Peshkimi, ndryshon ligji, zgjatet në 10 vjet afati i lejeve

22/01/2020 11:00 PM 0 komente

Mënyra sesi funksionon peshkimi në vend pritet të pësojë ndryshme qoftë sa i takon lejeve, aktivitetit ashtu edhe ndryshimit të mjeteve lundruese. Në një draft të nxjerrë tashmë për konsultim lidhur me peshkimin bëhen ndryshime në disa nene ku së pari në nenin 30 ku lidhur me peshkimin tregtar artizanal vendimmarrja të bëhet në një fazë të dytë, në zbatim të planit të menaxhimit dhe zbatimit të peshkimit të miratuar nga ministri.

“Në fakt nga censusi i bërë për vitin 2019 rezulton se në bregdet zhvillojnë aktivitete me kohë të pjesshme ose të plotë 958 mjete të peshkimit tregtar artizanal, nga të cilët në regjistrin e anijeve janë të regjistruara 435, nga të cilat vetëm 300 janë të pajisura me licenca peshkimi.  Një pjesë e madhe e tyre zhvillojnë aktivitete jo me kohë të plotë, sezonale lidhur me fusha të tjera si për argëtim apo turizëm.

Me ndryshimet e bëra me ligjin nr. 4/2019, datë 7.2.2019, MBZHR ka iniciuar procesin dhe ka bërë censusin e mjeteve të peshkimit për të ndarë bregdetin shqiptar në 7 zona dhe dhënien e tyre në bashkëmenaxhim me organizata/shoqata të peshkatarëve të peshkimit tregtar artizanal. Përfundimi i këtij procesi do të bëhet gjatë vitit 2020, duke përcaktuar edhe numrin e tyre” thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Lidhur me afatin e lejeve të peshkimit ndryshimet parashikojnë që ato të zgjaten në 10 vjet nga pesë që është aktualisht. Drafti parashikon që me mbarimin e afatit të vlefshmërisë së lejes së peshkimit, leja e peshkimit do të rinovohet automatikisht me dorëzimin e kërkesës përkatëse të pronarit të anijes së peshkimit.

Anijeve që janë në kantiere për riparime dhe nuk kryejnë aktivitet u lihet mundësi që të aplikojnë për rinovim të lejes në harkun kohor 3 mujor.

Një tjetër element që del në pah ne relacionin e draft ligjit është ajo e vjetërsisë së flotës shqiptare të peshkimit që është shumë larg mesatares së BE-së. “Flota jonë e peshkimit ka një gjendje jo shumë të mirë teknike me një moshë mesatare 43 vjeçare (kundrejt 29 të vendeve të BE-së). Dalja gradualisht nga peshkimi e anijeve të vjetra dhe zëvendësimi i tyre me anije të reja, lejohet vetëm në rast se anijet e peshkimit kanë tonazh dhe fuqi motorike më të vogël ose të barabartë  me një anije peshkimi me leje të vlefshme peshkimi.

Po kështu e njëjta gjë mund të ndodhë edhe për anijet e mbytura në det. Kjo mundëson zëvendësimin e këtyre anijeve të cilat ishin të pajisura me një leje të vlefshme peshkimi. Mjafton të bëhet një kërkesë për leje peshkimi nga pronari i anijes së mbytur ose nga trashëgimtarët e tij” thuhet në draft.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of