.
– Së pari, Bankat Qendrore duhet të përmirësojnë mënyrën se si luftojnë recesionet.
-Së dyti, ato duhet të gjejnë mënyra për të drejtuar ekonominë pavarësisht kurbës së sheshtë dhe të pasigurt Phillips, që reflekton marrëdhënien midis inflacionit dhe papunësisë.
– Dhe së treti, politika fiskale duhet të veprojë si stimulues në rast se ekonomitë dobësohen dhe inflacioni bie ndërsa normat e interesit nuk mund të bien më tej. Arsyetime të tilla po pranohen gjithnjë e më shumë, por reformat që janë në shqyrtim nuk duken fare ambicioze.

Le të tregohemi realistë

Le të analizojmë secilin qëllim më vete. Së pari, lufta ndaj recesionit. Për disa dekada, ekonomistët kanë pasur “një recetë të përcaktuar për politikën monetare”, kur normat nominale të interesit nuk mund të bien më tej: ulni normat reale të interesit, duke premtuar rritje të inflacionit në të ardhmen.

Të paktën, pritshmëritë e inflacionit nuk duhet të lejohen që të bien. Për këtë qëllim, Rezerva Federale mund të angazhohet së shpejti në përcaktimin e një objektivi të inflacionit në 2%. Gjatë periudhave të bumit ekonomik, inflacioni mund të lejohet të shkojë pak më lart se norma prej 2%. Ndërsa në një rënie, kjo duhet të ndriçojë horizontin ekonomik. Një reformë më efektive do të synonte një shteg afatgjatë për nivelin e çmimeve, sesa inflacionin nga viti në vit. Politikëbërësit do të duhet të korrigjojnë gabimet e tyre nëse çmimet fillojnë të marrin një drejtim krejtësisht të gabuar.

Nuk mund dhe nuk duhet të këtë përsëritje të gabimeve të vazhdueshme të politikës të evidentuara që në vitin 2010. Pas një rënie të gjatë dhe dezinflacionit, Bankat Qendrore duhet të përpiqen të gjejnë kufijtë e kapacitetit të ekonomisë. Sidoqoftë, kjo nuk do të kishte aspak ndikim në drejtim të qëllimit të dytë: çlirimin e Bankave Qendrore nga gjetja e kompromisit afatshkurtër ndërmjet inflacionit dhe papunësisë. Për të përcaktuar çmimet, ata do të duhet të vlerësojnë nëse lëvizjet në inflacion po shkaktohen nga tregu i punës apo nga faktorë të ofertës, siç është ndryshimi teknologjik, apo goditjet globale që reflektohen përmes zinxhirëve të furnizimit ndërkufitar. Më keq akoma, ata do të humbisnin fleksibilitetin për të shpërfillur shtrembërimet e përkohshme.

Fenomene të tilla si rritja e tarifave ose çmimet e naftës që rritën inflacionin dhe që ulën rritjen mund të detyrojnë Bankat Qendrore të shtrëngojnë politikën monetare për të rikthyer çmimet në drejtimin e duhur, edhe në rast se ekonomia do të vuante nga një lëvizje e tillë. Do të ishte më mirë nëse ata do të mbeteshin skeptikë sa i takon marrëdhënieve ekonomike, të cilat ata nuk i kuptojnë dhe të synojnë një variabël të vetëm dhe më të thjeshtë: nivelin e PBB-së nominale, ose e thënë më thjesht, prodhimin plus inflacionin.

Një objektiv i tillë do të përfshijë si synimet themelore të Bankierëve Qendrorë për një inflacion të qëndrueshëm, ashtu edhe ato të një ekonomie të shëndetshme. Kjo do të zëvendësonte gjykimin e tyre të gabuar në lidhje me “kurbën e Phillips” me anë të një testi më të mirë: vetëm kur rritja dhe inflacioni rriten në mënyrë të kombinuar, një shenjë e mbinxehjes brenda vendit, më shumë sesa një goditje ndaj furnizimit, atëherë ata do të duhej që të vepronin në mënyrë të ashpër.

Qëllimi i tretë, reforma e politikës fiskale, është më e vështira për t’u arritur. Një ide është që të përmirësojmë të ashtuquajturit stabilizues automatikë, siç janë përfitimet e papunësisë, të cilat sigurojnë një stimul mini fiskal gjatë rënies. Dhe një lëvizje e tillë nuk do të ishte e dëmshme, por do të ishte një reformë në rritje që nuk do të mund të kompensonte një humbje totale të fuqisë së politikës monetare. Kalibrimi i një stimuli të mjaftueshëm fiskal pa ditur rrethanat ekonomike në të cilat do të zbatohej është shumë i vështirë për t’u arritur.

Përveç rritjes së stabilizatorëve automatikë, qeveritë duhet të gjejnë gjithashtu një mënyrë për t’i dhënë bankave qendrore një hapësirë për veprim fiskal që mund të përdoret sipas diskrecionit të tyre. Sipas një shkrimi të botuar së fundmi nga Blackrock, një menaxher asetesh, autorët e të cilit përfshijnë Stanley Fischer, një prej ish-nënkryetarëve të Rezervës Federale, sugjeron se Bankat Qendrore duhet të kenë një “strukturë fiskale emergjente”. Ideja është që në një periudhë rënieje të thellë, Bankat Qendrore do të autorizoheshin të krijonin para për të financuar shpenzimet e reja ose një ulje të mundshme të taksave.

Teknokratët nuk mund të mbikëqyrin me lehtësi një stimul fiskal, sepse politika monetare nuk ka të bëjë me ndërtimin e urave apo me caktimin e normave të taksës mbi të ardhurat. Efektet rishpërndarëse të normave të ulëta të interesit, që sipas disave kanë ndikuar në thellimin e pabarazisë së pasurisë duke rritur çmimet e aseteve, janë mjaft të diskutueshme edhe pa marrë fare në konsideratë faktin se si bankat qendrore do të vendosnin se si duhet të shpenzoheshin burimet e shoqërisë. Prandaj politikanët duhet të bien dakord paraprakisht për strukturën e mjeteve fiskale të Bankës Qendrore.

Një mundësi e thjeshtë do të ishte një informacion i njëtrajtshëm për publikun, në të cilin çdo i rritur të merrte një pjesë të barabartë të parave të krijuara rishtas. Roli i Bankave Qendrore do të ishte ai që ka qenë gjithmonë: kalibrimi i madhësisë së stimulit dhe sigurimi i një angazhimi të besueshëm për të mos e tepruar.

Do të ishte ideale nëse këto reforma do të mund të realizoheshin brenda një kohe shumë të shkurtër, jo vetëm sepse një gjë e tillë do të përfshinte transferimin e një fuqie më të madhe tek teknokratët. Për arsye të shumta, roli i politikës monetare kufizohet me ligj. Në Europë, ai kufizohet nëpërmjet marrëveshjeve. Një rënie mund të jetë e nevojshme për të krijuar impulsin politik të duhur për ndryshim. Por herët a vonë, politika ekonomike do të duhet të përshtatet me botën e sotme dezinflacioniste.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of