Seksioni i fundit prej 22 km, pjesë e autostradës E-80 prej 87 km u përurua së fundmi.
Kjo autostradë e re do të sigurojë një lidhje moderne dhe të cilësisë më të lartë midis qyteteve serbe të Nishit dhe Dimitrovgradit, afër kufirit bullgar. Ajo kalon në një terren shumë të vështirë duke përfshirë Grykën e Sicevackës dhe kërkoi ndërtimin e 87 urave dhe 5 tuneleve, duke përdorur disa prej pajisjeve më të reja.
Korridori X është pjesë e infrastrukturës strategjike të transportit paneuropian që kalon përmes Austrisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe ka katër degë, përfshirë edhe Degën C: E-80 Nish (Serbi) – Sofje (Bullgari). Lidhja e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian është një proces shumë i rëndësishëm.
Zëvendëspresidentja e Bankës Europiane të Investimeve, Lilyana Pavlova deklaroi: “Banka e BE-së ka dhënë një kontribut thelbësor në përfundimin e ndërtimit të kësaj autostrade ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë. Ky është një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës së transportit që ka përfshirë Serbinë këto vitet e fundit dhe ajo që unë veçanërisht do të doja të theksoja ndër të tjera është dimensioni i saj ndërkufitar”, vijoi nj. Pavlova.
Korridori X ndihmon në lidhjen dhe integrimin e vendeve të Ballkanit me Bashkimin Europian, duke pasur një ndikim pozitiv në jetën e përditshme të njerëzve përmes rritjes ekonomike, sigurisë së transportit dhe kapacitetit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh në lidhje me këtë proces se “ne do të vazhdojmë ndërtimin pa u ndalur asnjë moment, duke krijuar një shtet më të mirë dhe duke hapur sa më shumë vende pune që të kemi mundësi, duke rritur numrin e punëtorëve dhe të investimeve, në mënyrë që investimet e nevojshme për rritjen ekonomike të mund të implementohen, dhe kështu që shumë shpejt ne mund të themi se kemi krijuar një prej vendeve më të bukura të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Bullgarisë, z. Borisov shprehu falënderimet për këtë mundësi shumë të madhe që iu dha. “Sot ne mund të themi me bindje të plotë, (se njësoj si gjermanët) se Muri i Berlinit ka rënë edhe për ne. Sot, Serbia ka akses të drejtpërdrejtë në portet e Varnasit dhe Burgasit dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me Stambollin, pa kurrfarë trafiku dhe mbi të gjitha nëpërmjet një infrastrukturë të sigurt. E gjithë industria bullgare do të përdorë këtë rrugë për të shkuar më tej drejt Europës Perëndimore. Sot ne jemi duke lidhur Azinë dhe Europën përmes Bullgarisë dhe Serbisë” – vazhdoi z. Borisov më tej.
Zëvendëskryeministrja Zorana Mihajlović, u shpreh se ky është një prej projekteve më të rëndësishme për Serbinë në fushën e infrastrukturës gjatë 50 viteve të fundit. Me përfundimin e kësaj autostrade deri në kufijtë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, Serbia është rikthyer në hartën e transportit të Europës, si vendi që ofron rrugën më të shkurtër që lidh Europën Qendrore me Lindjen e Mesme.
Përvoja e fituar gjatë ndërtimit të Korridorit X do të jetë e paçmueshme, sepse ajo do të ndikojë fillimisht në kryerjen e të gjitha projekteve të ardhshme në një mënyrë sa më efikase dhe brenda një kohe më të shpejtë, duke e shndërruar Serbinë në një qendër të vërtetë transporti në këtë pjesë të Europës, jo vetëm në infrastrukturën e rrugëve, por edhe në të gjitha llojet e tjera të transportit.
Banka Europiane e Investimeve ka siguruar një total prej 265 milionë eurosh për ndërtimin e Autostradës së Korridorit X. Ky është projekti i dytë më i madh në sektorin publik që financohet në Serbi nga banka e BE-së, që prej kredisë së parë të dhënë në vitin 1977 me vlerë 314 milionë euro, e cila shkoi për financimin e autostradës E-75.
Projekti aktual është një shembull i mirë i bashkëpunimit të Bankës Europiane të Investimeve me Komisionin Europian dhe Institucionet e tjera Financiare Ndërkombëtare, pasi ai është financuar nga fondet e BE-së, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore, si edhe nga buxheti i shtetit serb.