Personalitete të komplikuara; COVID-19 po rrëzon stereotipat skandinave

24/07/2020 10:00 PM 0 komente

Danezët i shihnin suedezët si të përpiktë dhe të besueshëm. Jo më.

 

Në serialin televiziv “Ura”, dy detektivë, një danez dhe një suedeze, duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pasi një trup i pajetë u gjet në urën Oresund, në kufirin midis dy shteteve, shkruan The Economist. Seriali u bë një hit ndërkombëtar, por shumica e shikuesve të huaj nuk arritën të kuptojnë se dy policët mishëronin stereotipat që kishin danezët dhe suedezët për njëri-tjetrin.

Detektivi duhanpirës dhe shakaxhi nga Kopenhagën, reflekton idenë që kanë suedezët mbi danezët si njerëz gazmorë, të çrregullt dhe që nuk mund t’u zihet besë. Homologia e tij suedeze në Malmo duket se ka sindromën e Aspergerit; për danezët, literalizmi i saj obsesiv dhe jeta seksuale pa komplekse, janë tipare karakteristike të suedezëve.

COVID-19 i ka hedhur poshtë këta stereotipa. Danimarka zbatoi një karantinë të përpiktë. Suedia ka zgjedhur një qasje unike, duke i mbajtur të hapura shkollat dhe restorantet. Shkalla e infeksionit dhe vdekjeve tani është shumë më e lartë se në vendet fqinje.

Si rezultat, kur Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda hapën kufijtë ndaj njëri-tjetrit për turistët më 15 qershor, i mbajtën të mbyllura për suedezët. Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, iu lut këtyre shteteve që të mos diskriminojnë popullin e saj dhe paralajmëroi se kjo do të shkaktonte një dëm të përhershëm në bashkëpunimin nordik. Por fqinjët thonë se ata thjesht po mbrojnë shëndetin e tyre publik.

 

Steriotipat suedezë

Suedezët e konsiderojnë veten si shembull në çështjet morale dhe sanitare. Prandaj qe vërtet një goditje befasuese për ta kur u trajtuan si bartës të papërgjegjshëm të sëmundjes. Stefan Lofven, kryeministri i Suedisë, këmbëngul se shkalla e lartë e infeksionit në vend është më tepër një çështje e fatit sesa një politikë e dështuar.

Pjesa më e madhe e konfliktit është përqendruar pikërisht në urën ku u zhvillua edhe seriali televiziv. Që kur u hap lidhja 8 km e gjatë në ngushticën Oresund në vitin 2000, ekonomitë e Kopenhagës dhe Malmos janë bashkuar. Pasi u mbyll kufiri në mars, vetëm suedezët me punë të qëndrueshme u lejuan të kalojnë, jo turistët. Dëmi ekonomik ishte i konsiderueshëm.

Suedezët u zemëruan që danezët vazhduan të vizitonin vendin e tyre për të shijuar baret e hapura. Më 27 qershor, Danimarka nisi të pranojë suedezët që vinin nga provincat ku shkalla e infeksionit është e ulët, por jo nga rajonet ku ajo është e lartë, si Stokholmi.

Stereotipat ndryshojnë. Gotlandsvisan, një baladë suedeze e shekullit XIV, i portretizon danezët si jo të besueshëm, tipar që përputhet me imazhin modern, dhe si mizorë, që nuk përputhet aspak. Danezët dikur talleshin me suedezët duke i quajtur frikacakë; tani ata qeshin me formalitetin e tyre. COVID-19 është thjesht kriza më e fundit që u jep një ngjyrim të ri roleve të vjetra.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of