Zbulimi i fundit është pjesë e Linjave të famshme të Nazsa. Ky është një mozaik i pafund peshqish, zogjsh, majmunësh, lulesh, dhe një figurë me shëmbëlltyrën e një njeriu, i quajtur astronaut.
Të gjitha këto imazhe janë vizatuar në një sipërfaqe prej 180 km katrorë dhe realizuar në vitet 300 para Krishtit dhe 200 pas Krishtit nga qytetërimi parakolumbian që jetonte në shkretëtirën e madhe 300 km në jug të Limës, në Peru. Ato marrin një rëndësi të madhe historike dhe arkeologjike. Macja, me gjasa e vizatuar të paktën dy shekuj më parë, konfirmon ekzistencën e popujve antikë, të mbuluar ende me mister, që i paraprijnë atij më të famshëm, Nazca.
Lajmi i zbulimit të vizatimit të fundit u dha nga Ministria peruane e Kulturës, e njoftuar nga grupi i arkeologëve të Planit të Menaxhimit të Nazca-Palpa. Për pak do të zhdukej. Duke pastruar kodrën nga rëra dhe papastërtitë për ta bërë më të aksesueshme nga vizitorët, teknikët u ndeshën me këto linja të pasigurta por të përcaktuara mirë, me gjerësi 30 – 40 cm. Duke ndjekur vizatimin nxorën në dritë macen, e gjatë 37 metra, e cila tani ka hyrë në Olimpin e linjave, pasuri e Trashëgimisë së UNESCO-s duke nisur nga viti 1994.
Vendi i zbulimit është Mirador Natural – një kodër gurore që shtrihet në Panamericana Sur, arteria e gjatë që të çon drejt Kilit duke përshkuar këtë rajon të rrethuar nga shkretëtira. Në sfond, ujërat gri të Paqësorit nga një anë dhe majat e Andeve në tjetrën. Një vend magjik, i pasur me energji, i ankoruar në të tashmen, që e bën magjepsës dhe gjithë mister.
Shumë arkeologë dhe antropologë të njohur kanë hulumtuar mbi linjat e Nazca. Dihet me siguri se ruajtja e tyre me kalimin e shekujve ka ndodhur për shkak të mungesës së erës dhe reshjeve. Ato janë realizuar duke hequr nga sipërfaqja gurët që përmbajnë okside hekuri, duke lënë një kontrast me gurin e bardhë poshtë. Ato kanë një perspektivë kaq të rafinuar, duke parë dimensionet e tyre, sa mund të arrijnë edhe 120 metra gjatësi – sa duket e pamundur.
Studiuesit janë të bindur se vizatimet janë bërë fillimisht në një shkallë të vogël dhe më pas janë aplikuar në tokë. Ky është një demonstrim se si gjeometria dhe inxhinieria njiheshin dhe praktikoheshin me zgjuarsi nga këto popullata. Karakteristikat stilistike të maces të bëjnë të mendosh që vizatimi i ri mund t’i përkasë qytetërimit të Paracas, një qytet me pamje nga deti, dyqind kilometra më në veri, mes viteve 700 para Krishtit dhe 200 pas Krishtit.
Interpretimet për përdorimin e tyre janë të ndryshme. Ka nga ata që mendojnë se ishin shtigje të përshtatshme për ceremonitë fetare, për të sjellë shiun, kaq i rrallë por jetik për të korrat e zonës. Të tjerë besojnë se janë riprodhim i hartës yjore – çdo kafshë, nga kolibri (lloj shpendi), te majmuni, krokodili e deri te balena – përfaqësojnë yjësitë që këta popuj antikë vëzhgonin në qiell. Në fund, teoria më magjepsëse është se vizatimet ishin si një udhëzues për kthimin e heroit-mjeshtër legjendar Varacoccha, i njohur edhe si Quetzalcoatl e Kontiki. Në vend të tij, u shfaq Hernán Cortés. Ne e dimë se si përfundoi. Në vend të tij u shfaq Hernán Cortés dhe dihet se si përfundoi historia.
Burimi: La Repubblica