Rritja e kërkesës nga industria e çelikut mund të ndihmojë tregun e kromit në muajt që do të vijnë. Vitet e fundit kanë qenë të vështira për tregun e kromit dhe 2016-a nuk bëri përjashtim. Në fundin e tremujorit të parë, çmimet e kromit dhe ferrokromit ishin në nivelin e tyre më të ulët prej gjashtë vitesh, si pasojë kryesisht e rënies së kostove të prodhimit së bashku me mbiofertën dhe kërkesën e ngadaltë.
Por, perspektiva e kërkesës për krom është pozitive, me parashikimin se në 2017-n, çmimet e ferrokromit do të jenë të larta, sikurse tregu ka filluar të ndryshojë drejt vlerave më të larta të produkteve dhe projekteve të ndërtimit që kërkojnë më shumë çelik.
Më poshtë jepet rishikimi i asaj çfarë ndodhi në 12 muajt e fundit dhe çfarë do të ndodhë në vitin 2017 për sa i përket tregut industrial të metaleve.
Një vështrim më i afërt i tregjeve
Konsumi total botëror i kromit përllogaritet 29 milionë tonë metrikë në vitin 2015, 92% e të cilit është përdorur në metalurgji, – sipas Roskill.
Azi-Paqësori vazhdon të mbajë pjesën më të madhe të tregut botëror të ferrokromit, në veçanti Kina dhe India. Në terma të volumit, tregu i minierave të kromit në atë rajon pritet që të kapë 17 milionë tonë metrikë deri në 2020-n, duke u rritur me një normë vjetore më shumë se 5%, raporton Technavio.
Analistët e tregjeve ndërkombëtare të kromit thonë se gjallërimi i tregjeve do të vazhdojë të rritet, falë kërkesës kineze.
Për sa i përket së ardhmes së industrisë së metalit, të gjitha shpresat varen tek rritja e prodhimit të çelikut, sikurse 60% e kërkesës vjen nga kjo industri. Roskill projektoi se totali i prodhimit të çelikut të pandryshkshëm do të rritet me 4% në 2026 dhe do të vazhdojë të nxisë kërkesën për krom dhe ferrokrom.
Ferrokromi, që një aliazh i hekurit me kromin, përmban 50 deri në 70% krom, po përjeton konsumin më të lartë në industrinë e çelikut dhe kërkesa gjithashtu parashikohet që të rritet.
Por, oferta pritet që të rritet me një ritëm të qëndrueshëm gjithashtu. Afrika e Jugut, në të cilën ndodhen rreth 90% të burimeve dhe të rezervave botërore të kromit, ka rezerva prej 3.1 miliardë tonësh dhe përllogarit burime rreth 5.5 miliardë tonë.
Edhe pse vetëm katër prej shtatë prodhuesve të Afrikës së Jugut janë aktualisht në prodhim, analistët në vend thonë se kjo industri nuk do të rimëkëmbet.
Shtojmë këtu që tendencat e përdorimit të skrapit pritet që të jenë një faktor kyç në tregun e metaleve. Në vitin 2015, rreth 30% e pjesëve të kromit në çelikun e pandryshkshëm vinin prej skrapit.
Roskill parashikon se do të rritet deri në 45% norma e përdorimit të skrapit në Kinë dhe në të tjera ekonomi në zhvillim, duke reduktuar kërkesën për krom të papërdorur.
Rimëkëmbja e çmimeve në vitin 2016
Në vitin 2015, çmimet e kromit vuajtën, së paku krahasuar me çmimet e metaleve të tjera, duke rënë me 11%. Gjithsesi, në 2016-n, çmimet patën një përmirësim të ngadaltë, duke u rimëkëmbur në nivelet më të larta që nga kriza ekonomike botërore në tremujorin e tretë.
Çmimet e mineralit të kromit u rritën nga 85 $ për ton në janar 2016 në 210 $ për ton në fund të shtatorit dhe që atëherë, çmimet janë rritur vazhdimit duke arritur në nivelin e 380 $ për ton tani.
Kombinimi i stimulit të lidhur me kërkesën për ferrokrom në Kinë dhe mungesa relative e kromit në inventar e vuri në vështirësi sektorin mineral të Afrikës së Jugut.
Rimëkëmbja e çmimeve, si dhe marrja nën kontroll, filluan të konsolidonin dhe të rigjallëronin sektorin e Afrikës së Jugut, duke qenë se prodhuesit blenë asetet e më të vegjëlve, duke vështirësuar operacionet.
Për Roskill, ka gjasa që çmimet e ferrokromit do të mbeten të larta edhe gjatë 2017-s. Pas kësaj, me çmimet më të larta që do të nxisin rritjen e prodhimit të ferrokromit nga kapaciteti i pashfrytëzuar i ferrokromit në Kinë, Kazakistan, Indi dhe Afrikën e Jugut, tregu mund ta gjejë veten në mbiofertë, e cila eventualisht do të ulë çmimet.
Megjithatë, frika e mbiofertës në tregje ekziston ende, investitorët duhet të mbajnë sytë hapur për mënyrën se si Afrika e Jugut do të konsolidojë prodhimin dhe se si kërkesa në Kinë rritet. Këta faktorë mund të jenë çelësi i kthesës së çmimeve dhe mund të ndihmojnë në stabilizimin e tregut. Investitorët e interesuar në industrinë e metaleve do të duhet të vështrojnë se si do të rritet kërkesa për çelik me zhvillimet politike që do të ndodhin gjatë 2017-s, duke qenë se shumë plane infrastrukturore mund të zbatohen dhe rrjedhimisht, të nxitet kërkesa në tregun e kromit.
Bakri, kohët e fundit, po tregtohej mbi 2.15$ për paund (4,740$ për ton), duke kapur nivelin më të ulët në katër javë. Ndërsa të tjera metale industriale dhe materialet që përdoren për të prodhuar çelikun kanë parë kohët e fundit një rritje në vlerë, bakri ka performuar keq.
Metali i kuq, pas rënies me 26% në çmim gjatë 2015-s, nuk njohu asnjë përmirësim në vitin që pasoi. Kërkesa është plotësuar kryesisht prej Kinës, e cila është përgjegjëse për pothuajse gjysmën e tregtimit global.
Përveç shkurtimit të operacioneve ekzistuese dhe reduktimit të pamëshirshëm të kostove, banka investuese Goldman Sachs, njëkohësisht financuese e njëzet minierave te bakrit, paralajmëroi se një mbiofertë tjetër e këtij metali gjatë 2017-s do të ishte fatale për çmimet
“Sipas mbikëqyrjes së kompanive dhe përllogaritjes sonë hamendësojmë se bakri po hyn në një stuhi të ofertës”
Goldman Sachs gjurmon 20 kompanitë të cilat përllogarisin rreth 60% të prodhimit total. Këto miniera, gjatë vitit të fundit, e shtuan prodhimin me 5% gjatë gjysmës së dytë dhe pritet që të rrisin prodhimin me 15% gjatë tremujorëve në vijim, sipas raportit të bankës.
Banka e Investimeve po parashikon një rënie çmimi dyshifrore gjatë 12 muajve të ardhshëm, duke arritur nivelin 4200$ për tonë (1.8$ për lb).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
sa kushton hekuri vjeter