Flet Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se në biznes është vështirë të flasësh për biznes patriotik. Patriotizmi duhet të jetë pjesë e vetëdijes kombëtare, nuk mund të bëhet me detyrim dhe nisma. Por ai mendon se ka ardhur koha që përfundimisht, Kosova dhe Shqipëria të kenë një strategji për zhvillim ekonomik komplementar. Pra, të shohim mundësinë për komplementaritet ekonomik me sektorët ku jemi konkurrues. Përtej patriotizmit, ai tha se ka interesa të dyanshme për të forcuar bashkëpunimin…
Z.Rukiqi, a ka vend për mundësi bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për të përballuar emergjencën që ka krijuar COVID-19?
Kjo është situatë e panjohur për të gjithë. Ne duhet të kujdesemi që në këtë kohë, mallrat dhe shërbimet të lëvizin lirshëm dhe pa barriera. Gjithashtu duhet të këmbejmë përvojat në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe sidomos të koordinohemi në fazën pas krizës, në menaxhimin e krizës ekonomike.
A ka pasur përpjekje për të nisur këtë bashkëpunim dhe në çfarë sektorësh mund të shtrihet?
Në momentin që përhapja e virusit vihet nën kontroll, të dy Qeveritë duhet të rrisin bashkëpunimin, përfshirë edhe projektet e përbashkëta për stimulim të ekonomisë
Shqiptarët nga qytetet shqiptare përtej kufirit kanë qenë burimi kryesor i turizmit në Shqipëri. Çfarë roli mund të luajë qeveria e Kosovës që kjo ofertë të vazhdojë dhe, madje të forcohet?
Sa i përket turizmit, nuk besoj që Qeveria e Kosovës ka kapacitet të përkrahë rimëkëmbjen e turizmit në Shqipëri, por në të njëjtën kohë është e detyruar t’i përkrahë dëmet te kompanitë që kanë dërguar turistë në Shqipëri.
A mund të përfshihen në një bashkëpunim patriotik sektorët e tregtisë dhe prodhimit?
Në biznes është vështirë të flasim për biznes patriotik. Kjo duhet të jetë pjesë e vetëdijes, por vështirë të jetë diçka e obligueshme. Është koha që përfundimisht, Kosova dhe Shqipëria të kenë një strategji për zhvillim ekonomik komplementar. Pra të shohim mundësinë për komplementaritet ekonomik me sektorët ku jemi konkurrues. Nuk besoj në biznes patriotik. Biznesi nënkupton edhe interesa. Ka shume interesa te dyanshme për bashkëpunim.
Çfarë do të sugjeronit ju nga përvoja juaj për një bashkëpunim të qëndrueshëm ekonomik Shqipëri – Kosovë?
Ajo që duhet të bëhet fillimisht është eliminimi i barrierave. Nuk e kuptoj pse nga politika, sidomos në Shqipëri, ngulet këmbë se nuk ka barriera dhe në shumicën e kohës, thirren në rritje të këmbimit tregtar. Por edhe kjo rritje është simbolike dhe kryesisht për eksportet e Shqipërisë. Për më pas bashkëpunim, duhet të pranojmë që kemi probleme dhe nuk jemi në rrugën e duhur. Duhet me e nis një rrugë të re bashkëpunimi. Për me e nis atë rrugë, duhet me i largu pengesat dhe pastaj të identifikojmë fushat e bashkëpunimit. Nëse flasim për turizmin, ne duhet të lehtësojmë procedurat, të krijojmë lehtësi fiskale dhe të promovojmë mundësitë e bashkëpunimit mes ndërmarrjeve nga dy anët e kufirit.
Ne shpresojmë se pandemia do të zbehet në javët në vijim duke na lejuar që t’i rikthejmë aktivitetet e mëhershme për aq sa do të jetë e mundur. Në kushte të tjera, do të thosha që turizmin Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas do të avancojmë edhe para sezonit veror turistik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.