Pesë shkolla të tjera me koncesion, Bashkia e Tiranës hap tenderin e dytë, 11 milionë euro

10/11/2017 2:28 PM 0 komente

Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat për koncesionin e ri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e shkollave në Tiranë. Ky është koncesioni i dytë brenda 10 ditësh dhe fondi limit i tij llogaritet në rreth 11 milionë euro, duke e çuar totalin e deritanishëm për Zonën 1 dhe Zonën 2 në Tiranë në 25 milionë euro. Referuar njoftimit në këtë procedurë parashikohet që të ndërtohen të paktën pesë objekte të tjera arsimore.

“Bashkia e Tiranës në rolin e ‘Autoriteti Kontraktor’, fton Operatorët Ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare Koncesioni/ Partneriteti Publik Privat për projektimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 2, mobilimin dhe mirëmbajtjen e tyre të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, mbikëqyrjen dhe kolaudimin në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara në këto dokumente tenderi dhe me kushtet e kontratës .

Kostoja e vlerësuar e projektit është 1.574.138.127 (një miliard e pesëqind e shtatëdhjetë e katër milion e njëqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e njëzetë e shtatë) lekë pa TVSH”, – nënvizon Bashkia në njoftimin e saj në APP.

Kompania e cila do të fitojë koncesionin duhet të llogarisë maksimalisht një marzh fitimi maksimumi 6.28%. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin dhe pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin, si dhe vënien në funksion të tyre.

Objektet arsimore duhet të ndërtohen, si dhe të jenë funksionalë në një afat prej 18 muaj nga data e lidhjes së kontratës. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari/PPP do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7-vjeçare. Pas përfundimit të ndërtimit , Autoriteti Kontraktor do t’i paguajë koncesionarit/PPP një shumë të caktuar vjetore deri në përfundim të plotë të shumës së investuar.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of